Pandemia COVID-19 ishte ngjarja shëndetësore më tronditëse e brezit tonë. Ajo preku njëkohësisht trupin, mendjen dhe strukturën e shoqërisë, duke e kthyer shëndetin nga çështje individuale në përvojë kolektive globale. Spitalet u bënë vija e parë e një lufte të panjohur, institucionet u përballën me presion të paprecedentë, ndërsa shoqëria u detyrua të jetonte për muaj të tërë mes frikës, pasigurisë dhe kufizimeve që askush nuk i kishte provuar më parë.

Le të jemi të qartë që në fillim. Pandemia nuk ishte një eksperiment i kontrolluar. Nuk ishte as skenar trajnimi, as ushtrim teorik. Ishte një ngjarje ekstreme, globale dhe e papërsëritshme, ku vendimet u morën me informacion të paplotë, nën presion kohe,frike kolektive dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme. Mjekësia u detyrua të vepronte në kohë reale, politika të improvizonte balanca të pamundura dhe qytetarët të përballeshin me një realitet që ndryshonte çdo ditë. Ishte një krizë shëndetësore, por edhe një provë e karakterit njerëzor dhe institucional.

Kush sot e gjykon atë periudhë me qetësinë e retrospektivës bën diçka shumë njerëzore — por jo domosdoshmërisht të ndershme. Po, pati vdekje. Dhe çdo vdekje është tragjedi. Publiku sheh atë që i serviret. Shifrat pa kontekst janë fast-food informativ: ngopin titullin, jo mendimin.

Por ta shndërrosh numrin e tyre në provë morale për dështim është komoditet intelektual: kaosi reduktohet në fjali të shkurtra, të përshtatshme për tituj. Numrat pa kontekst ishin  statistikë; me kontekst - tragjedi globale. Ne jetuam të dytën, jo të parën.

COVID-i nuk testoi nëse sistemi ishte perfekt. Testoi nëse ishte i aftë të mos shembej.

Dhe sistemi nuk u shemb. U raskapit. U tendos. Gaboi. U korrigjua. Dhe vazhdoi të funksionojë, ndërkohë që shoqëria ishte në izolim, institucionet të mbyllura dhe frika qarkullonte më shpejt se virusi.

Në vijën e parë, mjekësia shqiptare nuk veproi në errësirë totale. Edhe pse SARS-CoV-2 ishte i panjohur, insuficienca respiratore ishte një gjendje e trajtuar më parë, me parime të konsoliduara trajtimi. Hipoksia, shunti, dëmtimi alveolo-kapilar dhe stuhia inflamatore nuk u shpikën në vitin 2020. Oksigjenoterapia, ventilimi dhe kontrolli i inflamacionit u mbështetën mbi patofiziologjin pulmonare të njohur prej dekadash. Pikërisht për këtë arsye, në praktikë nuk u bë gabimi i shtangjes terapeutike. Shkenca nuk ecën duke pritur perfeksion; ajo ecën duke marrë përgjegjësi mbi parime të forta. Pikërisht për këtë arsye, në praktikë nuk u bë gabimi i mohimt të kortikosteroideve, ndryshe nga rekomandimet fillestare të disa autoriteteve ndërkombëtare, që në emër të kujdesit teorik vonuan një nga armët më efektive kundër stuhisë inflamatore. Shkenca nuk përparon duke pritur siguri absolute; ajo ecën mbi parime solide, edhe kur evidenca është ende në ndërtim.

Vetëm më pas, mbi këtë realitet të rëndë shëndetësor, u shfaq një epidemi tjetër — më pak e dukshme, por po aq përçarëse: infodemia.

Pandemia nuk solli vetëm një virus të ri. Ajo solli edhe një përmbytje informacioni, gjysmë-të-vërtetash, titujsh alarmues dhe opinionesh të pakontrolluara, ku frika u përhap më shpejt se vetë SARS CoV2. Në këtë kaos, e vërteta humbi peshë sa herë që nuk prodhonte audiencë. Infodemia nuk e pasqyroi panikun; ajo e prodhoi dhe e amplifikoi atë.

