Situata epidemiologjike në Kosovë ka filluar të tregojë shenja të përmirësimit, ku gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 170 raste të reja duke bërë që të arrijë në 106,192 të infektuar nga fillimi i pandemisë.
Ndërkohë që janë shënuar katër viktima duke e çuar në 2,202 numrin total të viktimave. Mes viktimave të 24 orëve të fundit është edhe një foshnje 1-vjeçare nga Prishtina.
“Brenda 24 orëve janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 1 rast (78 vjeç), Mitrovicë 1 rast (67 vjeç), Podujevë 1 rast (42 vjeç), Prishtinë 1 rast (1 vjeç)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas IKSHPK-së, gjatë 24 norëve të fundit janë shëruar 389 persona, ndërkohë që në vend aktualisht janë 6,933 raste aktive.
Kosova është vendi i fundit në Evropë sa i përket shkallës së vaksinimit, me më pak doza të siguruara.
Vendi ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të muajit mars me 24,000 dozat e vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Këtë javë, vendi ka pranuar edhe mbi 4 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech si donacion nga Bashkimi Evropian.