Ish-ministri britanik Peter Mandelson është marrë zyrtarisht nën hetim penal për shpërdorim të detyrës publike, pas zbulimeve të reja që lidhen me marrëdhënien e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein.
Hetimi po drejtohet nga Metropolitan Police dhe u njoftua pasi autoritetet britanike i përcollën policisë materiale nga e ashtuquajtura “dosja Epstein”, që përmban komunikime, dokumente dhe të dhëna financiare.
Në kuadër të këtij hetimi, të premten policia kreu bastisje në dy prona të Mandelson, një pranë Regent’s Park në Londër dhe një tjetër në Wiltshire. Oficerët u panë duke hyrë me urdhër kontrolli dhe duke dalë nga banesat me kuti dhe çanta.
Mandelson është një nga figurat më të njohura të Partisë Laburiste britanike, ish-ministër kabineti, arkitekt i projektit “New Labour” dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ish-kryeministrave Tony Blair dhe Gordon Brown. Ai ka shërbyer edhe si ambasador i Britanisë së Madhe në SHBA dhe deri pak ditë më parë ishte anëtar i Dhomës së Lordëve.
Sipas mediave britanike, dyshimet lidhen me periudhën kur Mandelson ishte ministër, kohë gjatë së cilës ai dyshohet se ka ndarë me Epstein informacione konfidenciale shtetërore. Mes materialeve të hetuara përmendet një e-mail ku dyshohet se janë diskutuar negociata konfidenciale për një kontratë rreth 10 miliardë paund të Ministrisë britanike të Mbrojtjes.
Vepra penale e shpërdorimit të detyrës publike në Britani parashikon dënim deri në burgim të përjetshëm. Deri tani nuk ka arrestime dhe policia thotë se hetimet janë në vijim.
E ndërsa kompania lobuese Global Counsel, e bashkëthemeluar nga Mandelson, ka ndërprerë çdo lidhje me Mandelson, dhjetëra deputetë britanikë kanë kërkuar një hetim të plotë publik mbi lidhjet mes Epstein dhe figurave të establishmentit politik.
Mandelson ka mohuar çdo shkelje ligjore dhe ka deklaruar se nuk ka qenë i përfshirë në aktivitetet kriminale të Epstein.
Në Britani, prej ditësh paralajmërohej se dosja Epstein “do të hante koka”. Marrja nën hetim penal e Mandelsonit është sinjali më i fortë deri tani se kjo dosje ka hyrë në fazën e saj më të rëndë.
Komente











