TIRANË-Të gjitha gjobat e vendosura deri tani nga policia për këmbësorët dhe shoferët që thyen masat shtrënguese kundër përhapjes së koronavirusit falen nga qeveria. Gjithsej, tha kryeministri Edi Rama janë 7107 gjoba për këmbësorët dhe 1941 gjoba për drejtuesit e automjeteve, që u rikthehen patentat dhe makinat e bllokuara për të nisur nga java e ardhshme si të barabartë pas futjes në fuqi të Kodit Penal.

Ashtu sikur kishte paralajmëruar më parë, kreu i ekzekutivit publikoi masat e reja që do të futen në fuqi nga dita e hënë e javës së ardhshme për vajtjen në punë. E ndërsa theksoi se nesër do të publikohet lista e bizneseve që do të lejohen hapur lirisht nga java tjetër në fashën e orarit 05:00-17:30 ose me turne, Edi Rama u shpreh se të gjithë ata që kanë makinë private mund ta përdorin për të shkuar në punë.

Por me një kusht. Për makinën autorizimi do të jetë javor dhe nuk do të merret më në polici, por te e-Albania për një javë, pra do të jetë leje javore. Në makinë nuk mund të merrni më shumë se një person, që mund të jetë kolegu i punës, i cili duhet të qëndrojë në sediljen e pasme diagonal.  Gjithashtu javën tjetër do të lejohet lëvizja me makinë për arsye shëndetësore, por sërish vetëm me autorizim, të cilin duhet ta mbani me vete.

Pra, qytetarët nga e hëna nuk duhet të drejtohen më për të aplikuar për autorizime në policinë e shtetit, por vetëm te e-albania për lëvizjen me makinë në fashën e lejuar 05:00-17:30. Një lajm të mirë kryeministri e dha edhe për pensionistët, të cilët nesër, mund të dalin deri në orën 11:00 nga shtëpia, por jo të shoqëruar me më shumë se një tjetër person dhe nuk do të lejohet që të qëndrojnë në grup, por vetëm ecje në këmbë.

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nga kjo betejë për një periudhë 4 mujore, nga marsi në qershor parashikimi i qeverisë është për gjysmë miliardë humbje në buxhetin e shtetit. Në mars më konkretisht buxheti ka pasur një humbje prej 100 mln euro në mars, në prill 170 mln euro e ndërsa parashikohet që 170 mln euro të ketë humbje për muajin maj dhe 100 mln euro për muajin qershor.

Vendimet e reja që komunikoi kryeministri Edi Rama sot
Falen të gjithë gjobat e vendosura deri tani për këmbësorët e shoferët, kthehen patentat
Nga sot në 17:30 deri hënën në 05:00 të gjithë brenda (me përjashtim të pensionistëve)
Pensionistët do të lejohen të dalin vetëm nesër deri në orën 11:00
Nga java e ardhshme mos aplikoni më për leje (autorizim) në policinë e shtetit, por te e-Albania
Javën tjetër lejohet lëvizja me makinë për arsye shëndetësore, vetëm me autorizim (mbajeni me vete)
Nesër publikohet lista e bizneseve që do të lejohen javën tjetër lirisht, por me protokollin e sigurisë
Nga e hëna për të shkuar në punë me makinë merrni autorizim javor te e-Albania
Në makinë mund të merrni vetëm një koleg të punës (në sediljen e pasme diagonal)

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:04
Falja/ Rama publikon vendimin: Ata që paguan gjobat do u kthehen lekët



Kryeministri Edi Rama ka publikuar vendimin e Komitetit te Emergjencave për faljen e gjobave për këmbësorët dhe shoferët. Në vendim theksohet se të gjithë ata që e kanë paguar gjobën do u kthehet shuma.

"Gjobat, patentat e marra për 3 vjet dhe makinat e bllokuara po ashtu për shkelje gjatë këtyre javëve, do t'u kthehen të ndëshkuarve, jo sepse nuk gabuan, po sepse sidoqoftë jemi një familje në një situatë të jashtëzakonshme, ku edhe ata që u nxituan meritojnë sot teksa lufta vazhdon, një shans të dytë në vend të një halli më shumë!