Si në çdo luftë, edhe kjo pandemi u moralizua artificialisht. I miri u shpall absolutisht i drejtë, i keqi absolutisht i lig. Nuk pati më nuanca, dyshime apo zona gri — pikërisht aty ku zakonisht qëndron shkenca. Fatkeqësisht, në këtë ndarje primitive të botës, në kampin e të ligëve përfunduan edhe disa banakë mediatikë, që në vend të analizës ofruan emocione, në vend të kontekstit  të përgjegjësisë spektakël. Pandemia nuk u raportua; u dramatizua

Çdo kufizim teknik u përkthye si represion. Çdo pasiguri shkencore si paaftësi apo komplot. Kjo nuk ishte gazetari — ishte tregti emocionale. Media nuk pasqyroi panikun; e prodhoi. Nuk e zbuti presionin; e amplifikoi. Dhe kur shoqëria jeton në ankth të përhershëm, vendimmarrjet  bëhen të brishta dhe të nxituara.

Ky kaos informacioni nuk mbeti pa pasoja klinike dhe njerëzore. Paniku i ushqyer nga infodemia u përplas mbi realitete tashmë të brishta.

Në hapësirat publike, ndërkaq, u shfaq një figurë tjetër problematike: eksperti i retrospektivës. Ai që nuk rrezikon kurrë, por që gjithmonë ka të drejtë pasi gjithçka ka ndodhur. Me qetësinë e informacionit , ai gjykonte vendimet e djeshme si të gabuara, duke e paraqitur pasigurinë si paaftësi dhe urgjencën si gabim. Ky luks intelektual u mohua atyre që vepruan në kohë reale, me jetë njerëzish në duar.

Po aq i dëmshëm ishte edhe zëri i pseudo-ekspertëve: opinionistë, gazetarë, madje edhe mjekë, që kaluan më shumë kohë në ekrane sesa në praktikë. Ata flisnin me siguri absolute për një sëmundje që askush nuk e njihte plotësisht, duke ndërtuar një iluzion kompetence që ushqeu konfuzionin publik. Zëri më i zhurmshëm u bë zëri dominues — jo sepse ishte më i ditur, por sepse ishte më i përshtatshëm për spektakël.

U dëshmua, si rrallëherë më parë, fuqia brutale e medias për të mbuluar me baltë gjithçka të mirë dhe, po aq shpejt, për të nxjerrë nga balta këdo tjetër — për ta shndërruar hiçin e ndërtuar me vite, në protagonist brenda një hap-mbyllje sysh. Lëndohemi kur e dimë të vërtetën dhe na shitet gënjeshtra si fakt, por ngushëllohemi me aforizmin e moçëm: jetojmë edhe për t’u gënjyer

Publiku meriton të vërtetën, jo versionin e shpejtë për titullin e nesërm. Dhe e vërteta zakonisht është më e gjatë se një scoop.

Praktika profesionale mjeksore na ka mësuar që në punë serioze nuk duhet të kërkojmë fajtorë, por zgjidhje. Fajtorët i duhen titujve, jo progresit.”

Duhet thënë po aq qartë edhe për suicidet. Suicidet në mjedise spitalore nuk janë fenomen i pandemisë. Ato raportohen çdo vit dhe renditen vazhdimisht ndër shkaqet kryesore të vdekjeve të klasifikuara si sentinel events, shpesh renditen nga vendi i tretë deri në të pestë apo të gjashtë. Ky fakt tregon jo një anomali episodike, por efektin e kufizuar realë të masave parandaluese, edhe në kushte normale funksionimi.

Ajo që pandemia bëri ndryshe ishte amplifikimi i panikut. Izolimi social, frika kolektive dhe presioni emocional i ushqyer nga infodemia dobësuan mekanizmat mbrojtës individualë dhe familjarë. Sepse pandemia nuk erdhi me manual triage për ankthin njerëzor. Dhe kush thotë të kundërtën, po shpik histori pas fakti. Fenomene të njohura dhe të studiuara prej vitesh u shfaqën më shpesh dhe më ashpër. Në këtë kontekst, ta paraqesësh suicidin si “suicid spitalor” apo si produkt të masave anti-COVID është një thjeshtim i rrezikshëm: ai ngatërron shkakun me vendndodhjen dhe zëvendëson analizën me akuzë.

Shpesh u hodh akuza: “Ju duket se po relativizoni përgjegjësinë?”

Jo. Ne refuzuam ta thjeshtojmë.

Sepse problemi nuk ishte relativizimi i dhimbjes, por deformimi dhe instrumentalizimi i saj nga një pjesë e medias, e cila e shndërroi vuajtjen njerëzore në material narrativ për audiencë dhe presion.

Të kërkosh përgjigje bardh e zi në një krizë shumëdimensionale nuk është kërkim i së vërtetës, por i një qetësie emocionale. Dhe kur këto të dy ngatërrohen, ajo që lind nuk është kuptimi, por narrativa. Përgjigjet e qarta janë për pyetje të thjeshta.  Pandemia nuk ishte njëra prej tyre.

