Një tjetër skandal ka tronditur politikën greke, në një kohë që është rikthyer pasiguria për të ardhmen e vendit, për shkak të ngërçit në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Deputeti i partisë së djathtë, Grekët e Pavarur, Pavlos Haikalis, ka deklaruar se një person ëshët përpjekur ta korruptojë dhe në këmbim, deputeti do të duhej të votonte në favor të zgjedhjes së Pesidentit të ri.

Menjëherë pas kësaj deklarate, kryeministri Antonis Samaras ka depozituar menjëherë një padi kundër deputetit të Grekëve të Pavarur, Pavlos Haikalis.

“Shpifjet dhe mizerabiliteti në kulmin e tyre. Kryeministri depoziton menjëherë padi dhe kërkon ndërhyrjen e autoriteteve të prokurorisë”, thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit të kryeministrit.

Mesditën e të premtes, kryetari i ANEL, Panos Kamenos ka dalë në një konferencë për shtyp që të denoncojë publikisht tentativën e korruptimit të deputetit të kësaj partie, Pavlos Haikalis, me qëllim që të votonte për presidentin e republikës.

Kryetari i Grekëve të Pavarur theksoi se i gjithë materiali i është dërguar drejtësisë, si dhe kryetarit të parlamentit, me qëllim që t’u jepet kryetarëve të partive parlamentare dhe paralajmëroi që nëse materiali nuk punlikohet deri të hënën në mbrëmje, në prag të votimit të dytë, atëherë do të marrë përgjegjësinë ta publikojë vetë.


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)