Bashkia e Kamzës djeg mbetjet urbane buzë lumit Tërkuzë, duke shkaktuar katastrofë mjedisore. 

Banorët e Zall Herrit kanë protestuar duke paralajmëruar edhe bllokimin e rrugës nacionale nëse nuk zgjidhet kjo situatë.

Gazi i lëshuar nga mbetjet ka bërë të pamundur jetesën. Ndotje edhe nga mbetjet që hidhen në lum.

Edhe pse prej 16 vitesh përballen me këtë katastrofë natyrore, diegia e mbetjeve gjatë javës së fundit e ka bërë të papërballueshme jetesën aty.

Për Report Tv, ata shprehen se prej vitesh ankesat e tyre, edhe pse të vazhdueshme, nuk po merren parasysh.

“Do bllokojmë rrugën nacionale sepse bashkia është njoftuar disa herë, por djegia këtu vazhdon përsëri. Ndaj ne do bllokojmë rrugën nacionale që të merren masa dhe të mos hidhen më mbeturina këtu. Iniciativa dhe mendimi ynë është të bllokojmë rrugën kryesore”, u shprehën banorët.
 
Nga mbetje urbane, spitalore e deri kafshë të ngordhura janë hedhur përgjatë lumit të Tërkuzës.
 
Kjo ndotje e rëndë e mjedisit ka krijuar probleme shëndetësore për banorët e veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit e kësaj zone.

“Të gjithë me pusa punojmë këtu. Pijmë ujë në pus, krejt mbeturinat vijnë e na i hedhin në pus dhe krejta i marrim ne. Mbrëm më darkë e kisha njërin djalë të bllokuar komplet, e mora e çova në spital dhe i bëra seruma. Për çfarë? Vetëm prej ajrit. Ne jemi të sëmurë, unë personalisht jam me azëm në gradë shumë të rëndë, invalid dhe nuk po e përballojmë dot”, u shprehën disa prej banorëve.

[gallery]23272[/gallery]
Organizata mjedisore dhe shoqata që mbrojnë të drejtat e njeriut i janë bashkuar protestës së banorëve të Zall Herrit për t’i shkuar deri në fund zgjidhjes së problemit të mbetjeve.

I pranishëm në protestë, ambientalisti Sazan Guri u shpreh se situata në Zall Herr është alarmante.

“Kjo duhet të shuhet me zjarrëfiksa, duhet të mbulohet me dhe, duhet të rrethohet, duhet të mbyllet dhe rehabilitohet përfundimisht. Në asnjë rast nuk duhet të ketë më mbetje që hidhen dhe shkaktojnë këtë dëm”, u shpreh ambjentalisti Sazan Guri.
 
Prej 16 vitesh në lumin e Tërkuzës po kryhet një masakër mjedisore, ku në mënyrë të kundraligjshme depozitohen pranë rrjedhës së lumit mbetjet e Bashkisë së Kamzës.

Sa herë rritet sasia e ujit, rrjedha e saj i merr me vete mbetjet dhe i shpërndan përgjatë gjithë shtratit duke krijuar ndotje deri në fshtatrat e Fushë Krujës.