I vendosur në një terren të fshehtë, në brendësi të pyllit të Zenelajve, tuneli i përdorur dikur nga ushtria, është i vështirë të gjendet, për shkak të shkurreve. Report TV u fut në brendësi të tunelit, ku era e kanabisit ndjehet që nga larg.
Sapo futesh në këtë tunel, dallohen boçet e kanabisit të shpërndara kudo, kërcelli, por edhe sasia e drogës që iu vu zjarri nga Policia. "Janë mbetje të degëve të kanabisit të cilat janë ende të freskëta dhe policia nuk u ka vënë flakën një ditë më parë. Janë harruar edhe për faktin e sasisë së madhe. Janë degë kanabisi të cilat janë prerë nga bimët që mbilleshin vetëm pak metra më larg. Për prerjen e bimëve përdoreshin këto gërshërë me të cilat priteshin jo vetëm boçet por edhe degët e kanabisit. Gjithashtu shohim edhe pjesën e mbetur të bimës së kanabisit e cila është hequr nga punëtorët dhe është lënë më pas në brendësi të tunelit", thotë nga brendësia e tunelit, gazetari Çaka.
Pavarësisht se është detyrë e policisë të sekuestrojë provat e gjetura në vendngjarje, Report Tv zbuloi në brendësi të tunelit, krahas degëve të kanabisit, edhe një granatë dorë. Në kufijtë e një skandali, kjo granatë gjendet ende në tunel dhe nuk është zbuluar nga Policia.
"Në brendësi të këtij tuneli, përveçse gjejmë kanabis, ka edhe armë luftarake. Kjo është një granatë dore që e dalloj nga larg, duke u përpjekur që të mos prishim provat materiale. Një granatë dore bashkë me siguresën pak cm më larg, në brendësi të tunelit. Kjo nuk është gjetur nga policia, pavarësisht se numri i efektivëve që kanë sekuestruar lëndën narkotike ka qenë i shumtë. Edhe pse zona ka qenë perimetër sigurie, policia s'ka gjetur dot armën luftarake", thekson gazetari i Report Tv.
Policia në njoftim e saj, nuk përmend fare faktin që janë gjendur armë luftarake dhe të arrestuarit po hetohen vetëm për prodhim dhe shitje narkotikës. Kjo granatë vijon të jetë ende në tunel dhe ne si gazetarë lajmëruam Policinë, për ta vënë në djieni.
Në tunel u gjendën 148 kg kanabis dhe 200 vimë në process tharje. Gjurmët e drogës që iu vu zjarri nga Policia janë ende të freskëta. Brenda tuneli ka kafe, sheqer apo filaxhenë, të cilët përdoreshin nga 10 punotorët që bënin tharjen e kanabisit. Me tela të vendosur nga të gjitha anët, bëhej varja e bimëve të kanabisit.
Një vendngjarje që tregon mungesën e profesionalitetit nga Policia, pasi pavarësisht se nuk është gjetur granata, dhjetëra boçe kanabisi janë lënë në tokë.
“Tunelet e ushtrisë janë përdorur gjerësisht nga grupet kriminale për të fshehur sasi të mëdha kanabisi. Pavarësisht se kanë kaluar 8 muaj kur policia ka nisur aksionin për ndalimin e kultivimit të kanabisit dhe kontrollin e të gjitha tuneleve në zonat e fshehta, vijojnë ende që persona të caktuar të fshehin sasi të kanabisit në brendësi të tuneleve”, thotë gazetari Çaka.
Tuneli i kanabisit me 148 kg lëndë narkotike dhe 200 bimë në proces tharje, u zbulua dy ditë më parë nga Policia e Tiranës pranë aeroportit të Riniasit dhe u arrestuan 7 persona.
(Granata e gjetur nga gazetari i Report Tv brenda tunelit)
(Siguresa e armë luftarave, granatë e gjetur nga gazetari i Report Tv brenda tunelit)
[gallery]24373[/gallery]
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com