TIRANE- Të gjithë mësuesit do ti nënshtrohen provimeve të licencimit, në të kundërt nuk do të jenë pjesë e sistemit arsimor. Kryeministri Edi Rama nga universiteti i Vlorës "Ismail Qemali" tha se sistemi ynë arsimor është i kalbëzuar. Një numër i konsiderueshëm arsimtarësh japin mësim jashtë profilit të tyre, ndërkohë që shumë të tjerë tha kryeministri paguhen pa bërë mësim. Të hënën  ka paralajmëruar kreu i ekzekutivit do të publikohen të dhëna tronditëse në lidhje me nivelin e arsimtarëve në sistemin tonë të dijes.

"U nisëm për të konstatuar numrin e mësuesve jashtë profilit dhe ajo që gjetëm është se përtej numrit të mësuesve jashtë profilit që është një numër i papranueshëm, ka ende një numër të madh mësuesish pa arsimin përkatës. Sikundër ka një numër të konsiderueshëm mësuesish që paguhen prej vitesh me paratë e popullit shqiptar dhe që nuk japin mësim", tha Edi Rama, kryeministër. Sipas tij, 26% e nxënësve në vendin tonë marrin mësim nga mësues jashtë profilit. “Do nisim procesin e licencimit të mësuesve përmes provimit.

Çdo mësues do të ketë licencën dhe kuotën e krediteve të veta, dhe do duhet t’i rinovojnë kreditet me provime sistematike. Gati 26 % e nxënësve në Shqipëri, ose një shifër e barabartë rreth 1770 mijë nxënës, janë në dorë të mësuesve që nuk kanë arsim ose janë jashtë profilit. 1770 fëmijë, që sistemi u ka “prerë kokën”, që ditën kur kanë shkuar në shkollë”, u shpreh Rama. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë u shpreh se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është vetëm miratimi i ligjeve dhe nismave por zbatimi i tyre. Në këtë aspekt tha kreu i qeverisë ne jemi ende mbrapa, jo vetëm në fushën e dijes.

"Kontributi i universiteteve sipas BE lidhet drejt për drejt me gjashtë aspekte kryesore të jetës së një komuniteti apo një vendi, punësimi, arsimimi dhe kërkimi shkencor pa dyshim, gjithëpërfshirjen demokratike, mirëqenien e qëndrueshme, mbështetjen e dhënë komuniteteve dhe cilësinë e kushteve të punës dhe të jetesës", tha Rama. Sa i përket universiteteve, kreu i qeverisë theksoi se ato duhet të hapen karshi tregut të punës dhe inovacionit e kërkimit shkencor. Vetëm në këtë mënyrë u shpreh ai mund të arrihet një reformim i të gjitha hallkave të sistemit arsimor. Këto deklarata kreu i qeverisë i ka bërë gjatë ceremonisë së 20-vjetorit të themelimit të universitetit të Vlorës. 


Nikolla: Mbështetje financiare nga programet e BE
 
Arsimi shqiptar është duke marrë një mbështetje financiare nga programe të shumta të Bashkimit Evropian. Ky fakt është pohuar nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dje gjatë aktivitetit të zhvilluar në Vlore ku nuk ka harruar të përmendë programin “Horizon 2020”, që sipas saj tregon qartë se rruga e integrimit kalon nga shkollat, nga universitetet tona. Gjatë fjalës së saj, ministrja shtoi se kjo është arsyeja pse u vendos t’u thuhej jo diplomave plaçkë, universiteteve kioskë, shkollave ku nota merrej pa merita, maturës që i mbushte auditorët me të rinj të paaftësuar për t’u përballur me sfidat e dijes dhe të njohurive.


Të rinjtë kërkojnë edhe heqjen e pagesës për provimet e mbartura

Studentët vazhdojnë të kundërshtojnë rritjen e tarifave për studimet. Ditën e djeshme të rinjtë i kanë dërguar një peticion qeverisë ku i kërkojnë të anulohen tarifat e miratuara. Po kështu ata kërkojnë edhe reduktimin e tarifave të studimit, por edhe ambiente të përshtatshme në auditorë, laboratorë, biblioteka, të pajisura këto të fundit me sistem ngrohjeje dhe ndriçimi.

“Kërkojmë që të mos bëhet 30% e pagesës në fillim të vitit dhe të mos bëhet pagesë për provimet e mbartura. Po kështu qeveria duhet të bëjë më shumë investime në infrastrukturë dhe të ketë më shumë transparencë financiare” pohojnë studentët. Ata kanë zgjedhur të nënshkruajnë një peticion, për të cilin u bëjnë thirrje të gjithë  studentëve dhe qytetarëve  që ta firmosin, të cilin do tua dërgojnë më pas autoriteteve të qeverisë.  Në rast se kërkesat e tyre nuk do të gjejnë zgjidhje deri në mbledhjen e radhës së qeverisë, studentët kanë paralajmëruar edhe zaptime të ambienteve të universiteteve.

Në kërkesat e studentëve përfshihen edhe disa pika të tjera për të cilat të rinjtë presin zgjidhje. Siç janë ofrimi i praktikave mësimore, programe trajnimi dhe ndërmetjetësimin në tregun e punës. Kjo është protesta e dytë që zhvillojnë studentët, ndërkohë që pak ditë më parë kërkuan heqjen e notës mesatare për masterin profesional. Tashmë me vendimin e ri të qeverisë nuk do të jetë më nota 6 si kriter kryesor, por vetë universiteti do të përcaktojë kriteret e pranimit. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)