Uroj që as ata të mos e përsërisin dhe as të tjerë të mos bëjnë të njëjtin gabim, sepse me hyrjen në fuqi të kodit të ri penal, askush nuk mund të justifikohet e të tolerohet më, teksa hapja graduale i bën shkeljet edhe më të rrezikshme për shëndetin e popullit..." shkruan ai.

Ora 16:40
Rama: Gjysmë miliardë euro humbje nga beteja me COVID-19 për 4 muaj! 270 vetëm për muajin mars dhe prill

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nga kjo betejë për një periudhë 4 mujore, nga marsi në qershor parashikimi i qeverisë është për gjysmë miliardë humbje në buxhetin e shtetit! Në mars më konkretisht buxheti ka pasur një humbje prej 100 mln euro, në prill 170 mln euro e ndërsa parashikohet që 170 mln euro të ketë humbje për muajin maj dhe 100 mln euro për muajin qershor.

"Javën e ardhshme duhet të fillojmë të përgatitemi për t'u hapur të gjitha kategoritë që do të hapen më 27 prill. Nga java e ardhshme, pasojat e shkelësve për rregullat, në radhë të parë për lokalet e trimave të lagjes që hapen fshehurazi do të jenë maksimale. Unë dhe kjo qeveri do të bëjmë gjithçka që t'u gjendemi pranë gjithkujt, por mbajeni parasysh, kjo shtëpi, ky shtet ka humbur si rezultat i kësaj lufte 100 mln euro në muajin mars. 170 mln në prill dhe me gjasë do të humbasë 170 mln në maj dhe 100 mln në muajin qershor, që është në total gjysmë miliard euro, nuk po ju qahem dhe as po ankohem. Por nuk do të thotë se do ju harrojmë, por thjesht po ju them se edhe në shtëpinë tonë të madhe janë goditur dhe duke marrë parasysh se sa shumë po bëjmë, të ardhurat janë goditur fort. Unë dua që ju të merrni më shumë nga sa kërkoni, se sot ju jeni më shumë se kurrë familja ime, por kam përgjegjësinë se kjo shtëpi të ketë dinjitet. Mos dëgjoni ato që detin e kthejnë në kos! Ne do të fillojmë këtë luftë dhe ne do ta kuptojmë se sa e mirë mund të jetë Shqipëria", tha Rama.

Ora 16:38
Rama: Nesër zbulojmë bizneset që do të lejohen lirisht nga java tjetër, por me këtë kusht

Kategoritë e bizneseve që do të lejohen lirisht nga java e ardhshme do të publikohen nesër nga qeveria, por me një kusht, që administratorët të respektojnë protokollin e sigurisë. "Javën e ardhshme do të punojnë krejt lirisht brenda fashës së përcaktuar nga 05:00-17:30 apo me turne, të gjitha ata që nga nesër paradite do të jenë në kategoritë e lejuara që do të publikohen në faqen e e-Albania. Të gjitha bizneset në të gjitha këto kategori duhet të sigurohen që në cdo kolektiv të mësohet se cilat janë detyrat dhe të respektohet protokolli i sigurisë sipas rregullave të përcaktuara, por edhe të mësojnë pasojat penale për shkelësit e këtyre rregullave" tha Rama.

Ora 16:33
Rama u jep leje pensionistëve: Nesër mund të dilni por me këto kushte

Nesër deri në orën 11:00 kur të gjitha kategoritë e tjera janë brenda në karantinë, pensionistët lejohen që të dalin nga shtëpia, por jo duke qëndruar më shumë se me një tjetër person. "Nesër pensionistët do të mund të dalin, jo për vizita, as për domino, as për ulje të rrezikshme në grup, por për ajrosje, ecje deri në orën 11:00 paradite, jo më shumë se me një tjetër pensionist, por duke ruajtur distancën" tha Rama. 

Ora 16:33
Rama: Ja si mund të lëvizin me makinë ata që kanë probleme shëndetësore

Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte edhe për lejimin e lëvizjen me makinë për të gjithë ata që kanë arsye shëndetësore, por me një kusht që dokumentin mjekësor duhet ta mbajnë me vete në automjet. "Po ashtu javën e ardhshme do të autorizojmë edhe lëvizjen me automjet për arsye shëndetësore, duke parë që shpesh, unë personalisht apo të tjerë kemi ndeshur në ankesa legjitime, por autorizimi duhet të mbështetet te një dokument mjekësor që drejtuesi i makinës duhet ta mbajë me vete. Leje marrësi duhet ta lexojë mirë pasojën penale" tha Rama.

