Situata nga reshjet/ 'Mbrojtja': 2985 ha nën ujë! Prezencë uji në 4 banesa! Po punohet për lirimin e akseve rrugore

 

Ministria e Mbrojtjes ka treguar situatën nga reshjet intensive gjatë orëve të fundit.

Që prej ditës së parë janë angazhuar në terren:

  • 570 Forca të Armatosura
  • 495 Forca Zjarrfikëse
  • 400 Forca nga Policia Shtetit
  • 315 Forca Vullnetare
  • Ekipet e Shërbimit Mjekësor

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, reshjet e shiut kanë vazhduar me intensitet të ulët gjatë natës dhe të lokalizuara. Ka rënë ndjeshëm sipërfaqja e tokës e mbuluar nga uji në qarkun e Shkodrës. Sot janë 1685 hektarë tokë nën ujë dhe vazhdon tërheqja, nga 4346 ha që ishte dje në darkë. Aktualisht janë vetëm 26 familje me 99 anëtarë të evakuuar, nga 52 familje dhe rreth 318 banorë që ishin dje. Të tjerët janë kthyer në banesat e tyre.

Në Bashkinë e Lezhës ka pasur gjithashtu përmirësim: Ka prani uji vetëm në 4 banesa nga 24 që ishin dje. 1300 hektarë sipërfaqe e përmbytur.

Rrugët - Përgjithësisht rrugët në rajonin e veriut të vendit janë të kalueshme, veç pak segmenteve. Janë pastruar dhe ka qarkullim normal në segmentet që lidhin Tropojën, në aksin Hani i Hotit-Tamarë-Vermosh dhe Bogë- Theth. Në akset  Kukës - Krumë, Kukës - Ura Zapodit, në aksin Kukës – Bushtricë. Po punohet dhe shumë shpejt do të jenë të lira edhe disa akse si: Lezhë- Vau i Dejës, Qafa e Malit-Fierzë, Ura e Matit - Lezhë

Nuk ka pasur probleme sa i përket lëvizjes në akset e rrugëve në rajonin qendror dhe jugor të vendit. Janë të lira akset rrugore nacionale dhe turistike. Njëkohësisht po bëhet një kontroll i urave pas situatës së krijuar nga shirat.

Niveli i lumenjve - Niveli i lumenjve Drin (5.9 nga 7.5), Buna  (7.6 nga 8.7) është aktualisht poshtë nivelit kritik. Në Hidrovoret Droje, Shllinze, Tale, Ishull Shengjin, Gryke Zeze, Gocaj, Balldre nivelet e ujit janë nën kuotat kritike. Po monitorohet situata pa ndërprerje. Në të gjithë pjesën tjetër të vendit, në Bashkitë Durrës, Kukës, Dibër situata paraqitet normale.

Bashkitë - Të gjitha bashkitë kanë patur dhe kanë në dispozicion fondin e emergjencave prej 10 mln euro, i ndarë në proporcion me buxhetet e bashkive. Fond i cili është parashikuar edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Sipas  VKM 414 ky buxhet mund të përdoret për:

1. Shërbime të ndërhyrjes së menjëhershme në shpëtimin e jetës së shtetasve, pronës private e publike.

2. Akordimin e ndihmës financiare për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga përmbytjet, në aspektin ndërtimor dhe orendi shtëpiake.

3. Marrjen e masave rehabilituese në objektet infrastrukturore që përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e njerëzve, pronat e tyre dhe mjedisin, të cilat ndikojnë në rikthimin e jetës normale për komunitetin e veprimtaritë e tij ekonomike.

4. Shpenzime të kryera për blerje karburanti dhe pjesë ndërrimi për automjete dhe makineri, të cilat përdoren për përballimin e situatave emergjente.

5. Mbulimin e shpenzimeve të tjera operative të kryera gjatë përballimit të ngjarjeve dhe situatave të emergjencës civile;

6. Blerje materialesh të ndryshme, që i shërbejnë veprimtarisë së strukturave të emergjencës civile në nivel vendor.

7. Mbajtjen në gatishmëri të infrastrukturës së ujitjes, të kullimit, të mbrojtjes nga përmbytja dhe digat e rezervuarëve në administrim të tyre


Lajmi kryesor:

Përmirësohet situata në veriperëndim të vendit, prani e ujit vetëm në 4 banesa në Lezhë! Akset rrugore të lira për qarkullim


/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet