TIRANË – Përfshirja e shqiptarëve në forcat ekstreme islamike në Siri i bën një dëm të madh çështjes së popullit sirian, por në radhë të parë ajo bie ndesh me aspiratat tona ndërkomëbtare, me përkatësinë tonë përëndimore.
Ky është gjykimi i deputetit demokrat Tritan Shehu, i cili ndjek me vëmendje zhvillimet në Siri dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën e saj.
Në një opinion të tij në Fb, Shehu shkruan:
“Disa ditë më parë takova në Romë një nga drejtuesit e rezistences demokratike siriane, një personalitet demokrat, profesor, me ide krejt perëndimore.
Më konfirmoi qartësisht dy elemetë: 1) Shqiptarët autoktonë në Siri, në pjesën dërrmuese të tyre, mbështesin lëvizjen demokratike aty; 2) Ka shqiptarë të tjerë, të vajtur aty mbas fillimit të konfliktit, edhe nga Shqipëria këta, që operojnë aty brenda formacioneve të forcave ekstremiste islamike, duke i krijuar një dëm të madh çështjes së atij populli.
Ai më kërkoi të sensibilizohet opinioni publik në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, për këtë fenomen shumë të rrezikeshem jo vetëm për atë vend, por në radhë të parë për vendet tona.
Ai kërkonte me forcë që të merren të gjitha masat nga organet tona shtetërore për të goditur me forcë këtë trafik tragjik qëniesh njerëzore, organizatat kriminale që e organizojnë apo favorizojnë atë.”
Dhe në përfundim, Shehu thekson:
“Dhe ai ka plotësisht të drejtë; ne nuk mund e nuk duhet ta kalojmë me mendjelehtësi një shfaqje të tillë marrëzie, fatmirësisht për momentin shumë e kufizuar kjo.
Një gjë e tillë bie krejt ndesh me aspiratat tona kombëtare, me përkatësinë tonë perëndimore, me angazhimet tona, me filozofinë e mentalitetin tonë fetar e njerëzor, me imazhin tonë, me interesat tona madhore.”
Redaksia online
(armanda.shtëmbari/shqiptarja.com)








