Skandal/ Prokurorja e Shkodrës, Blerta Hamza, liroi Luvigj Shpatin që shfrytëzonte në lokale muzike dhe dhunonte Eljana Sherifin! I rrahu 3 vëllezërit dhe tentoi t’i merrte fëmijën

Skandal/ Prokurorja e Shkodrës, Blerta Hamza, liroi Luvigj Shpatin që shfrytëzonte në lokale muzike dhe dhunonte Eljana Sherifin! I rrahu 3 vëllezërit dhe tentoi t’i merrte fëmijën

Prokurorja e Shkodrës Blerta Hamza dhe Luvigj Shpati

Segmente të drejtësisë, në rastin konkret të organit të akuzë, vijojnë të ‘amnistojnë’ shfrytëzimin dhe dhunimin sistematik të grave dhe vajave, duke u dhënë një mesazh inkurajues dhunuesve dhe tutorëve në Shqipëri se, pavarësisht veprimtarisë kriminale, mund t’i shmangen veprimit të drejtësisë. Report Tv sjell sot detaje nga një dosje penale në Prokurorinë e Shkodrës, ku prokurorja Blerta Hamza, e cila çuditërisht ka kaluar pa probleme Vetingun, ka liruar nga qelia Luvigj Shpatin, i cili shfrytëzonte në lokale nate të renë Eljana Sherifin, e martoi pa dëshirë me një të njohurin e tij për të kamufluar aktivitetin, e dhunonte sistematikisht, i rrahu familjarët, i dhunoi banesën dhe në fund tentoi t’i merrte edhe fëmijën. Prokuroja Blerta Hamza liroi të akuzuarin për vepra të rënda penale në vitin 2019, ndërsa tre vjet më pas mbetet mister fati i kësaj dosje.

Historia e tronditëse 
Në 27 korrik 2019, Policia e Shkodrës arrestoi në flagrancë vëllezërit Luvigj Shpati dhe Pavlin Shpati, për katër vepra penale të dyshuara: Dhunë në familje, dhunim banese, marrje pa të drejtë të fëmijës dhe plagosje e lehtë me dashje. Sipas dosjes, vëllezërit Luvigj Shpati dhe Pavlin Shpati kanë hyrë në banesën e të resë Ejlana Sherifi (Xhilaj), në fshatin Omaraj të Malësisë së Madhe, si dhe kanë rrahur Ejlana Sherifin dhe tre vëllezërit e saj ), Elmir Xhilaj, Besjan Xhilaj dhe Loel Xhilaj. Krahas reprezaljes dhë dhunës në banesë, Luvigj Shpati ka tentuar t’i marrë me dhunë Ejlana Sherifit, djalin e mitur,

Sipas dosjes hetimore, Luvigj Shpati ishte i martuar dhe me fëmijë, por kishte një lidhje jashtë martese me Ejlana Sherifin, me të cilën kishte edhe djalin e mitur, të cilin tentoi t’ia marrte në banesë. Ejlana Sherifi ka rrëfyer se Luvigj Shpati e shfrytëzonte në lokale nate në Kosovë si këngëtare, i merrte të gjitha paratë dhe e dhunonte sistematikisht. Sipas dosjes, Luvigj Shpati e shtynte Ejlana Sherifin që të punonte vazhdimisht në lokale ‘muzike’ në Kosovë dhe Maqedoni, ku sillte edhe femra të tjera nga Shqipëria. 

Madje në Maqedoni, Luvigj Shpati kishte gjetur një person të quajtur Arjan Sherifi, për të cilin i kishte kërkuar Ejlana Sherifit që të martohej me të, për t’i paraprirë ndonjë hetimi të mundshëm nga autoritetet ligjzbatuese. Dhe ashtu kishte ndodhur. Ejlana Sherifi ishte martuar pa dëshirën e saj me Arjan Sherifin, ndërsa Shpati kishte paguar paratë e celebrimit. Konflikti ka nisur kur Ejlana Sherifi ka kërkuar të ndahet nga Luvigj Shpati. 

Me të tjerave, Ejlana Sherifi ka rrëfyer se “Unë punoj si këngëtare dhe nga Kosova kam ardhur së bashku me të atin e djalit tim, që quhet Luvigj Shpati. Ky i fundit është i martuar dhe me fëmijë, por unë me të kam një fëmijë jashtë martese. Unë me shtetasin Luvigj Shpati kam bashkëjetuar në Kosovë dhe në Maqedoni, së bashku me djalin tonë të vogël, një vjeç e gjysmë. Dua të them se që kur u kthyem nga Kosova unë i kam thënë bashkëjetuesit tim Luvigj Shpati se dua të ndahem nga ti pasi ai më torturonte gjithë kohën si dhe më merrte të gjithë lekët që unë fitoja si këngëtare duke punuar në qytetin e Pejës, në Kosovë.

