Kështu në Ballsh, Bylisi do të sfidojë Flamurtarin në një finale të vërtetë mbijetese. Mallakastriotët duhet të fitojnë medoemos ndaj vlonjatëve në mënyrë që të kenë ende shanse për të qëndruar në kategori. Në të njëjtën orë të shtunën do të luhet edhe ndeshja mes Tiranës dhe Vllaznisë, takim që do të zhvillohet në Selman Stërmasi. Në raundin e 35-të do të vijojë gjithashtu dueli në distancë mes Kukësit dhe Teutës për vendin e tretë, pasi verilindorët do të sfidojnë Tërbunin në transfertë ndërsa durrsakët do të presin në shtëpi Laçin.
Lufta për mbijetesë
Fitorja e papritur e Bylisit në Tiranë ndaj Partizanit ka ndezur sërish luftën për mbijetesë. Tani ekipi I Ballshit I ka fatet në dorën e tij. Nëse fiton me dy gola diferencë ndaj Flamurtarit këtë javë dhe fiton edhe në Shkodër ndaj Vllaznisë javën tjetër atëhere shpëton nga rënia. Por edhe nëse thjesht fiton ndaj Flamurtarit me çdo rezultat dhe fiton edhe në Shkodër. Atëherë vlonjatët janë të detyruar që të fitojnë medoemos ndaj Skënderbeut në ndeshjen e fundit. Por, Bylisi ia ka komplikuar jetën edhe 2 skuadrave të tjera. Laçi me 35 pikë dhe Vllaznia me 36 pikë tashmë rrezikojnë. Duke qenë se Bylis matematikisht mund të kapë 37 pikë, atëherë atyre u duhet që në këto dy ndeshje të mbetura ta kalojnë këtë kuotë për të mos u ndodhur para ndonjë surprise të hidhur.
Juventusi kërkon nga Arsenali, Alexis Sanchez
Rikthehen zërat për një interesim të mundshëm të Juventusit për Alexis Sanchez. Nga Spanja sigurojnë se sulmuesi kilian nuk ndihet komod në radhët e Arsenalit, situatë që i ka shtyrë bardhezinjtë të studiojnë mundësinë e transferimit të tij në Torino. Një skenar mëse i pranueshëm edhe për faktin se Alvaro Morata është i destinuar të kthehet te Reali i Madridit. Sanchez ka qenë i parapëlyeri i drejtuesve të Juventusit që në kohën e Antonio Contes, por Arsenali u tregua më konkret duke e shkëputur nga Barcelona. Mirëpo për Sanchez nuk interesohet vetëm Juventusi. Bayerni i Mynihut dhe Manchester City i ofrojnë stimuj të rinj dhe një pagë të majme. Gjatë merkatos së verës pritet të ketë një ankand për 27-vjeçarin, ku sigurisht bardhezinjtë mbeten favoritë.
Platini, KAS i redukton në 4 vjet pezullimin
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i redukton skualifikimin Michel Platini nga 6 në 4 vjet në lidhje me çështjen për pagesën prej 2 milionë Eurosh që i ishte bërë nga FIFA e Blatter, sic pretendoi Platini për një konsulemcë nga ana e tij. Mjaft i rëndsishëm është fakti se avokatet e Michel Platini bënë të ditur zyrtarisht lajmin se francezi do të japë dorëheqjen nga presidenca e UEFA-s me rastin kongresit të ardhshëm të organizmit europian të futbollit. 21 dhjetorin e kaluar Platini u pezullua për 8 vjet, bashkë me ish presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter, pas hetimit në lidhje me pagesën prej 2 milionë Frangash zvicerane që ju krye në vitin 2011 francezit nga ana e FIFA-s për një shërbim të kryer një dekadë më parë. Vendimi më pas u reduktua në 6 vjet pezullim në Komisionin e Apelit të FIFA-s në shkurtin e kaluar.