Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar për incidentin në ndeshjen e Kombëtares kundër Polonisë, duke deklaruar se ngjarje të tilla nuk na nderojnë, por thekson se tifozët shqiptarë janë provokuar për më shumë se dy orë nga ata polak. Sipas FSHF tifozët shqiptarë nuk janë të dhunshëm dhe nuk mund të përgjithësohen nga dhjetra persona të papërgjegjshëm.

Sipas FSHF si pasojë po monitorohen me kujdes nga UEFA, pasi në maj është në program finalja e Konference League në Tiranë. Ndërkohë gjatë kësaj kohe emisarë të UEFA-s do jenë në Shqipëri për ndeshje të Superligës.

Për Kristo Thoman, komentator i futbollit dhe posaçërisht i kombëtares, incidenti i krijuar në fushë me shishet e ujit ndodhi për shkak të disa faktorëve.

Kristo Thoma, komentator: “Kjo është situatë komplekse, sepse nuk ishin vetëm disa tifozë që hodhën disa shishe dhe nuk është e lehtë që të gjesh një fajtor të vetëm. Natyrisht që tifozët kanë përgjegjësinë e tyre dhe unë këtë nuk e mohoj. Unë për vetë vazhdoj të jap mesazhe. Kushdo që ka mundësi, kushdo që ka një mik ose shok që shkon në stadium, në raste të tilla absolutisht nuk duhet të prekim fushëm me sende. Pse them situatë komplekse? Sepse pati pak irritim edhe për shkak të sjelles së futbollistëve polak që provokuan tifozët tanë, edhe për shkak të gjyqtarit në menaxhimin e lojës sepse një gjyqtar i mirë nuk duhet vetëm të respektojë rregulloren, por është një njeri që duhet të kuptojë se si shkojnë situatat.”

Pavarësisht se e dënon dhunën e tifozëve shqiptar Thoma thotë se edhe tifozët miq nuk bënë më pak.

Kristo Thoma, komentator: “Tifozët polak njihen dhe dihen që janë problematik. Për këtë arsye do duhej pak më shumë kujdes ndaj tyre. Ata kanë hedhur sende në drejtim të tifozëve tanë. Në transmetim të drejtpërdrejtë kolegu që ishte poshtë tribunës së polakëve ka vënë re edhe hedhje stolash jo më sendesh të tjera në drejtim të tifozëve tanë.”

Nga incidenti në fushën e gjelbër FSHF rrezikon dënimin me gjoba por edhe mbylljen e fushës për kombëtaren me disa ndeshje.