...Pas kësaj date unë kam komunikuar në telefon me Luvigjin. 
Ai më ka thënë: - Hajde bashkohemi prapë se djali i tezes së tij, që quhet Gjin Nika, ka hapur një lokal muzike në dalje të qytetit të Shkodrës, që quhet "Baron". Gjatë kësaj bisede unë i kam thënë: - do shof një herë, me qëllim për t'a marrë me të mirë. Kjo pasi kisha frikë se ai do të më bënte ndonjë gjë të keqe mua apo familjes time, pasi ai vazhdimisht më kërcënonte, duke më thënë: - se do të të nxjerr namin e zi, do të të vras vëllezërit, po nuk erdhe me mua. Unë duke u nisur nga kërcënimet e vazhdueshme, i thosha do të shoh, pasi kisha frikë. Ndërkohë unë nisa letrat për në gjykatë, që e drejta e mbajtjes së fëmijës, të më kalonte mua....

...Rreth orës 20:00 ka ardhur në shtëpinë time, Luvigji së bashku me vëllanë e tij Pavlin Shpatin. Ata u futën në shtëpi me zor dhe donin të merrnin djalin me zor. Luvigji kapi djalin me zor nga dora, por unë gjithashtu e kapa nga dora dhe nuk ia lëshova. Në këtë moment Luvigji më goditi disa herë me grushta në fytyrë. Në këto rrethana, ndërhynë edhe vëllezërit e mi, Elmiri me Besjanin, që ishin të pranishëm. Ndërkohë që unë i thashë Luvigjit "e theve në kryq djalin dhe po e mbyt". Në këtë kohë Luvigji së bashku më vëllain e tij Pavlinin, filluan të godisnin me grushta dhe shqelma vëllezërit e mi. Në këtë kohë, Pavlini, mori një tullë dhe me të goditi disa herë në kokë vëllain tim Elmirin. Po në të njëjtën kohë, Luvigji mori një tullë tjetër dhe me të filloi të godiste në kokë vëllain tim tjetër Besjanin. Të dy vëllezërit e mi, u lanë në gjak, nga goditjet me tulla kokës, që iu bënë atyre, Luigji së bashku me vëllainë e tij Pavlinin. Pas kësaj unë arrita t'ia shkëpus nga dora Luvigjit, djalin tim..., dhe shkova me vrap tek një komshi.

....Luvigji çdo javë ushtronte dhunë fizike ndaj meje. Madje ka patur raste edhe tre herë në javë, aq sa nuk mund të shkoja në punë nga turpi. Luvigji vazhdimisht me thoshte se: - Duhet me shku me punu nëpër lokale, se na janë mbaruar lekët, dhe më pas m'i merrte të gjitha lekët, sepse une punoja nën mbikqyrjen e tij... Në Maqedoni, Luvigji më gjeti një person  të quajtur Arjan Sherifi dhe më tha - ke me u martu me të pasi kjo na bën me punu ma lirshëm dhe nuk na trazon Policia. Pasi unë vura kurorë me këtë shtetas, unë mora mbiemrin "Sherifi". Luvigji, me sa di unë ka paguar 40 euro për këtë celebrim... Dua të theksoj se unë jam mashtruar nga ana e shtetasit Luvigj Shpati, i cili më ka përdorur në lokale të ndryshme, kundër dëshirës time, por me presione dhe dhunë të vazhdueshme, me presione për vrasje dhe shantazhe”. 

Prokurorja Blerta Hamza i nxjerrë nga qelia 
Dy ditë pas arrestimit, në 29 korrik 2019, prokurorja Blerta Hamza i ka kërkuar gjykatës lirimin nga qelia të vëllezërve Luvigj Shpati dhe Pavlin Shpati, me masën ‘arrest shtëpie’. Meqenëse gjykata, sipas Kodit të Procedurës Penale, nuk mund të vendosë një masë sigurie më të ashpër se sa ajo që kërkon prokurori, Gjykata e Shkodrës është detyruar të miratojë masën që ka kërkuar prokurorja Hamza, duke liruar Luvigj dhe Pavlin Shpatin nga qelia. 


Gjyqtari: Prokurorja i favorizoi të dyshuarit, duhet të mbylleshin në qeli 

Si rrallë ndonjëherë, në gjyqtari i kësaj çështje Andri Ymeri, është shprehur në vendim se prokurorja Blerta Hamza po favorizonte hapur të arrestuarit, duke shkelur rëndë përcaktimet e nenit 229 të Kodit të procedurës Penale, veçanërisht për sa i përket vlerësimit të rrezikshmërisë shoqërore të veprave penale dhe dy autorëve të dyshuar. 

Në vendimin për masën e sigurisë, gjyqtari Andri Ymeri shprehet se “Lidhur me llojin e masës së sigurimit që duhet caktuar, Gjykata vlerëson se gjejnë zbatim nenet 229 dhe 244 të Kodit të Procedurës Penale. Pra duhen marrë parasysh, rrezikshmëria e veprës, e autorit, dënimi që parashikon ligji për veprën penale të kryer, shkalla e nevojave të sigurimit, rrethanat lehtësuese apo rënduese, si dhe duke iu referuar nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori.

