KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti i ka bërë sërish thirrje serbëve që të mos i braktisin institucionet e Kosovës. Kurti thotë se ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të vendit janë ata e kanë problem ligjin. Ndërkohë sa i përket vendimit të tagrgave të miratuar nga qeveria e Kosovës SHBA ka kërkuar të tërhiqen. Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë i kërkoi qeverisë së Kosovës të heqë dorë nga gjobat si dhe të nisiin urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit.

Sakaq pas tensioneve në veri të Kosovës dhe dorëheqjes së zyrtarëve serbë, Kurti dhe Vuçiç do të takohen nesër në Francë. Gjatë mbledhjes së Qeverisë ditën e sotme, kryeministri i Kosovës po ashtu tha se mungesa e sundimit të ligjit është kërcënim veçmas për qytetarët serbë në katër komunat veriore: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut.

“Jemi Qeveri e përgjegjshme e të gjithëve, kundër kriminelëve e përkushtuar për zhvillim, barazi e integrim. Sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të paqes. Bëjë thirrje që të mos bojkotohen e braktisen institucionet”, u shpreh Kurti.

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç që ka mohuar më parë se Beogradi nuk ka gisht në largimin e Listës Serbe nga institucionet, nderoi sot policët që refuzuan urdhrat e Qeverisë së Kosovës. Ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriç dhe ish-shefi e Operacioneve Rajonale të kësaj drejtorie, Aleksandar Filipoviç u nderuan me medaljen e artë për trimëri “Millosh Obiliq”. Teksa ia dorëzoi medaljet në Presidencën e Serbisë, Vuçiç i falënderoi dhe tha se ata “dëgjuan shtetin e tyre”.

Me qëllim rritjen e sigurisë në veri të Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i janë bashkuar trupa shtesë, me qëllim përforcimin e Njësisë Policore. Lajmi u bë i ditur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Lidhur me situatën në Veri, dje, Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të nisin të zbatojnë marrëveshjet, të cilat i kanë nënshkruar në Bruksel. Ai tha se tërheqja e përfaqësuesve të komunitetit serb nga të gjitha institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje dhe se ka potencial për përshkallëzim dhe se retorika që po mbizotëron në veri të vendit vë në rrezik jetën e qytetarëve

Situata në veri është përshkallëzuar pasi Qeveria e Kosovës nisi të zbatojë planin në tri faza për ri regjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok - llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe. Këto targa i lëshon Serbia dhe bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera. Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, që kryesisht kanë cak serbët që po ri regjistrojnë makinat në RKS.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:42
Tensionet Kosovë-Serbi, Kurti nesër në Paris me ftesë nga Macron: Do të takohem edhe me Vuçiç, jam i përgatitur, në tryezë kemi dy propozime

Pas tensioneve në veri të Kosovës dhe dorëheqjes së zyrtarëve serbë, Kurti dhe Vuçiç do të takohen nesër në Francë.

Nëpërmjet një postimi në facebook, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se ishte ftuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron në Forumin e Paqes që do të mbahet të nesërmen në Paris.

Kurti shkruan se ishte i përgatitur ndërsa shton se në tavolinën e bisedimeve ishin dy propozime ai i gushtit të vitit 2022 i prezantuar në Bruksel, dhe propozimi franko-gjerman që mbështetej nga SHBA.

“Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria. 

Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë”- shkruan Kurti në facebook.

Ora 21:25
Haradinaj akuzon qeverinë Kurti për situatën në veri të vendit: Injorancë dhe papërgjegjësi, po bën gabim pas gabimi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj nëpërmjet një statusi në rrjetin social facebook, ka akuzuar qeverisjen e Kosovës për gjendjen e përkeqësuar në vend ku zyrtarët serbë kanë braktisur detyrat e tyre në institucioneve.

Haradinaj shkruan se Kurti po bënte gabim pas gabimi dhe largimet e zyrtarëve serbë ishin një tjetër gabim i tmerrshëm në momentin kur pritej faza finale për përmbylljen e marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë.

