2 barinj shkaktojnë zjarr në Gjirokastër, nga flakët shpërthejnë disa predha të Luftës së Dytë Botërore në Dropull e Memaliaj! Vatër masive në Lezhë dhe Lakun e Mollave, ndërhyhet nga ajri

Një zjarr me përmasa të mëdha është aktivizuar mesditen e sotme në fshatin Radat të Dropullit, ku janë djegur disa stalla bagëtish dhe kullota. Të dyshuarit për zjarrvënie janë dy barinj të zonës, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve ka bërë që të shmanget rreziku për banorët e fshatit dhe aktualisht flakët vijojnë të përpijnë masivin pyjor në drejtim të kufirit grek. Prefekti Odise Kote deklaroi për Report Tv se është kërkuar ndihmë nga shteti fqinj. 

Mësohet se si pasojë e flakëve kanë shpërthyer dhe 10 predha të vjetra të Luftës së Dytë Botërore, por që nuk kanë shkaktuar dëme në njerëz. Në zonë mendohet se ka ende predha të tjera të pashpërthyera që rrezikojnë jetën e zjarrfikësve që po mundohen të shuajnë flakët.Po punojnë aktualisht për shuarjen e flakëve, 8 zjarrfikëse, 30 forca policore, 35 të ndërhyrjes së shpejte, 30 punëtorë të Bashkisë së Dropullit dhe disa vullnetarë që janë banorë të zonave përreth.  

Edhe pse shiu një ditë më parë fiku vatrat më të mëdha në Kukës, një vatër në zonën e njohur si Laku i Mollave vijon të jetë aktive dhe po përhapet për shkak të erës së fortë në zonë. Terreni i vështirë dhe i thepisur  e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka dhe ka nisur ndërhyrja nga ajri.  Sakaq shiu dhe breshëri që përfshinë dje qarkun e Kukësit kanë ndihmuar në shuarjen e vatrave të zjarrit. Ilmi Lisha koordinator i Përgjithshëm i Prefekturës Kukës në një prononcim për media ka folur në lidhje me situatën aktuale të zjarreve në vend.

Lisha tha se në përgjithësi zjarret janë fikur, por në Lakun e Thive dhe në Lakun e Mollave ka disa mbetje zjarri, për të cilat po merr masat bashkia që të asgjësohet përfundimisht zjarri. Lisha tha se ende nuk kemi një bilanc përfundimtar të djegieve nga zjarri, por dëmet janë të konsiderueshme.

‘Në përgjithësi të gjitha zjarret janë fikur. Nga verifikimet që janë bërë në Lakun e Thive dhe Laku i Mollave ka disa mbetje zjarri, dhe po merren masat bashkia me forcat e veta për ta asgjësuar përfundimisht zjarrin. Bashkia ka çuar forcat për t’i izoluar. Nuk është e domosdoshme ndërhyrja nga ajri. Verifikimet vazhdojnë të bëhen, nuk kemi ende një bilanc përfundimtar, por besoj është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme.’- tha Lisha.

Ndërkohë shiu i rënë ditën e djeshme ka bërë të mundur shuarjen e dy vatrave të zjarrit në Thirrë dhe Munellë të Bashkisë Mirditë. Vetëm një vatër aktive ka mbetur në fshatin Patalej të Bashkisë Lezhë, teksa ka nisur ndërhyrja nga ajri për të fikur zjarrin. Zjarrfikësit, ushtria dhe shërbimi pyjor vijojnë të jenë në terren për monitorimin e situatës dhe shuarjen e vatrës aktive.

Referuar bilancit paraprak të zjarreve për qarkun e Lezhës, deri më tani rreth 150 hektarë shkurre e kullota janë përfshirë nga flakët, ndërsa 80 hektarë janë djegur plotësisht. Dëmet më të madhe llogariten në Thirrë dhe Munellë të Mirditës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:10
Zjarr në malin Partizan në Berat, dyshohet i qëllimshëm, po punohet për kapjen e autorit

Një vatër zjarri është konstatuar mbi kurorën me pisha në malin Partizan, menjëherë kanë mbërritur zjarrfikësit e Beratit ku kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të vatrës së zjarrit. Kjo është zjarrvënia e qëllimshme e dytë për ditën e sotme. Nga ana e policisë po punohet për kapjen e autorit të zjarrvenies në kurorën me pisha në malin Partizan ku është dhe frymëmarrja e qytetit të Beratit.

Ora 20:35
Mbrojtja Civile në Kukës: Zjarri në Lakun e Thive dhe Lakun e Mollave po mbahet nën kontroll, nesër kërkohet përsëri ndërhyrje nga ajri

Komisioni i Mbrojtjes Civile në Kukës ka bërë me dije se zjarri në Lakun e Thive dhe Lakun e Mollave është mbajtur nën kontroll ditën e sotme falë ndërhyrjes nga ajri. Megjithatë zjarri nuk është shuar dhe përsëri nevojitet ndërhyrja nga ajri.

“Megjithë punën e bërë nga forcat zjarrfikse të bashkisë Kukës dhe forcat e DMR-së Kukës  për mbajtjen nën kontroll të saj. Si rezultat i ndërhyrjes me Helikopter u rivendos nën kontroll vatra e zjarrit duke i ullur intensitetin zjarrit.

Terreni është shumë i vështirë për të ndërhyrë me forca tokësore, prandaj është e domosdoshme  dhe një ndërhyrjes tjetër nga ajri. Helikopteri sot bëri 6 hedhje me ujë.Nga Prefektura Kukes eshte bere kerkese per nderhyrje perseri nga ajri per nesër”, thuhet në njoftim.

Ora 19:22
I vunë zjarrin një sipërfaqeje toke, digjen ullinjtë në Berat! Flakët rrezikonin banesat, vihen nën kontroll

Një zjarr i është vënë një sipërfaqeje toke pranë ish Uzinës së Baterive në Berat. Zjarri i qëllimshëm është favorizuar nga era e fortë, duke u përhapur në një sipërfaqe të madhe, aq sa ka hyrë edhe në një parcelë të mbjellë me ullinj.

Flakët kanë rrezikuar edhe banesat aty pranë, por fatmirësisht zjarrfikësja ka ndërhyrë në kohë duke i vënë nën kontroll.

Policia vijon hetimet për kapjen e piromanit, që për pak desh i vuri flakën banesave të zonës.

Ora 18:20
Era përkeqëson zjarrin në Lakun e Mollave në Kukës, ndërhyhet nga ajri

Vatra e zjarrit në zonën e njohur si Laku i Mollave në Kukës po përhapet për shkak të erës së fortë në zonë. Edhe pse shiu një ditë më parë fiku vatrat më të mëdha në Kukës, kjo vatër vijon të jetë aktive, ndërsa po përkeqësohet për shkak të erës.

Terreni i vështirë dhe i thepisur  e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka dhe ka nisur ndërhyrja nga ajri.

Ora 18:09
Gjirokastër/ Aktivizohet vatër zjarri në fshatin Memaliaj, shpërthejnë municione luftarake

Aktivizohet një vatër zjarri në fshatin Memaliaj, pjesë e bashkisë Memaliaj.  Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikëset, por terreni është mjaf i vështirë. Po punohet për mbajtjen larg të flakëve nga banesat ndërsa ka patur edhe shpërthim të municioneve luftarake.

Ora 16:38
Prefekti i Gjirokastrës: Zjarri ka rënë afër zonës kufitare, kërkuam ndihmë nga Greqia! Terreni i vështirë, nevojitet helikopter për të shuar flakët

 

Prefekti i Gjirokastrës Odise Kote në një intervistë për Report TV ka dhënë detaje për situatën në të cilën ndodhet fshatin Radat i cili është përfshirë në flakë ditën e sotme. Kote tha se kanë njoftuar ambasadën dhe konsullatën greke në Gjirokastër pasi zjarri është afër kufirit shtetëror. Për shuarjen e flakëve Kote thekson se kanë kërkuar helikopter pasi terreni është shumë i vështirë.

“Jemi duke ndjekur nga afër operacionin në fshatin Radat. Kemi organizuar të gjitha forcat e prefekturës së qarkut Gjirokastër. Eshte duke ardhur dhe zjarrfikësja e bashkisë Përmet.  I kemi bërë njoftim sipas kërkesës së bashkisë Dropull ministrisë së mbrojtjes dhe drejtorisë së përgjithshme të emergjencave që të dërgojnë helikopter. Kemi njoftuar ambasadën Greke dhe konsullatën greke në Gjirokastër pasi zjarri është mbi fshatin Radat, përafërsisht në kufirin shtetëror. Kemi marrë masa për të ruajtur banesat dhe për të shmangur zjarrin nga këto banesa. Po përpiqemi me të gjitha mënyrat që të shuajmë zjarrin. Terreni është malor. Është një rrezik shumë i madh për shkak të terrenit malor. Jemi shumë afër majës së malit.Maja e malit mështë dhe kufiri që ndan 2 vendet”, tha Kote.

Ora 15:08
Shmanget rreziku për banesat në Dropull, nga flakët kanë shpërthyer disa predha të Luftës së Dytë Botërore

 

Nuk ka më rrezik për banesat në fshatin Radat të Dropullit në Gjirokastër. Pas ndërhyrjes së madhe të zjarrfikësve dhe banorëve të zonës është shmangur rreziku i madh për zonën e banuar flakët janë në një tjetër drejtim.

