TIRANË - Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH ) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) janë duke ndjekur me kujdes të veçantë situatën e akseve rrugore pas rreshjeve të dëborës, që kanë rënë gjatë ditëve të fundit dhe ngricat e formuara për shkak të temperaturave të ulëta.
Situata paraqitet e përmirësuar, por disa akse në disa nga qarqet në vend vazhdojnë të paraqesin problematikë në kalueshmëri për shkak të ngricave.
ARRSH dhe DPSHTRR kërkojnë mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve, për të zbatuar rregullat e qarkullimit dhe njoftojnë sot për gjendjen e akseve rrugore dhe kalueshmërinë e mjeteve në to.
Bëhet me dije se deri në orën 15:30 situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:
Qarku Tiranë
Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset e këtij qarku. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë, por rekomandohet kujdes në vendet që nuk i zë dielli, për shkak të ngricave.
Qarku Durrës
Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, pasi ka trafik në akset e këtij qarku.
Qarku Elbasan
Aksi Librazhd-Stebleve është i hapur. Qarkullimi është normal në aksin Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentin Lunik -Steblevë. Qarkullimi bëhet me vështirësi në Shelcan, pjesë e aksit Elbasan-Gjinar, ku ka ndodhur rrëshqitja e rrugës. Në akset e tjera të bëhet kujdes nga ngricat në rrugë gjatë orëve të para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes.
Qarku Berat
Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e këtij qarku.
Të bëhet kujdes në segmentet rrugore ku punohet. Rekomandohet të qarkullohet me kujdes, për shkak të ngricave nga temperaturat e ulëta të natës dhe orëve të para të mëngjesit.
Qarku Vlorë
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset. Por në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes, të bëhet kujdes nga ngricat.
Qarku Gjirokastër
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij Qarku.
Rekomandohet ecja e kujdesshme, sidomos në orët e para të mëngjesit, pasi me uljen e temperaturave mund të formohen ngrica në rrugë.
Qarku Korçë
Kujdes gjatë orëve të para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes, sepse për shkak të temperaturave të ulta mund të ketë zona me ngrica. Është kryer kriposja e të gjitha akseve. Situata është normale. Gatishmëria është e plotë. Kalueshmëria pa problem. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset e qarkut të Korçës. Nga temperaturat e ulëta ka segmente rrugore ku formohen ngrica. Prandaj rekomandohet që mjetet të qarkullojnë me kujdes në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes.
Qarku Kukës
Janë spërkatur me kripë segmentet ku ka patur prani ngricash nga temperaturat e ulëta. Në aksin Kukës - Shishtavec ka patur rrëshqitje dherash dhe shembje gurësh. Janë marrë masat për pastrimin e aksit dhe rruga është e qarkullueshme në të dy drejtimet. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në segmentin K.Domaj - Draj Reç, për shkak të temperaturave të ulëta dhe ngricave në rrugë.
Qarkullimi në Rrugën e kombit kryhet normalisht.
Qarku Dibër
Është bërë kriposja në disa nga akset e këtij Qarku ku ka patur ngrica nga temperaturat e ulëta të natës si: Ura e Cerenecit-Steblevë, Peshkopi - Qafë Draj, Qafë Bualli - Krastë. Qarkullimi kryhet me zinxhirë në segmentin Q.Klenje - Klenje, Zall Dardhë - Qafë Draj dhe Ura e Cerenjes - Vasie. Rekomandohet kalimi me zinxhirë edhe në segmentet Qafë Bualli - Krastë dhe U. e Qytezës - Zerqan.
Qarku Shkodër
Në aksin Mes - Prekal ka ndodhur një rrëshqitje e skarpatës në fshatin Omaraj. Ka përfunduar puna për hapjen e rrugës dhe largimin e gurëve dhe masivit të dherave nga rruga. Tani aksi qarkullohet normalisht. Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset e tjera.
Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset e këtij Qarku. Të bëhet kujdes nga ngricat në orët e para të ditës dhe në orët e mbrëmjes.
Qarku Fier
Nuk ka probleme për qarkullimin. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të fluksit të madh të makinave në superstradën Fier - Lushnje.
Qarku Lezhë
Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij Qarku.
Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë. Të bëhet kujdes në orët e mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes, pasi ulja e temperaturave shkakton ngrica në segmente të caktuara./ATSH/