Postimi i Plotë:

Sonte para qytetarëve të Vushtrrisë, shpreha shqetësimin tim për faktin se situata në vend është përkeqësuar.

Sa i përket krizës ekonomike dhe asaj energjetike, jam i bindur se kjo qeveri nuk do të bëjë asgjë të dobishme. Është për keqardhje papërgjegjësia dhe injoranca e tyre në qeverisjen e vendit.

Ndërkohë, qeveria Kurti, nuk e menaxhoi si duhet procesin e dialogut, duke bërë gabim pas gabimi, që kulmuan me lëndimin e raporteve me aleatët tonë amerikan, të cilët ishin me ne në të gjitha fazat e rrugëtimit tonë drejt lirisë, Luftës Çlirimtare dhe shtetndërtimit.

Largimi nga këshillat dhe kërkesat e tyre, pikërisht në fazën finale kur pritej përmbyllja e Marrëveshjes ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke, është gabim i tmerrshëm.

Këto politika të dëmshme, mund të kenë pasoja shumë të rrezikshme për vendin, deri në karantinimin nga bashkësia ndërkombëtare.

Kryeministri duhet që sa më parë të kthehet nga kryeneqësia e tij, dhe mos t'i japë Serbisë mundësinë që të krijojë situata destabilizimi në Kosovë e rajon.

Ora 21:14
Ministri serb i Mbrojtjes: Situata në Kosovë po shkakton 'shqetësim të thellë' në Serbi

“Situata në Kosovë shkakton shqetësim të thellë për Republikën e Serbisë”, tha zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, gjatë një takimi me Zëvendës-ndihmës sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe ato të Sigurisë, Javier Colomina.

Sipas Vuçeviçit, “kriza aktuale u shkaktua nga mos-zbatimi i marrëveshjes së Brukselit nga Prishtina, e cila nuk e përmbushi detyrimin e saj të vetëm, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ora 17:53
Vendimi për targat në Kosovë, ambasadori i SHBA-ve kërkon tërheqjen e Prishtinës: Mos vazhdoni me gjoba! Të fillojnë urgjentisht negociatat

1668012830_ambasadori.JPG

Ambasadori e SHBA-ve në Kosovës, Jeffrey Hovenier për situatën në veri të Kosovës është shprehur kundër vendimit për targat si nxitëse të konfliktit në rajon. Ambasadori i kërkoi qeverisë së Kosovës të heqë dorë nga gjobat si dhe të nisiin urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit.

“I kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të mos vazhdojë me gjobat [për qytetarët serbë në veri], që të zgjasë për dhjetë muaj afatin riregjistrimin e makinave dhe që të fillojë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit”.- tha ambasadori i SHBA-ve.

Ora 16:25
Vuçiç pritet të takohet me Macron për tensionet në veri të Kosovës

1668007775_Vucic.PNG

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të mërkurën se do të takohet me homologun e tij francez lidhur me tensionet në veri të Kosovës të ndezura së fundmi për shkak të një mosmarrëveshjeje të gjatë për targat .

Aleksandar Vuçiç tha në një konferencë shtypi në Beograd se ai anuloi udhëtimin e tij në Egjipt dhe Katar për të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris këtë të premte dhe të shtunën.

Vuçiç pritet të zhvillojë gjithashtu takime me shefin e politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, përfaqësuesin special të bllokut për Ballkanin Perëndimor. Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi vazhdon ta konsiderojë atë si territorin e saj.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë rritur pasi serbët e Kosovës u tërhoqën nga të gjitha institucionet qendrore dhe lokale në shenjë proteste kundër vendimit të Prishtinës për zëvendësimin e targave të lëshuara për serbët nga autoritetet serbe me targa të Republikës së Kosovës.

Prishtina tha se do të fillojë të vendosë gjoba këtë muaj për shoferët serbë që përdorin targa të vjetra të cilat startojnë para-pavarësisë dhe do të konfiskojë automjetet me numra të vjetëruar të regjistrimit pas 21 prillit 2023.

Vuçiç tha se Beogradi i përmbahet Marrëveshjes së Brukselit, një marrëveshje e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe se ishte koha që BE-ja dhe Prishtina të bëjnë të njëjtën gjë.

BE dhe NATO u kanë kërkuar të dyja palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të zgjidhin çështjet e pazgjidhura përmes dialogut. Brukseli ka lehtësuar dialogun midis dy vendeve të krijuar për të ulur tensionet dhe për të zgjidhur çështjet dypalëshe, një nga kërkesat për anëtarësimin e plotë në BE.

Ora 13:19
Refuzuan urdhrat e Qeverisë së Kosovës, Vuçiç nderon me medaljen e artë për trimëri policët

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, duke i dhënë medalje ish-drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nderoi të mërkurën me medalje ish-drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriç, dhe shefin e Operacioneve Rajonale të kësaj drejtorie, Aleksandar Filipoviç.

Gjuriç dhe Filipoviç u nderuan me medaljen e artë për trimëri “Millosh Obiliq”, pasi refuzuan të zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Duke ua dorëzuar medaljet në Presidencën e Serbisë, Vuçiq falënderoi Gjuriçin dhe Filipoviçin që, siç tha, “dëgjuan shtetin e tyre”.

“Keni bërë atë që jua donte zemra dhe keni vepruar me nder kur ju kanë penguar të kryeni detyrën, sepse as atëherë nuk keni dashur t’i shkelni ligjet”, tha Vuçiç.

Ai bëri të ditur se në dy ditët e ardhshme do të vizitojë Parisin, ku tha se do të takojë presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe zyrtarë të tjerë evropianë, me të cilët do të bisedojë për, siç tha, situatën në Kosovë.

Vuçiç tha se autoritetet në Kosovë, duke zbatuar vendimin për riregjistrimin e makinave, kanë dashur të shkaktojnë incidente dhe të “poshtërojnë popullin serb”.
Ai nuk solli ndonjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime./REL

Ora 11:19
Situata në Veri të Kosovës, Kurti: 1012 qortime janë shqiptuar deri tani! Ata që po urdhërojnë largimin nga institucionet e kanë problem ligjin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe ditën e sotme, i ka bërë sërish thirrje serbëve që të mos i braktisin institucionet e Kosovës.

“Jemi Qeveri e përgjegjshme e të gjithëve, kundër kriminelëve e përkushtuar për zhvillim, barazi e integrim. Sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të paqes. Bëjë thirrje që të mos bojkotohen e braktisen institucionet”, u shpreh Kurti.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se deri sot në mëngjes, Policia ka shqiptuar 1012 qortime/vërejtje për personat që nuk i kanë zëvendësuar targat e automjeteve që i lëshon Serbia.

"Problemi i tyre nuk janë vendimet tona e as afatet që parashihen në to, 1012 qortime janë lëshuar deri sot në mëngjes, asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë. Problem janë sulmet me bomba, djegiet e veturave e shtëpive. Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës janë ata të cilëve u pengon ligjshmëria e kushtetutshmëria, luftimi i kriminalitetit e korrupsionit.”, tha Kurti.

Ora 08:25
Tensionet në Kosovë, Borell: EULEX përmbush detyrën e tij për të garantuar stabilitet

1664024452_632eec9768d81w57684428800x450.jpeg

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “në këto kohë të tensionuara në Kosovë, EULEX përmbush detyrën e tij për të garantuar stabilitet.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit EULEX, e ka shtuar praninë në Kosovë me njësi tjera të policisë, pas largimit të serbëve të veriut nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe policinë. Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se një njësi karabinierësh italianë tashmë ka arritur ne Kosovë për të siguruar sundimin e ligjit për shkak të zhvillimeve veri të vendit.

"Në këto kohë të tensionuara në Kosovë, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX përmbush detyrën e tij për të garantuar stabilitet. Forca Evropiane e Xhandarmërisë, pjesa e karabinierëve zbarkoi që përkohësisht ta përforcojë Njësinë Policore të EULEX-it në Kosovë. EULEX do të vazhdojë që tëmbështesë një mjedis të sigurt”, shkroi Josep Borrell në Twitter.