Ora 16:32
Rama: Nga java e ardhshme s'ka më leje në polici! Vetëm në e-Albania për çdo makinë personale që shkon në punë! (RREGULLAT)

Kreu i qeverisë tha se nga java e ardhshme çdo qytetar do të mund të dalë me makinë personale për të shkuar dhe për të ardhur nga puna, duke hequr kështu autorizimet që deri më tani merreshin edhe në polici. Rama tha se do të lejohet vetëm një person tjetër pasagjer që duhet të jetë patjetër koleg i së njëjtës punë. Ai shpjegoi edhe mënyrën se si duhet të ulen në makinë. 

"Javën e ardhshme në platformën e-albania do të merret autorizim javor për ata që janë në punët e lejuara dhe automjeti mund të lëvizë për vajtje ardhje në punë me vetëm një person në sedilejn e pasme diagonal i cili mund të jetë vetëm një koleg në të njëjtin vend pune. Kush merr leje duhet ta lexojë mirë pasojën penale që vjen. Ne do të bëjmë që nesër, mbase që sot mbasdite, një test dhe do të provojmë mirëfunksionimin e këtij instrumenti që i jep fund një faze në policinë e shtetit, me e-mail ku për shkak të shtrëngesave dhe kujdesit ka pasur masivisht refuzime, edhe mospërgjigje që kanë shkaktuar dhimbje koke. Ndjesë për to, por shëndeti mbi të gjitha", tha Rama.

Ora 16:22
Rama: Çfarë më thanë kancelarja e Austrisë dhe kryeministri i Suedisë në telefon për masat e COVID-19

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se ka pasur një bisedë telefonike me Kancelaren e Austrisë dhe kryeministrin e Suedisë, lidhur me hapat që do ndjekë vendi ynë në ditët në vijim, Ai tha se ka marrë komplimente nga ato, pasi vendi ynë ka bilancin më të mirë të mundshëm.

"Kush do të jetë njësh me interesin e popullit do ta paguajë me të gjitha pasojat e rënda edhe penale, sepse asnjë hapje nuk mund të kthehet në hapje rruge për infektimin e njerëzve nga drejtues të pabindur nga sipërmarrës apo dyqanxhi për të mbrojtur shëndetin e konsumatorit.  Kam komunikuar me Kancelaren e Austrisë dhe kryeministrin e Suedisë. të dy më kanë komplimentuar për bilancin e Shqipërisë në këtë situatë sepse është fakt që Shqipëria ka bilancin me bilancin më të mirë të mundshëm në këtë luftë botërore. Ju e dini e kam thënë Austria ka një strategji të ngjashme me ne, ndërsa Suedia krejt të ndryshme, por edhe nga të gjitha vendet e botës. Dëgjova dhe shënova me vëmendje opinionet që më vlejnë sikundër edhe opinionet e marra nga ata dhe miq të tjerë për të verifikuar planin e hapjes mbi bazën e informacioneve të marra nga udhëheqës që janë në vijën e parë të luftës. Dy janë gjërat me shumë rëndësi. E para hapja graduale, ka të panjohurën e saj, do të thotë ka riskun e saj, që d të thotë ekziston mundësia e rikthimit ku jemi nëse numri i infektimeve do të rritet jashtë parashikimeve. Pra, të jemi të qartë asnjë vend asnjë teori nuk thotë se për sa kohë ka jetë, infeksioni do të zhduket pa dalë vaksina. Mund të thuhet se që kur ka nisur kjo përballje, shoqëritë tona do të bashkëjetojnë me rrezikun e infektimit, se e asgjëson vetëm vaksina. Dy, distancimi social i gjithë secilit, respektimi i rregullave kryesore duhet të respektohen jo duke menduar policnë, Kodin penal, por duke menduar prindërit, fëmijët, të afërmit tanë. Nuk është kohë për t'ia hedhur shtetit, por për të futur mirë në kokë që çdo shkelje mund të sjellë pa dashje një vdekje, larg qoftë brenda familjes. Dje Trump tha një fjali "kemi mësuar shumë gjatë këtyre javëve". imagjinoni e thotë këtë njeriu që ka pas vetes shtetit me fuqinë më të madhe", tha Rama.

Ora 16:20
Rama: Falen të gjithë gjobat e vendosura deri tani për këmbësorët e shoferët, kthehen patentat

Qeveria ka vendosur që të falë të gjitha gjobat që janë vendosur deri tani për këmbësorët dhe për shoferët që kanë shkelur masat e vendosura mbi koronavirusin. Kryeministri Edi Rama u shpreh se e ka marrë këtë vendim, pasi javën që vjen futet në fuqi Kodi i ri Penal dhe të gjithë duhet të startojnë të barabartë, por nuk ka kthim më pas.

"Ka disa tipa që nuk ndryshojnë dhe nuk reflektojnë në asnjë kohë dhe për asnjë arsye sepse nuk i lë injoranca apo vetëdija e gabuar se mund t'u japin mend të tjerëve. Këta tipa qofshin ngelësa tipik, apo analistë, që jo vetëm janë gjithnjë kundër, por janë njëlloj në gatishmëri për të akuzuar u hodhën përpjetë nga mbushja e një vakumi në kodin tonë penal, që deri dje nuk kishte asnjë resht për një situatë epidemie, nuk kam problem me ta, e kanë me veten, por as Zoti nuk ua zgjidh dot derisa të kenë frymë. Kodi Penal ka një qëllim, mbrojtjen e jetës dhe abuzimet që mund të kërcënojnë dhe rrezikojnë secilin prej jush.

Sot dua t'u jap një provë të thjeshtë, se ndëshkimet nuk janë plan për t'u bërë si Enveri sikur më akuzojnë për domosdoshmëri për të forcuar. Janë ekzekutuar deri tani 7107 gjoba për këmbësorët dhe 1941 gjoba për drejtues automjeti. Të cilat janë shoqëruar me pezullim të lejes së drejtimit për tre vite dhe bllokim të makinës. Ne sot kemi vendosur mos ekzekutimin e këtyre gjobave dhe kthimin e të gjitha patentave dhe të gjitha mjetet e bllokuara. Javën e ardhshme me hyrjen në fuqi të Kodit të ri penal le të startojnë të gjithë të barabartë" tha Rama.

Ora 16:18
Rama: Askush nuk ka vdekur për bukë që nga koha e Skënderbeut! Kemi ngritur operacion më të madh humanitar në 30 vitet e fundit

Kryeministrit Edi Rama ka bërë me dije se në këtë periudhë, Shqipëria ka ngritur operacionin më të madh humanitar në 30 vite, teksa është shprehur se është i vetëdijshëm që mun të ketë pasur abuzime apo që mund të mos jenë ndihmuar të gjithë.

"Po të kishim hyrë në spitrale e një infektimi progresiv të mjekëve dhe akoma më tepër sot jo vetëm nuk do flisnim për hapjen, ku do vuanin ankthin e mbylljes në shtëpi, 1500 të vdekur në 90 ditë! Së pari dua të ndjeheni vërtetë mirë, që sot kemi mbërritur këtu dhe më besoni se stresi ekonomik do ishte ku e ku më lartë, nëse nuk do kishim bërë këtë. Askush nuk është i dëshpëruar se ia kemi dalë mrekullisht. Dhe ja ku jeni shëndoshë e mirë dhe kjo nuk është pak, por është shumë. Disa nga ju mërziten kur u them se askush nuk ka vdekur për bukë që nga koha e Skëndërbeut, është një e vërtetë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka familje të varfra, aq më tepër në këto kushte. Ndjesë për përsëritje, po si jua ha mendja atyre që thonë "po vdes populli për bukë". Kishte më shumë bukë gjatë luftës Nacional Clirimtare, mund të duket i tepruar si krahasim, por është i vërtetë! Atëherë bëhej me racion blerja në dyqane, ku kishte vetëm presh dhe patate me bollëk dhe as në luftë dhe as më pas, askush nuk vdiq për bukë. Mbase nuk kemi arritur t'i ndihmojmë të gjithë Mbase ka pasur edhe abuzime, por po të shikoni listat të njerëzve që janë ndihmuar me ushqim do të besoni si unë që kemi ngritur operacionin më masiv të mbështetje së njerëzve në 30 vite", tha Rama.