Skënderbeu i Zadesë Nga arkivat
e Moskës në sallën e kuqe në Prishtinë

Skënderbeu i Zadesë Nga arkivat<br />e Moskës në sallën e kuqe në Prishtinë
TIRANE - “Skënderbeu” i Çesk Zadesë, vepra simfonike me një histori të pazakontë që nga shkrimi i partiturave, zhdukja e tyre dhe zbulimi në arkivat ruse...u vu në skenë për herë të parë mbrëmjen e 31 marsit në Prishtinë, nga orkestrën e Filarmonisë së Kosovës në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Vepra e plotë e kompozitorit Zadeja e shkruar enkas  për filmin e famshëm “Skënderbeu”,  u ekspozua si partiturë menjëherë pas kthimti nga arkivat ruse në muajin qershor 2012.  Partiturat origjinale të kësaj vepre iu kthyen familjes Zadeja, pas 60 vjetësh qëndrimi në harresë në arkivat e Moskës.

Si muzikantët ashtu edhe dirigjenti Jetmir Barbullushi janë shprehur për mediat e Kosovës me emocion të veçantë për ekzekutimin e kësaj vepre, por edhe për pjesë të tjera të koncertit të së dielës. Gjithashtu përballja e publikut me këtë vepër ka qenë një surprizë e bukur dhe emocionale.

Sipas muzikologut Vaso Tole, kjo vepër nuk është luajtur asnjëherë sipas partiturave origjinale. “Në vitet ’94-’95 Zadeja realizoi vetëm një suitë mbi këtë vepër, duke e dëgjuar atë me veshë, si të thuash një përshtatje të origjinalit. Ndërkohë që vetëm tani kjo vepër vjen e plotë”, tha Vaso Tole me rastin e  ekspozimit të partiturave në Tiranë.

Sipas tij muzikantët dhe studiuesit, por edhe publiku i thjeshtë, i gëzohet gjetjes së një vepre të rrallë të trashëgimisë tonë kulturore, që i mungonte publikut shqiptar. Pa partiturat ajo ishte e pamundur të luhej”, tha Tole.

Edhe pse origjinali i saj ruhet në arkivat e Moskës dhe në Shqipëri u kthyen vetëm fotokopjet e saj, sërish, sipas studiuesve kjo është një relike dhe ka vlera të mëdha, pasi tashmë është gjendur vepra e plotë.

Partitura e muzikës së filmit Skënderbeu, u ekspozua për herë të parë me 7 qershor 2012,  me rastin e 85-vjetorit të lindjes së kompozitorit Zadeja, plot 60 vjet pas krijimit. Kjo vepër mban jo vetëm firmën e kompozitorit Zadeja por edhe kontributin e pianistit dhe kompozitorit rus, Georgi Vasiljeviç Sviridov.
 
KRIJIMI, HUMBJA DHE GJETJA

Muzika e filmit “Skënderbeu” është kompozuar në vitin 1952, ndërsa filmi u shfaq në kinematë shqiptare dhe ato të Bashkimit Sovjetik në vitin 1953. Çesk Zadeja ishte vetëm 26 vjeç aso kohe.

Për realizimin e muzikës së filmit, i cili thuhet se është realizuar me kërkesën e vetë Enver Hoxhës, ka kontribuar edhe kompozitori rus Georgi Vasiljeviç Sviridov, ndërsa ekzekutimi i saj është realizuar nga Orkestra e Kinematografisë në Moskë, në ish-Bashkimin Sovjetik, nën drejtimin e Grigori Gamburg. Filmi u shfaq në kinematë shqiptare e ruse më 28 Nëntor 1953 në kinema “17 Nëntori” në Tiranë dhe “Dom-Kinon” në Moskë.

Kolona zanore u vlerësua mbi gjithë komponentët e tjerë të filmit. Pas kthimit në atdhe të kompozitorit, Partiturat mbetën në Moskë. Ngjarjet i lanë vendin njëra-tjetrës, dhe pas prishjes së mardhënieve shqiptaro-ruse, ishte e kotë të pretendohej të kërkoheshin ato partitura.

Familjarët e kompozitorit deklaruan me rastin e ekspozimit të tyre në qershor 2012, se pas viteve ’90, vetë kompozitori e më tej familjarët e tij u përpoqën të binin në gjurmë të këtyre partiturave, por ishte e pamundur.

Ato u konsideruan të humbura dhe sipas familjarëve ky ishte një nga pengjet që Zadeja mori me vete. Por kërkimet që bëri regjisori Pirro Milkani rezultuan pozitive. Me rastin e ridublimit të filmit “Skënderbeu”, regjisori Milkani kërkoi në Moskë një kopje. Nga kërkimet e tij rezultoi se aty gjendej edhe partitura origjinale e muzikës së filmit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve