Prokuroria kërkoi dënimin e Ismailajt me 15 vite burg për skandalin e CEZ-DIA, por Gjykata e zbriti dënimin me 4 vite, duke e lënë përfundimisht me 11 vite. Po ashtu me vendim të Gjykatës së Tiranës, Kastriot Ismailajt i konfiskohen dhe 4 milionë dollarë pasuri. Kastriot Ismailaj akuzohet për "mashtrim me pasoja të rënda" dhe "pastrim parash" në mbledhjen e borxheve të prapambetura të rrjetit të shpërndarjes CEZ.
I pranishëm në seancë ka qenë dhe vetë Ismailaj i cili pas komunikimit të vendimit nga trupa e gjyqtarëve, është larguar pa bërë komente.
Avokatët e Ismailajt: Apelojmë vendimin
Një ditë më parë, Kastriot Ismailaj kërkoi rihapje të procesit gjyqësor ndaj tij, duke pretenduar se kishte 100 prova të reja, por kjo kërkesë u rrëzua nga Gjykata.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës të Ismailajt, Vladimir Meçi, Alban Qafa dhe Elona Ullorja, kanë paralajmëruar se do ankimojnë në Gjykatën e Apelit vendimin e Shkallës së Parë, për të kërkuar lirimin nga akuzat të klientit të tyre.
Për çfarë akuzohet Kastriot Ismailaj?
Kastriot Ismailaj u arrestua në 12 maj të vitit 2015 nga Sektori i Pastrimit të Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar ne Policinë e Shtetit për veprën e mashtrimit në shuma të mëdha dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Në 6 muaj, 9 kompani private përfituan nga CEZ-i 12 milionë USD nga kontratat për mbledhjen e borxheve të papaguara. Pjesën më të madhe të fondeve e ka marrë “Debt International Management”, me administrator Kastriot Ismailaj, 649 milionë lekë, ose gati 6.5 milionë dollarë.
Nga “Debt International Advisori” paratë kanë dalë nga Shqipëria duke hyrë në llogaritë e dhjetëra kompanive të tjera, që veprojnë në rreth 15 shtete. Sipas burimeve nga prokuroria, bëhet fjalë për shuma financiare që ka dyshime të forta se i përkasin njerëzve të politikës dhe personave VIP në Shqipëri, pasi kjo kompani fantazmë nuk ka kryer as vjeljen e borxheve të “CEZ Shpërndarje”, për të justifikuar transfertat, aq më tepër që shuma e transferta është shumë më e madhe se 5 milion euro.
Kastriot Ismailaj, nën “maskën” e marrëveshjes me kompaninë çeke, “CEZ Shpërndarja”, për mbledhjen e borxheve ka kryer mbi 100 transaksione bankare, para këto që kanë qenë të personave të rrethit shoqëror të tij.
VIDEO/ Gjykata e Tiranës vendosi me 11 vite burg për Kastriot Ismailajn










