TIRANË- Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar pas skandalit seksual të anëtarit Olger Eminaj, i cili u denoncua nga emisioni investigativ “Stop”, se i ka dërguar një denoncueseje, foto të organit seksual dhe ka zhvilluar biseda me përmbajtje erotike, gjatë orarit zyrtar dhe brenda ambienteve të institucionit ku ushtron detyrën. KLP thotë se çështja është duke u verifikuar nga institucionet kompetente dhe se i takon ILD-së që të merret me masat disiplinore ndaj anëtarëve të KLP-së. Në reagimin e KLP-së thuhet se “do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet, me qëllim trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë objektive, të paanshme dhe në përputhje me ligjin.”
Skandali i anëtarit të KLP-së, Olger Eminaj doli në dritë pas denoncimit të një qytetareje, e cila pretendon se është përballur me shkelje të rënda nga sistemi i drejtësisë. Sipas saj, ngjarja nis 2 vite më parë, kur ajo dhunohet nga ish-partneri. Si pasojë e dhunës, ajo humb edhe fëmijën që priste të lindte. Gruaja ka pretenduar se nuk bëri menjëherë denoncim dhe se ish-partneri e kallëzoi në Prokurori për përndjekje. Denoncuesja pretendon se nuk ishte vënë në dijeni nga prokurorja Rovena Zoto dhe në gjykatën e Tiranës, përballja me magjistraten ka qenë e tensionuar.
Ajo pretendon se prokurorja kërkoi dënim me burg, duke i hapur më pas edhe një procedim tjetër penal dhe se në këto kushte u detyrua të ankohej pranë institucioneve të drejtësisë. Në këtë fazë, ajo thotë, se është kontaktuar në Facebook nga Olger Eminaj, anëtar i KLP-së dhe se pas shkëmbimit të kontakteve, komunikimi kaloi në WhatsApp me përmbajtje seksuale, edhe gjatë orarit zyrtar.
Por, në një reagim KLP thotë se ankesa e depozituar nga qytetarja ndaj prokurores Zoto i është përcjellë për trajtim dhe kompetencë Prokurorisë së Tiranës.
Deklarata e plotë e KLP-së
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka ndjekur me shqetësim përmbajtjen e transmetuar gjatë emisionit investigativ “Stop”, ditën e hënë, datë 23.03.2026.
Në kuadër të transparencës institucionale, KLP informon se ankesa e depozituar nga qytetarja i është përcjellë për trajtim dhe kompetencë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sipas të gjitha parashikimeve ligjore.
Lidhur me çështjet etike dhe disiplinore që përfshijnë anëtarët e Këshillit, neni 104, i ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikon se çdo pretendim për shkelje disiplinore ndaj anëtarëve të KLP-së i nënshtrohet kompetencës ekskluzive të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe më tej Gjykatës Kushtetuese.
Në interes të informimit të drejtë të opinionit publik dhe medias, theksojmë se çështja është duke u verifikuar plotësisht nga institucionet kompetente, për zbardhjen e së vërtetës. Ndaj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet, me qëllim trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë objektive, të paanshme dhe në përputhje me ligjin.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton se përtej situatave të caktuara, do të vijojë përpjekjet për të ruajtur integritetin institucional në përmbushjen e standardeve të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksioneve publike.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











