“Roli juaj për rimëkëmbjen shpirtërore, rikthimin e shpresës, forcimin e solidaritetit e kurajës në kapërcimin e momenteve më të vështira që ka kaluar dhe kalon populli ynë është shumë i vyer”,  kështu është shprehur Presidenti Ilir Meta në një takim me Këshillin Ndërfetar në Shqipëri.

Ndër të tjera Meta ka shkrua se situata tragjike pas tërmetit, duhet të ketë një moment reflektimi për një shoqëri në paqe me shpresë dhe solidaritet.

Presidenti Meta i falënderoi Krerët e Bashkësive fetare për reagimin e tyre të menjëhershëm, duke u gjendur pranë njerëzve në këto momente të vështira dhe vlerësoi mbështetjen e tyre të pazëvendësueshme shpirtërore, morale dhe psikologjike.

“Situata tragjike dhe kjo krizë e rëndë humanitare për të gjithë shoqërinë tonë duhet të shërbejë si një moment jo vetëm reflektimi por edhe pajtimi për të qëndruar së bashku në ndërtimin e një të ardhme me paqe, shpresë e dashuri, si një fillim i ri që vendi të ringrihet, jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht dhe psikologjikisht”, - ishte mesazhi i përbashkët i Kryetarëve të Bashkësive fetare në takimin me Presidentin e Republikës.

Kreu i Shtetit kërkoi që të verifikohen dhe të evidentohen të gjitha objektet e kultit të dëmtuara nga tërmeti, në mënyrë që në një kohë sa më të shpejtë të mundësohet rikthimi i tyre në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë.