/ATSH/- Administrata Tatimore, duke marrë parasysh shqetësimet e paraqitura nga biznesi për vonesat në deklarime dhe pagesat e detyrimeve tatimore për periudhën dhjetor 2014, të cilat rrjedhin për shkak të fillimit të punës së sistemit të ri elektronik të tatimeve, njofton se nuk do të aplikohen gjoba e kamatvonesa nëse detyrimet shlyhen brenda datës 22 janar.

"Për të gjithë deklarimet dhe pagesat e detyrimeve tatimore që lidhen me TVSH-në, Tatimin mbi të ardhurat në burim, taksat dhe tarifat nacionale, lojrat e fatit, renta minerare të periudhës dhjetor 2014, që do të kryhen brenda datës 22 janar 2015, nuk do të aplikohen gjoba dhe kamatëvonesa", thuhet në njoftimin e publikuar nga DPT-ja.

Kurse për deklarimin dhe pagesat e detyrimeve që lidhen me kontributetet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi të periudhës dhjetor 2014, sipas DPT-së, nëse paguhen brenda datës 27 janar 2015, nuk do të aplikohen gjoba dhe kamatëvonesa.

Këtu, DPT bën të ditur se përfshihen edhe deklarimi dhe pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi për tatimpaguesit e biznesit të vogël, të cilët deklarojnë dhe paguajnë për 3-mujorin tetor -nëntor - dhjetor 2014.