Kryeministri Edi Rama ka deklaruar mëngjesin e sotëm se siguria e shqiptarëve në rajonin e Lindjes së Mesme, i cili është përfshirë nga konflikte në shkallë të gjerë gjatë ditëve të fundit, mbetet parësore.

Gjatë fjalës në Podkastin e tij ‘Flasim’, Rama tha se agresioni i Iranit ndaj vendeve të Gjirit Persik duhet të marrë fund.

Teksa e cilësoi ofensivën e SHBA-së dhe Izraelit në Iran të drejtë, Rama shtoi se shërbimet diplomatike dhe konsullore shqiptare në rajonin e Lindjes së Mesme, janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet për ruajtjen e sigurisë së shqiptarëve.

Lidhur me deklaratat dhe lajmet që kanë qarkulluar për një sulm të mundshëm të Iranit në Shqipëri, Rama tha se nuk mund të ndodhte, duke shtuar se ata që i nxjerrin të tilla lajme, ushqejnë shpresën e kotë për rrëzimin e tij nga pushteti.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Sigurisht që si të gjithë, edhe ne jemi të prekur në sensin fatmirësisht, jo fizik, por patjetër politikisht, shpirtërisht, njerëzisht nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë në një rajon, ku kemi miq të jashtëzakonshëm dhe ku me krenari jemi një nga vendet e pakta që kemi një miqësi të fortë, njëkohësisht me Izraelin dhe me vendet e Gjirit Persik, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara, Katarin, Kuvajtin, Bahrenin, të cilat kanë qenë në rrezen e agresionit të killerave të Teheranit. Situata mbetet e ndërlikuar, vështirë të parashihet fundi i një ofensive të nisur me plotë të drejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në aleancë të ngushtë me Izraelin për të ndaluar njëherë e mirë mundësinë që regjimi obskurantist i Republikës khomeiniste të Iranit të prodhojë bombën atomike.

Në këtë moment sigurisht edhe për ne si për shumë vende të tjera prioritet kryesor është siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në ato vende, përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullatat në rajon janë në kontakt të vazhdueshme qoftë me ne, qoftë me autoritetet vendase, po bëjnë gjithçka për ta monitoruar situatën, për të informuar dhe për të asistuar. Ndërkohë që, çështja kyç e fluturimeve mbetet një sfidë për të gjithë.

Kjo është një situatë që kërkon qetësi, kujdes, informim vazhdueshëm nga burimet zyrtare. Ndërkohë që ne jemi solidarë me të gjitha vendet e prekura, përfshi pa diskutim, edhe Qipron, një vend mik, i cili po ashtu u godit, edhe Greqinë në shenjë të fortë solidariteti për çka ndodh në Qipro, po njëkohësisht edhe Turqinë në të njëjtën kohë që po ashtu u tentua të goditej nga një raketë e neutralizuar menjëherë nga forcat e NATO-s.

Përsa i takon Shqipërisë, ka pasur lloj-lloj thashethemesh dhe spekulimesh, dhe interesante është që, ndryshe nga vendet e tjera në Shqipëri, të keqen më të madhe ne e kemi brenda dhe burimin më të madh të dezinformimit, të gënjeshtrave, të deformimit të informacionit, ne ndryshe nga të tjerët, nuk kemi pse e kërkojmë gjetkë, sepse e kemi këtu.

Dhe nga këtu është prodhuar në mënyrën më kriminale dhe të papërgjegjshme edhe një seri lajmesh për gjoja mundësinë e sulmit mbi Shqipërinë. Por, ju kujtoj të gjithëve që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Turqi, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, gjë të cilën pastaj e nënvizoi bukur mirë edhe gjenerali amerikan i komandës së NATO-s, qartësisht, kjo shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, me gjithë keqardhjen për të keqen, që me siguri nuk e ka aspak problem, nëse do t’i jepej mundësia ta provonte edhe ndonjë sulm mbi Shqipërinë, vetëm e vetëm për të ushqyer shpresën e kotë dhe siç thonë tironsit, “ondrrën në beze”, se do të përmbyset i ashtuquajturi “regjimi i Edi Ramës”.

Shefi i Ekzekutivit foli edhe për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Panairin e Turizmit në Berlin, ku tha se vendi ynë u ftua për t'u vendosur në pjedestal të këtij eventi. Kjo sipas kryeministrit, për shkak të hapave të mëdhenj progresiv që ka bërë Shqipëria në fushën e turizmit gjatë viteve të fundit.

"Një moment i rëndësishëm i kësaj jave ishte edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në panairin më të madh ndërkombëtar të turizmit në botë, ai i Berlinit, i cili këtë vit shënoi edhe 60-vjetorin e tij. Nëse ju kujtohet, vjet Shqipëria u ftua në Berlin si vendi, i cili u vu në piedestal. Çdo vit ka një vend që vihet në piedestal dhe që në njëfarë mënyre është bashkëmikpritësi i panairit.

Këtë vit nga data 3 deri më 5 mars, Shqipëria u riprezantua në atë panair  si destinacioni autentik mesdhetar, përmes konceptit  'Albania All Senses', duke sjellë një panoramë të pasuruar të asaj që ishte prezantimi ynë i parë në atë panair: natyrë e jashtëzakonshme, histori unike, përvoja autentike, trashëgimi kulturore, në një vend që po rritet si aktor në industrinë e turizmit me ritme të shpejta", shtoi Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:40
Panairi i Turizmit në Berlin/ Kryeministri Rama: Shqipëria u ftua si vendi që u vu në piedestal! Punëzinjtë dhe ditëzinjtë le të flasin

 

Kryeministri Edi Rama e cilësoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Panairin e Turizmit në Berlin si një ngjarje të madhe për vendin tonë. Sipas Ramës, Shqipëria u ftua në këtë panair, si vendi që u vu në piedestal.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Një moment i rëndësishëm i kësaj jave ishte edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në panairin më të madh ndërkombëtar të turizmit në botë, ai i Berlinit, i cili këtë vit shënoi edhe 60-vjetorin e tij. Nëse ju kujtohet, vjet Shqipëria u ftua në Berlin si vendi, i cili u vu në piedestal.

Çdo vit ka një vend që vihet në piedestal dhe që në njëfarë mënyre është bashkëmikpritësi i panairit.

Këtë vit nga data 3 deri më 5 mars, Shqipëria u riprezantua në atë panair  si destinacioni autentik mesdhetar, përmes konceptit  “Albania All Senses”, duke sjellë një panoramë të pasuruar të asaj që ishte prezantimi ynë i parë në atë panair: natyrë e jashtëzakonshme, histori unike, përvoja autentike, trashëgimi kulturore, në një vend që po rritet si aktor në industrinë e turizmit me ritme të shpejta.

Me mbi 100 mijë pjesëmarrës nga rreth 190 vende të botës, panairi i Berlinit  mbetet një nga skenat më të rëndësishme globale të turizmit, dhe fakti që Shqipëria, jo vetëm hyri në atë panair, por edhe vazhdoi të tërheqë këtë vit shumë interesim, është një mesazh i qartë se sezoni që po vjen do të jetë  një sezon ende më i suksesshëm. Dhe pavarësisht të gjitha përpjekjeve të një tufe ditëzinjsh dhe punëzinjsh, siç thoshte dhe siç nuk i bie  fjalë në tokë avokat Ngjelës, numrat rekord të Shqipërisë do të konsolidohen.