Më shumë se 5 mijë emigrantë kanë hyrë sot në Serbi pasi autoritetet e Maqedonisë hapën kufirin duke i lejuar të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Evropës.

Siç raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, autoritetet maqedonase i ngarkuan emigrantët nëpër kamionë dhe autobusë për ti dërguar në pjesën veriore pas ditë të tëra tensionesh në pikën kufitare të Gjevgjelisë që lidh Maqedoninë me Greqinë.

Vetëm në Preshevë, gjatë natës së mbrëmshme kanë mbërritur rreth 2 mijë refugjatë një pjesë e të cilëve janë strehuar në qendrën e pritjes në komunën shqiptare. siç raportojnë mediet lokale, radha para Qendrës së pranimit në Preshevë është vërtetë e gjatë dhe Kryqi i Kuq, UNHCR dhe Komisariati për Refugjatë po ndajnë ushqime, ujë dhe mjete higjienike për refugjatët.

Ndërkaq dhjetëra autobusë presin të transportojnë refugjatët drejt Beogradit. Radhë të gjata emigrantësh nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia presin për vulosjen e letrave të tyre në mënyrë që të kalojnë transit nëpër Serbi përpara se të shkojnë drejt Hungarisë dhe më pas drejt zonës Shengen.

Maqedonia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të enjten dhe mbylli kufirin e saj jugor për të mos lejuar refugjatët të hynin në territorin e saj për shkak edhe të marrëdhënieve të tensionuara me Greqinë. Situata degradoi duke sjellë skena dëshpërimi nga turmat e stërmunduara që luftonin me forcat e policisë së Maqedonisë ndërsa këto të fundit iu përgjigjën me gaz lotsjellës.

Ndërkaq në Greqi vijojnë të mbërrijnë anije të tjera. Vetëm sot një anije me 2466 emigrantë, kryesisht sirianë, e nisur nga ishujt grekë, ankoroi në Athinë. Siç raporton “Reuters”, pritet që pjesa më e madhe ti drejtohen sërish Maqedonisë. Rreth 50 mijë kanë mbërritur me varka e anije nga Turqia në Greqi vetëm gjatë muajit korrik duke sjellë pasojat e konflikteve të Lindjes së Mesme në brigjet e Evropës.