Ne nuk mohojmë dhimbjen e familjeve dhe as tonen. Por refuzojmë ta reduktojmë atë në një përgjegjësi të thjeshtuar institucionale, të ndërtuar për konsum publik dhe jo për kuptim real. Dhimbja nuk ka nevojë për tituj. Ka nevojë për respekt.

Si në çdo luftë, edhe kjo pandemi nxori në pah natyrën e vërtetë të njerëzve. Në kushte të vështira, mirësia nuk u tkurr — përkundrazi, u bë edhe më e fortë, më e pastër dhe më e dukshme, sepse kërkonte sakrificë. Ndërsa ligësia, e çliruar nga normat, nga frika dhe nga përgjegjësia morale, filloi të bredhë më lirshëm.

Një kapitull më vete i kësaj krize ishte sjellja e shëmtuar njerëzore e një pjese të atyre që, të pajisur me një alfabet funksional dhe me platforma digjitale falas, vendosën të “villonin” gjithçka kishin grumbulluar në zorrët e frustrimit të tyre kundër bluzave të kaltra. Nga komoditeti i divanit, pas ekranit të telefonit, Facebook-u, Instagram-i apo TikTok-u u kthyen në kanale shkarkimi të mllefit, ku ofendimi zëvendësoi argumentin dhe cinizmi u shfaq si mendim kritik. Nuk ishte mosdije; ishte zgjedhje. Nuk ishte revoltë; ishte lehtësi morale.

Pandemia nuk e krijoi këtë profil — ajo e nxori në sipërfaqe. Ashtu si çdo cunam, ajo solli në dritë edhe shtresat e poshtme të shoqërisë, atë sediment njerëzor që në kohë normale mbetet i fshehur nën mirësjellje formale dhe heshtje oportuniste. Nën presion, kjo pjesë e llumit shoqëror gjeti zë, platformë dhe audiencë, duke e shndërruar agresionin verbal në identitet dhe baltën në mjet shprehjeje. Kjo nuk ishte kritikë qytetare, por agresion simbolik ndaj atyre që mbanin barrën reale — një mënyrë e ulët për të ndier veten të rëndësishëm, duke sulmuar ata që nuk kishin luksin të fshiheshin pas ekranit.

Në këtë pandemi, të gjithë dhanë diçka. Por pati edhe nga ata që dhanë gjithçka — madje edhe jetën. Disa u rritën profesionalisht para kohe; të tjerë kaluan sprovat më të rënda të ekzistencës së tyre, duke jetuar çdo ditë në dilemën mes make-up-it publik dhe ndershmërisë së vonuar, mes engjëllit të heshtur dhe bishës së paditur që shoqëria ushqen kur kërkon fajtorë. Këto histori nuk u bënë tituj.

Ishte një botë plot shamatë dhe zhurma  shtegu I ngushtë gomarësh. Paradoksalisht, fjalët, shikimet dhe buzëqeshjet mirënjohëse të pacientëve ishin mburoja jonë më e fortë kundër vuajtjeve shpirtërore raskapitëse.

Kjo pandemi na rriti profesionalisht. Na “krasiti” degët e mbetura në kohë — naivitetin njerëzor dhe idealet e paprovuara — dhe na zbuti shpirtin përmes vuajtjeve dhe zhgënjimeve nga ata te të cilët kishim besuar më shumë. Përmes sitës së karaktereve dhe njohjes së katakombeve të jetës, na trazoi mendjen, shpirtin dhe zemrën, por njëkohësisht na tregoi edhe shtegun që duhej ndjekur.

Dallgët e kësaj pandemie tronditën themelet e ëndrrave tona. Shpesh përmbytën rrugën ku ishim nisur dhe na humbën në labirintet e padrejtësisë, intrigës dhe gënjeshtrës. Në jetë kemi marrë shumë plagë, por kjo pandemi — përmes dhimbjeve, zhgënjimeve dhe mirënjohjeve të përjetuara si kurrë më parë — disa i urtësoi, të tjerë i plaku para kohe.

Këtu vjen pjesa që disa nuk e pëlqejnë: në një emergjencë globale, ka nga ata që punojnë për të kufizuar dëmin — dhe ka nga ata që punojnë për të maksimizuar emocionin. Të parët ishin në vijën e parë. Të dytët ndërtuan narrativën.

Pandemia kaloi.
Por sjellja njerëzore që ajo nxori në pah — ajo që u nderua dhe ajo që u deformua — nuk u bë kurrë titull.