Në rastin në gjykim, Gjykata krijon bindjen se prokurori do duhej të kërkonte masën e sigurimit arrest në burg, për secilin nga të dyshuarit. Kjo pasi dy të dyshuarit, aktualisht po hetohen për disa vepra penale për të cilat ligji parashikon dënime relativisht të rënda me burgim. Ata dyshohet se i kanë kryer veprat në bashkëpunim me njëri - tjetrin (gjë që përbën rrethanë rënduese), si dhe mbajnë qëndrim mohues ndaj fakti penal.

Një aspekt që meriton të përmendet posaçërisht nga Gjykata, në këtë pjese të arsyetimit të vendimit, ka të bëjë me konstatimin dhe vlerësimin e Gjykatës, se Prokuroria duke mos i kërkuar Gjykatës, caktimin e masës së sigurimit arrest në burg, për secilin nga të dyshuarit, jo vetëm ka shkelur rëndë, përcaktimet e nenit 229 të Kodit të procedurës Penale, (veçanërisht për sa i përket vlerësimit të rrezikshmërisë shoqërore të veprave penale dhe dy autorëve të dyshuar të tyre), por ka krijuar favorizime të padrejta për të dyshuarit në drejtimet e mëposhtme:

1. Ka favorizuar haptazi dhe paligjshmërisht të dyshuarin Luvigj Shpati, pasi nuk e ka bërë pjesë hetimi, deri në këtë fazë të hetimeve, ato pjesë të kallëzimit të shtetases Eljana Xhilaj, që përshkruajnë disa fakte penale të tjera, (të përmendura shprehimisht në kallëzim), dhe që qartazi mund të cilësohen ligjërisht si veprat penale të mëposhtme:
a. Shtrëngim për dhënie pasurie.
b. Shfrytëzim prostitucioni, (ose Trafikim i qënieve njerëzore).
c. Kanosje.
ç. Marrje e padrejtë e fëmijës.
d. Shtrëngim për martesë.

Sipas vlerësimit të Gjykatës, të gjitha veprat penale të mësipërme, të cilat dalin nga përmbajtja e kallëzimit të paraqitur nga shtetasja Eljana Xhilaj, ndaj shtetasit Luvigj Shpati, jo vetëm nuk janë patur në fokusin e hetimit penal nga Prokuroria, por madje Prokuroria edhe kërkesën në gjykim, e ka paraqitur në Gjykatë, në mënyrë të cunguar, dukë shmangur nga përshkrimi, ato pjesë të faktit penal të kallëzuar nga shtetasja Eljana Xhilaj, të cilat medoemos duhet të përfshihen në fokusin e hetimit penal, duke u cilësuar sipas veprave penale të lartpërmendura, krahas veprave penale për të cilat Policia Gjyqësore ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit Luvigj Shpati.

2. Duke mos kërkuar masën e sigurimit arrest në burg për secilin prej dy të dyshuarve, Prokuroria, ka shfaqur mospërfillje të rëndë për shkallën e nevojave të sigurimit. Kjo pasi sikurse u përshkrua dhe më sipër, aktualisht marrëdhëniet ndërmjet viktimave dhe dy të arrestuarve, nuk rezultojnë të jenë të normalizuara.

3. Prokuroria, ka gabuar rëndë, pasi nuk ka marrë në konsideratë rrethanat rënduese të kryerjes së veprave në bashkëpunim dhe ndaj të afërmve dhe/ose të miturit.
Sipas bindjes së Gjykatës, veprimi kësisoj i Prokurorisë, ul shkallën e perceptimit mbi objektivitetin e veprimtarisë së punonjësve të drejtësisë (dhe të punonjësve të Prokurorisë në veçanti).

Megjithatë, Gjykata duke patur parasysh, përmbajtjen e lartpërmendur të nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale, që përcakton se Gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori, krijon bindjen se duhen pranuar kërkesat e prokurorit që ndaj secilit prej dy të dyshuarve, të caktohen përmes urdhërimit të zbatimit të njëkohshëm, tre masat e sigurimit të kërkuar nga Prokuroria”.

/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Agqim daija: 31/03/2022 21:18

    Hahahahahahhah

    Përgjigju
  • Meri: 30/03/2022 16:36

    Si i behet me keta prokurore qe, vazhdojne te vrasin viktimat,dhe te mbrojne vrasesit ???

    Përgjigju
  • Dori: 30/03/2022 13:19

    E ku esht skandali? Skandal ne ket vend esht vetem kur drejtesia funksionon.

    Përgjigju
  • Rei: 30/03/2022 11:22

    Beni shume mire qe nxirrni ne pah fenomene te tilla dhe bravo gjyqtarit qe e ka theksuar ne vendim faktin qe s'eshte dakort me kerkesen e prokurores qe eshte qesharake per nje akuze te tille.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur