Arritja e një marrëveshjeje mes Greqisë dhe Shqipërisë për të zgjidhur problemet mes dy vendeve është drejt fundit, por me kushtin e prerë nga Athina në mos përmendjen e fjalës Çamëri në dokumentin final.

Por burime pranë negociatave i thanë Report TV se në paketën e çështjeve që kanë marrë dakordësi nga pala greke është edhe heqja e ligjit të luftës, që do të thotë një zhbllokim i pronave të çamëve. Kjo i hap rrugën ligjore çamëve për të rimarrë pronat e tyre. Por përse Greqia ka insistuar në tryezën e bisedimeve për mos t’u përmendur fjala Çamëri?

Një prej anëtarëve të grupit negociator në kushtet e anonimatit i tha Report TV se pala greke në tryezën e bisedimeve ka sqaruar presionin e madh që i vjen kryeministrit Aleksis Tsipras nga partneri i tij në koalicion, Panos Kamenos, i partisë ‘ANEL Grekët e Pavarur’.

Zoti Kamenos i ka thënë kryeministrit Tsipras se nëse në marrëveshje përmendet fjala Çamëri, atëherë partia e tij do të dalë nga koalicioni. Po ashtu mbrëmjen e djeshme opozita greke ‘NEA Demokracia’ ka akuzuar kryeministrin Tsipras se i ka falur Shqipërisë detin.

Për të shuar këto akuza, zyra e kryeministrit Tsipras shpërndau detaje në disa media greke se në marrëveshjen që do të nënshkruhet nuk përmendet fjala Çamëri. Bisedimet dypalëshe të grupeve të negocimit kanë arritur të zgjidhin një mori problemesh sa të vjetra dhe të reja.

Bëhet fjalë për marrëveshjen e detit, pronat e komuniteteve fetare dhe heqja e ligjit të luftës. Njohja e patentave shqiptare dhe greke në vendet respektive, heqja e vulës apostile, si dhe të drejtat e minoriteteve kanë gjetur dakordësi mes palëve.

Në krahasim me marrëveshjen e 2009, Shqipëria sipas burimeve do të fitojë një hapësirë më të madhe detare. Kjo do të jetë edhe kostoja politike që qeveria greke dhe kryeministri Tsipras do të përballet në parlamentin grek, por si kundra argument do të përdoret mos përmendja emri Çamërisë, fakt i cili u bë publik nga mediat greke.

I njëjti burim i shpjegoi Report TV detaje të tjera për atë që do të pasojë në ditët në vijim. Dorën e fundit të dakordësisë për çështjet e diskutuara pritet t’ia japin kryeministrat Rama dhe Tsipras, të cilët me gjasë fillimisht do të takohen në Bruksel.

Më pas, marrëveshja pritet të marrë firmat e Ramës dhe Tsipras në mesin e Korrikut. Parashikohet që marrëveshja të nënshkruhet në ishullin e Korfuzit. Grupi negociator shqiptar ka kërkuar që marrëveshja të marrë miratimin e parlamentit grek e më pas të firmoset nga dy kryeministrat.

Formati i marrëveshjes do të mbajë si logo atë të Partneritetit Strategjik, ndërsa Traktati i Miqësisë Shqipëri-Greqi do të rinovohet në vitin e ardhshëm.

Shkrimi i plotë i medias greke:
Rhodes, në margjinat e Samitit të Ministrave të Jashtëm të Mesdheut Lindor Jugore dhe në Ballkan, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati mbyllën paketën mes Greqisë dhe Shqipërisë, për të gjitha dallimet e disa dekadave të fundit mes dy vendeve.

Në qoftë se marrëveshja është përfunduar dhe nuk ka të papritura të minutës së fundit, Alexis Tsipras dhe Edi Rama në një takim privat do të vazhdojnë me nënshkrimin, i cili do të hapte rrugën për perspektivën e anëtarësimit të Tiranës gjatë debatit në Samitin e BE-së më 28 dhe 29 qershor.

Marrëveshja, sipas informacionit, do të kishte përfunduar tashmë, nëse nuk do të kishte reaguar Presidenti shqiptar, Ilir Meta, por Edi Rama beson që kjo barrierë do të hiqet.

Marrëveshja, sipas News 24/7, nuk përfshin çështjen çame, një temë që qeveria greke nuk e diskuton, por përfshin heqjen e konfliktit të dy vendeve, demarkacionin e ZEZ, rregullimin e pronës dhe të gjitha çështjet e tjera të hapura mes Greqisë dhe Shqipërisë.



(Lajmi në median greke, ku thuhet se çështja çame nuk është përfshirë në marrëveshje)