Kimi Antonelli ka arritur të bëjë historinë. Piloti italian është sportisti më i ri që shpallet kampion bote në automobilizëm, duke thyen me rreth 3 vite rekordin e Max Verstappen. 20-vjeçarit i duheshin dy pikë për të mbyllur llogaritë në Çmimin e Madh të Meksikës, por në fund të garës ai ia doli të ngjitet në podium si vend i tretë.

Max Verstappen fitoi garën që pati shumë peripeci, pasi në xhiron e 46 Valteri Bottas u aksidentua duke sjellë flamurin e kuq e për pasojë ndërprerjen e garës. E megjithatë në fund holandezi preu i pari vijën e finishit. Menjëherë pas tij Lewis Hamilton, i cili të shtunën rregjistroi kohën më të mirë në prova, duke siguruar ‘pole-position’ e parë pas 3 vitesh.

Në fund pati festë vetëm për Antonelli-n dhe ajo ishte më se e merituar. Askush nuk e priste që italiani të shpallej kampion në fund të sezonit. Madje kur kanë mbetur ende edhe 4 gara për t’u zhvilluar. Piloti i Mercedes pas shpalljes kampion bote shpërtheu në lot, ndërsa tha se ‘ky moment do të jetojë përgjithmonë me të’. 20-vjeçari ia dedikoi këtë sukses të jashtëzakonshëm familjes së tij dhe skuderisë së Mercedes.

Fitimi i titullit nga Antonelli i dha fund pritjes 73-vjeçare të Italisë për një kampion bote në Formula 1. I fundit që e kishte arritur këtë ishte Alberto Ascari në vitin 1953.

Tashmë në 4 garat e fundit mbetet për t’u parë se kush do të renditet i dyti. Max Verstappen sëbashku me pikët e Meksikës mban këtë pozicion me 261 pikë, 2 më shumë se Lewis Hamilton i vendit të tretë dhe 11 më shumë se George Rusell i vendit të katërt, i cili në Meksikë u rendit i gjashti.