Gazetari i Report Tv Piro Nase raporton se 7 ose 8 predha kanë shpërthyer nga flakët që kanë rrezikuar jetën e atyre që ishin në luftë me flakët.

Predhat dyshohet se kanë qenë të trashëguara nga Lufta e Dytë Botërore.

 

Ora 14:03
Situata kritike në fshatin Radat të Dropullit, flakët hyjnë në zonën e banuar, 3 zjarrfikëse në vendngjarje

Situata paraqitet shumë kritike në fshatin Radat në Dropull me flakët. Zjarri ka përfshirë tashmë edhe zonën e banuar. Zjarrfikësit e Dropullit, Libohovës dhe Gjirokastrës po luftojnë me flakët për të shuar dhe neutralizuar zjarrin. Po ashtu në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë.

Ora 13:38
Situata me zjarret, Ministria e Mbrojtjes: Pak vatra të pashuara në veri të vendit, po punohet për izolimin e flakëve

 Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me situatën e zjarreve në vend. Mbrojtja bën me dije se zjarret janë shuar në pjesën më të madhe të vendit, ndërkohë që ka edhe pak vatra të pashuara. Zjarret aktive janë kryesisht në veri të vendit, në bashkinë e Lezhës, Mirditës, Kukësit si dhe të Pukës, ku po punohet për vënien nën kontroll të flakëve.

‘Në të gjithë vendin kanë mbetur pak vatra zjarri ende të pashuara, ndërsa tashmë është fituar beteja në Karaburun e Dukat. Të gjitha vatrat që ishin në fshatrat Thirrë, Munellë e Domgjon në bashkinë Mirditë janë shuar.

Mbetet ende një vatër në fshatin Patalej në bashkinë Lezhë, ku është angazhuar edhe një mjet helikopter për shuarjen e flakëve nga ajri. Por situata është nën kontroll.

Në Majën e Rrunës, në njësinë administrative Malzi të Kukësit situata është nën kontroll. Po punohet për shuarjen përfundimtare edhe të disa vatrave të vogla.

Është raportuar një vatër zjarri në zonën pyjore, në malin e Tërbunit në Pukë, ku janë angazhuar forcat e shërbimit pyjor, të zjarrfikëses, Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe banorë të zonës për të vënë situatën nën kontroll.’- njofton Ministria e Mbrojtjes.

Ora 12:56
Zjarr i madh në Dropull, dyshohet se është vendosur nga dy barinj që po kullosnin bagëtitë

Një vatër e madhe zjarri është konstatuar para pak minutash në fshatin Radat, bashkia Dropull, në kufi me Greqinë.

Mendohet se zjarri është vendosur nga dy barinj që po kullosnin bagëtitë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e zjarrfikëses së Dropullit për të shuar vatrën e krijuar.

Ora 12:09
Zjarri në Patalej të Lezhës, helikopteri nis ndërhyrjen nga ajri, vatra prej 1 jave aktive

Nis ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit në fshatin Patalej të Njësisë Administrative të Kolshit në Lezhë.

Një helikopter po hedh ujë për shuarjen e flakëve të cilët vijojnë prej rreth 1 jave, duke djegur sipërfaqe të mëdha me kullota e shkurre në këtë zonë.

Ora 10:21
Shiu shuan zjarret në Mirditë, vetëm një vatër aktive në fshatin Patalej të Lezhës

 

Shiu që ka rënë ditën e djeshme ka shuar dy vatrat e zjarrit në Thirrë dhe Munellë të Bashkisë Mirditë. Sipas të dhënave zyrtare të Emergjencave Civile bëhet me dije se aktualisht është vetëm një vatër zjarri aktive në fshatin Patalej të Bashkisë Lezhë, pasi kjo zonë nuk është prekur nga reshjet. Në këtë zonë pritet që të ketë ndërhyrje nga ajri në mënyrë që të shuhet dhe kjo vatër.

Referuar bilancit paraprak të zjarreve për qarkun e Lezhës, deri më tani rreth 150 hektarë shkurre e kullota janë përfshirë nga flakët, ndërsa 80 hektarë janë djegur plotësisht. Dëmet më të madhe llogariten në Thirrë dhe Munellë të Miditës.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Heu bre!: 12/08/2021 23:44

    O shtet l.shi pse nuk i zgerlaq kta piromanet???? Po zjarret pse u vonut aq shum me i fik???? Po ju o pirom.ta pse i vini zjarmin venit tuj apo ikni nGjermani masanej????Plehna jeni per burg te gjat se vdiqen nja dy nga zjarri qe u vu nga Gjinokastra..kriminela

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja