Sigurimi i detyrueshëm i automjeteve këtë vit po kushton më shumë se vjet. Nga 1 janari 2026, për herë të parë në Shqipëri po njihet edhe historiku i dëmeve, apo i aksidenteve në sigurimin e automjetit, i njohur dhe si sistemi bonus-malus.

Në primin e sigurimit që paguani për mjetin tuaj (autoveturën), që prej vitit të kaluar, janë shtuar edhe 6 faktorë risku. Fuqia motorike, mosha e të siguruarit, eksperienca në drejtim, pronësia e mjetit, qarku i regjistrimit dhe vjetërsia e mjetit.

Ndërsa këtë vit shtohet edhe historiku i dëmeve. Të rregulltit duhet të marrin bonus, kurse problematikët ose ata që kanë shkaktuar dëme marrin malus, që do të thotë ndëshkim.

Çdo aksident që keni shkaktuar vjet rrit primin e sigurimit që do duhet të paguani këtë vit. Kështu një makinë me vjetërsi 11-15 vjet, me fuqi motorike 1301-1600, me drejtues me eksperiencë më të madhe se 2 vite paguan nga 17.467-18.149 lekë nëse s’ka aksidente, sipas llogaritjes bazuar në kalkulatorin e kompanive të sigurimit. Nëse të njëjtit mjet i shtojmë 1 aksident vlera e primit të sigurimit rritet mesatarisht 18%, nëse ka bërë 2 rritet gati 29%, duke shkuar deri në 26 mijë lekë.

Sipas të dhënave janë gati 750 mijë kontrata sigurimit të autoveturave, ku 96% sipas informacioneve do trajtohen me bonus dhe 4% me malus. Por nëse siguracioni shtrenjtohet deri në 40% sipas ekspertëve, ai ulet maksimumi deri në 5%. Pra jep më shumë ndëshkim sesa shpërblim për qytetarët shqiptarë.

Për të përcaktuar vlerën e sigurimit merret në konsideratë vetëm viti i kaluar, pra nëse keni qenë të rregullt apo jo vjet. Të gjitha aksidentet apo dëmet e shkaktuara përpara vitit 2025, zerohen duke bërë që drejtuesit e rregullt mos të përfitojnë më shumë bonus (ulje sigurimi).

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:19
Kuvendi harron AMF-në, nuk miratoi rezolutën me detyra, ekspertët kritika deputetëve: Bonus-malus duhet rishikuar

Për shkak se qytetarë dhe ekspertë e konsiderojnë këtë rregullore me këto faktorë më shumë ndëshkuese sesa shpërblyese, Komisioni i Ekonomisë në nëntor të 2025-ës, vendosi në rezolutën për AMF-në detyrën për të rishikuar këtë rregullore.

“Të rikthejë për diskutim, rishikim dhe vendimmarrje Rregulloren nr.156/2024 “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, duke e përafruar atë në mënyrë të plotë me modelin italian të sigurimeve motorike, i cili përfaqëson një praktikë të avancuar evropiane në drejtim të transparencës dhe ndëshkimit proporcional të riskut”, thuhej në projektrezolutë.

Po ashtu në projektrezolutë thuhej se rregullorja e re duhet të kishte disa risi, të tilla si:

· Vendosjen e një sistemi funksional “bonus–malus” që nxit sjelljen e kujdesshme dhe penalizon shkeljet e përsëritura.
· Përfshirjen e paketës familjare të sigurimit, që lejon transferimin e bonusit brenda familjes.
· Përllogaritjen e personalizuar të primit sipas historikut individual të drejtimit të mjetit.
· Diferencimin gjeografik të primit sipas nivelit lokal të riskut dhe frekuencës së aksidenteve.

Por kjo projektrezolutë, bashkë me atë të Autoritetit të Konkurrencës nuk kaluan në seancë plenare, duke bërë që viti 2025 të mbyllet pa detyra për këto institucione, e për pasojë lanë në fuqi rregulloren aktuale për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve. Ende nuk dihet se kur do të futet në axhendën e parlamentit.

Për ekspertët kjo rregullore duhet të rishikohet, pasi duhet të bëhet më shpërblyese për qytetarët.

“Rezoluta po përsëri e ka sjell në vëmendje absolutisht faktin që sistemi është më ndëshkues krahasuar me eksperiencat e tjera europiane apo të të vendeve të rajonit dhe kjo nuk krijon një balancim dhe një motivim të drejtë për shoferët. Gjithashtu ka një paqartësi të vogël aty që duhet ndoshta të qartësohet nëse do të ngelet bonus apo malus me shoferin apo me targën e makinës. Gjithashtu me të drejtë është evidentuar në draft rezolutë edhe ë qasja gjeografike. Nuk mund të kemi vetëm tre qarqe të shkëputura, dhe pastaj gjithë të tjerët të jenë në një lloj në njëjtën masë rreziku. Gjithashtu është parë mundësia e shpërndarjes së bonusit në familje për të ndihmuar dhe qasjen për më tepër në realitetin tonë shqiptar të bashkëjetesës dhe të pasjes së familjeve dhe pse jo të përfitimit të këtyre. Dhe në fund të fundit personalizim, nuk mund të jemi të gjithë njësoj kudo”, thotë eksperti Artur Ribaj.

“Duhet parë me shumë seriozitet në mënyrë që të realisht shoferi i mirë të paguante më pak, por nuk u intereson kompanive që nuk e kanë këtë treg, e kanë treg të ngrirë në marrëveshje okulte mes njëra-tjetrës. Prandaj është mirë që kjo rregullore të rishikohet sa më shpejt me këtë drejtim, të jepet më shumë ulje të tarifës të taksës së sigurimit që është i domosdoshme pikërisht shoferëve të mirë”, thotë eksperti Fatos Çoçoli.

Ora 16:18
Sistemi bonus-malus/ Ekspertët: Shoferët me aksidente do paguajnë deri 40% më shumë për sigurimin e mjeteve

Sa më problematikë të jeni në rrugë aq më shumë do të paguani për sigurimin e makinës. Sipas të dhënave janë gati 750 mijë kontrata sigurimit të autoveturave, ku 96% sipas informacioneve do trajtohen me bonus dhe 4% me malus. Por ekspertët gjykojnë se ky sistem ka më shumë ndëshkim sesa shpërblim, pra nuk po i motivon drejtuesit e rregullt.

“Është më shumë malus për një arsye të thjeshtë e ka edhe bota sepse dëmi që ti shkakton është shumë i madh. Nuk mund të jetë thjesht dëm material dëmtimi i makinës tënde apo makinës së dikujt tjetër sepse ke dhe pjesën e siguracionit, por ama kur bëhet fjalë për të rrezikuar jetën. Por duhet ta ta shohim tani edhe mënyrën që ti të përfitosh diçka më shumë sesa 3 apo 4% që do përfitosh sot. Pra sa i bie praktikisht 5 mijë ose 6 mijë lekë të vjetra merr sot bonus”, thotë eksperti i ekonomisë fatos Çoçoli.

Eksperti i tregut të sigurimeve Artur Ribaj thotë se primi i sigurimit mund të rritet deri në 40% për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme, por nga ana tjetër ulet maksimumi deri në 5%. Sipas tij qëllimi i rregullores së 2024-ës të AMF-së ishte për të motivuar sjelljen e mirë, por që nuk po rezulton e tillë.

“Kjo ka qenë qasja të krijonte pikërisht një motivim për shoferët e mirë, por dhe demotivim për ata të cilët ndëshkohen përmes qenies jo të mirë. Pra për të kaluar në një sjellje të mirë. Por duket sikur kjo rregullore është më shumë ndëshkuese sesa motivuese. Në qoftë se në bonus ti merr një 4% zbritje, dhe në malus ti shkon pesë fish më tepër. Shkon në 20% nëse ti ke një dëm dhe mund të shkojë dhe 40% nëse ti ke dy me më shumë dëme”, thotë Ribaj.

K.M/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 14 Janar, 18:35

    Arratisja e Ndocit, mendoni se Burgjet kanë standardet e duhura të sigurisë?