‘Situata e COVID-19 ka ardhur duke u rënduar’ Ardi Veliu: Nga ana e Policisë së Shtetit do të ketë tolerancë zero për shkelësit e masave anti-COVID (VIDEO)

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i shoqëruar nga drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, mbrëmjen e djeshme inspektoi shërbimet e Policisë së kryeqytetit, për të parë nga afër zbatimin e masave anti-COVID dhe punën që po bën Policia në këtë drejtim.

Gjatë inspektimit në zonën e Tiranës së Re, Drejtor Veliu u ka kërkuar drejtuesve të DVP Tiranë të qëndrojnë në krye të shërbimeve, me qëllim monitorimin e zbatimit të masave anti-COVID, jo për të vendosur gjoba, pasi gjoba nuk është aspak qëllimi i Policisë, por me qëllimin e vetëm parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Nisur nga shtimi i rasteve, Drejtor Veliu ka theksuar se punonjësit e Policisë në terren duhet të intensifikojnë kontrollet në lokale dhe duhet të ushtrojnë kontrolle të pandërprera në sheshe, bulevarde e në çdo ambient publik, duke treguar zero tolerancë ndaj atyre qytetarëve që nuk respektojnë masat dhe protokollet e sigurisë.

Gjatë prononcimit të tij për mediat Drejtori Veliu, tha se Policia e Shtetit është angazhuar për të zbatuat të gjitha detyrat që rrjedhin nga Akti Normativ, në kuadër të pandemisë.

Ai shtoi se çdo ditë policia po kryen kontrolle dhe monitorime të masave, por kjo situatë e pandemisë ka ardhur duke u rënduar.

“Policia e Shtetit është e angazhuar për të zbatuar të gjitha detyrat që rrjedhin nga Akti Normativ, në kuadër të pandemisë.

Çdo ditë jemi duke kontrolluar dhe monitoruar masat, por kjo situatë ka ardhur duke u rënduar. Jemi munduar të sensibilizojmë dhe qytetarët të na mirëkuptojnë, por shifrat e fundit në rritje dhe vala e fundit si në të gjithë Evropën edhe këtu tek ne, na detyron që ne të veprojmë ndaj çdonjërit që thyen rregullat e vendosura për pandeminë.”, tha ai.

Veliu theksoi se nga ana e Policisë se Shtetit do të ketë tolerancë zero për të gjithë qytetarët që nuk respektojnë masat anti-COVID.

“Nga ana e Policisë së Shtetit do të ketë tolerancë zero për të gjithë qytetarët që nuk respektojnë masat anti-COVID, nuk vendosin maska, nuk respektojnë distancimin social dhe detyrimet e përcaktuara në e-Albania, për sa i përket distancave në lokal dhe oraret e mbylljes së lokaleve.

Përfitoj nga rasti t'u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, si dhe bizneseve, se Policia e Shtetit do të vazhdojë me seriozitet për të ndëshkuar çdo qytetar i cili nuk respekton këto rregulla.”

Drejtori i Policisë së Shtetit, në fund i ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë bashkëpunues në mënyrë që t’i shërbejmë komunitetit dhe cdo qytetari për minimizimin e pandemisë.

“Njëkohësisht u bëj thirrje qytetarëve që të jenë bashkëpunues me punonjësit e Policisë, sepse kjo thirrje që po ju bëjmë nuk është thjesht një kërkesë e shtuar e punonjësve të Policisë, por është një e mirë e cila duhet t’i shërbejë gjithë komunitetit dhe çdo qytetar ashtu si ne duhet të kontribuojë për të minimizuar dhe shkëputur zinxhirin e pandemisë.

Një kontribut i çdonjërit nga ne është një vlerë e shtuar dhe është një ndihmë jashtëzakonisht e madhe që i jepet kontributit që duhet të japi çdo qytetar për të mposhtur pandeminë.

Ju lutem, respektoni rregullat dhe përgjigjuni të gjitha thirrjeve të cilat janë të vendosura në kuadër të pandemisë!”, tha në fund ai.

J.GJ./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën