Një tërmet i fortë me magnitudë 5.3 të shkallës Rihter goditi rreth orës 22:15 të mbrëmjes së të shtunës, jugun e vendit.
 
Lëkundjet janë ndjerë në Korçë, Gjirokastër, Vlorë si dhe Sarandë. Epiqendra e tërmetit prej 5.3 ballë, ka qenë në Greqinë Veriore, në afërsi të Janinës, ndërsa forca e tij është përhapur edhe në territorin shqiptar.
 
Mësohet se lëkundjet kanë zgjatur disa sekonda, çka ka shkaktuar edhe panik te qytetarët.
 
Tërmeti është ndjerë edhe në qytete të tjera si në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Ndonëse lëkundjet kanë qenë me intensitet të fortë, nuk kanë shkaktuar të lënduar apo dëme materiale.
 
Gjë kjo e konfirmuar edhe nga Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, i cili u shpreh për Report Tv  se nuk ka raportime për të lënduar apo dëme, ndërsa theksoi se situata po ndiqet me vëmendje dhe po mbahen kontakte me bashkitë dhe prefekturat e prekura nga tërmeti.
 
Ai këshilloi qytetarët e zonave të prekura nga lëkundjet që të shmangin banesat e armotizuara.


Zhvillimet minutë pas minute nga tërmeti në kufirin greko-shqiptar

Ora 13:00 Disa këshilla/ Si mund të mbrohemi nga tërmetet
Lëkundjet e tërmetit janë një dukuri e zakonshme, por rreziku prej tyre mbetet permanentet në çdo rast, në vrasi të fuqisë së goditjes.
 
Dy tërmete kanë rënë dje në Maqedoni duke shkaktuar panik dhe duke alarmuar qytetarët maqedonas dhe jo vetëm.
 
Lëkundjet sizmike vijnë disa ditë pasi disa tërmete të fuqishme goditën Italinë qendrore me pasojë 290 të vdekur.
 
Por si mund të mbrohemi nga tërmetet?
 
Këto janë disa këshilla për të minimizuar dëmet, ndër to edhe fatale:
 
-Uluni menjëherë në dysheme dhe mblidhni duart dhe krahët, përpara se tërmeti të ju rrëzojë,
 
-Mbuloje kokën dhe qafën dhe të gjithë trupin nëse është e mundur, duke u ulur poshtë një tavoline apo poshtë ndonjë mobilie që nuk mund të rrëzohet mbi ty,
 
-Nëse afër jush nuk ka asnjë mobilie mund të uleni dhe të mbuloni kokën dhe qafën pranë një muri të brendshëm,
 
-Nëse ndërtesa juaj është ndërtesë e re, mos rrini pranë derës,
 
-Mbahuni fort pas një mobilieje të rëndë,
 
-Kur nisin lëkundjet gjëja më e mirë që duhet të bëni është të mos lëvizni nga njëra dhomë në tjetrën. 

Ora 12:20 Sizmologu: Tërmeti dje i ngjashëm si ai në Itali, por pa rrezik në Shqipëri
Sizmologu Rrapo Ormeni në një lidhje telefonike për Report Tv deklaroi se pas lëvizjeve dje, pritet që të ketë edhe të tjera sot, por me një itensitet më të vogël dhe pa asnjë rrezik.
 
Sipas sizmologut, lëkundjet më të fuqishme ishin në Greqi, ndërsa tërmeti sipas tij është i ngjashëm me atë në Itali në fund të gushtit, por më i vogël dhe pa rrezik.
 
'Tërmeti është me magnitudë 5.5 ballë. Kur një tërmet është i kësaj magnitude shoqërohet me tërmete të tjera me itensitet të vogël, nuk do të kenë rrezik dhe ndjeshmëri të madhe.
 
Lëkundjet mund të vazhdojnë edhe sot, ose nesër por me itensitet të vogël nuk do të kenë rrezik për vendin tonë, pasi goditja kryesore është ndjerë në Jug ne Greqi.
 
Ky është si tërmeti në Itali në fund të gushtit, por ai ishte i një shkalle më të madhe, ndërsa ky është i një shkalle më të vogël
" deklaroi ai.
 
Kujtojmë që në Itali në muajin gusht nga një tërmet i fuqishëm në Amatriçe humbën jetën mbi 300 persona, ndërsa qyteza u fundos. 

Nga lëkundjet e tërmetit mbrëmë u prek Jugu i Shqipërisë, pasi epiqendra ishte Greqia, ndërsa nuk ka pasur asnjë dëm. 



Ora 08:20 Tërmetet, kreu i Emergjencave Civile, Premçi: S'ka raportime për dëme 



Ora 08:05 Tërmetet në jug, qytetarët e gdhijnë jashtë nga paniku
Të gjendur në panik nga tërmetet e shumta që kanë rënë gjatë orëve të mbrëmjes së të shtunës dhe deri në të gdhirë të ditës së diel, banorët e Gjirokastrës, kanë preferuar ta kalojnë natën jashtë duke mos vënë gjumë në sy.



Ora 01:15 Regjistrohen të tjera lëkundje tërmeti në Gjirokastër dhe Vlorë

Ora 00:44, Raportohet për dy banesa të shembura në Memaliaj
Dy banesa të pabanuara mësohet te jenë shembur nga lëkundjet e tërmetit në Memaliaj. Familjarët e tyre ndodhen jashtë shtetit. 

Ora 23:10, Dëme të konsideruesdhme materiale në Veri të Greqisë
Mediat greke raportojnë për dëme të konsiderueshme materiale të shkaktuara nga tërmeti, në Veri të Greqisë. Raportohet për banesa të shembura në rajonin e Janinës. Nuk ka të dhëna për të lënduar në jetë njerëzore. 

Ora 22:47 Kreu i Emergjencave Civile, Premçi: S'ka raportime për dëme 
Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, u shpreh në një lidhje telefonike për Report Tv se tërmeti nuk ka shkaktuar dëme në jetë njerëzore apo dhe materiale në territorin shqiptar. 

Prençi tha se tërmeti i cili goditi Greqinë Veriore ka pasur një magnitudë prej 5.6 ballë të shkallës rihter. Ai theksoi se tërmeti është ndjerë në qytetet e Jugut dhe juglindjes së Shqipërisë, çka ka shkaktuar panik mes qytetarëve. 

"Deri në këto momente nuk ka asnjë dëm të shkaktuar në territorin shqiptar. Është ndjekur situata dhe epiqendra e tërmetit ka qenë në Greqi. është ndjerë në qytetet e jugut dhe juglindjes së Shqipërisë. Nuk ka raportime për dëme në territorin shqitpar. Po mbajmë kontakt me shërbimet e emergjencës civile greke, për të konstatuar dëmet e shkaktuara në zonën e Janinës. Po marrim informacione të vazhdueshme nga Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile dhe në fakt, nga informacionet ka panik nga qytetarët, por nuk ka dëme nga ky tërmet", u shpreh Prençi. 

{Ai këshilloi qytetarët e zonave të prekura nga lëkundjet që të shmangin banesat e armotizuara dhe të qëndrojnë të paktën 60 minuta jashtë tyre. 

"Të qëndrojnë 60 minuta në shesh, të shmangin banesat e amortizuara, për t'i paraprirë kështu lëkundjeve të dyta apo të treta nga tërmeti", theksoi Prençi. 

Ai shtoi gjithashtu se bashkitë dhe prefekturat e prekura nga lëkundjet po raportojnë për situatën. 

Prençi tha se ende nuk ka informacione të detajuara nëse tërmeti ka shkaktuar dëme njerëzore apo materiale në Greqinë Veriore, aty ku ishte edhe epiqendra e tij. 

"Në Greqi tërmeti është raportuar 5.6 ballë shkalla rihter. Por ende nuk kemi informacione nëse ka dëme të shkaktuara atje", tha Prençi.