Byroja e Kuvendit ka rrëzuar ankimin e Flamur Nokës dhe Elda Hotit për përjashtimet e tyre nga punimet e Kuvendit, përkatësisht me 20 dhe 10 ditë.

Vendimi ka lënë në fuqi masat ndëshkuese të marra nga Sekretariati i Etikës më 7 prill.

Kërkesa e Nokës dhe Hotit është rrëzuar me 5 votat e socialistëve. Niko Peleshi ka abstenuar, kurse Belind Këlliçi ka votuar kundër përjashtimit të deputetëve demokratë.

Ndërkohë, më 11 prill, Partia Demokratike ka ngritur një padi në Gjykatën Administrative për përjashtimet nga seancat plenare dhe punimet e Kuvendit të deputetëve të saj pas seancave me tensione.

Deputetët, ndaj të cilëve është marrë disa herë masë ndëshkuese 'përjashtim nga punimet e Kuvendit', Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Fidel Kreka dhe Klevis Balliu, kërkojnë që të shpallen të pavlefshme përjashtimet e bëra në fund të vitit të shkuar.

Deputetët janë rikthyer në Kuvend, ndërsa mbeten në fuqi vetëm përjashtimet për Nokën dhe Hotin.