Prokuroria e Milanos ka nisur një hetim penal ndaj gazetarit dhe prezantuesit televiziv italian Alfonso Signorini, i cili po hetohet për veprat penale të dhunës seksuale dhe zhvatjes, në kuadër të çështjes që ka tronditur programin Grande Fratello.

Hetimi është nisur pas kallëzimit të depozituar në prag të Krishtlindjeve nga ish-konkurrenti Antonio Medugno. Ky i fundit mbështet idenë dhe akuzat për ekzistencën e një sistemi favoresh, të denoncuar fillimisht publikisht nga Fabrizio Corona, sipas të cilit hyrja në program shoqërohej me kërkesa për favore seksuale.

Dosja po ndiqet nga prokurori Alessandro Gobbis dhe prokurorja Letizia Mannella.

Një ditë më parë, vetë Signorini njoftoi se ishte dorëhequr nga Mediaset, pas akuzave të ngritura ndaj tij në emisionin online “Falsissimo”, të drejtuar nga Corona. Sipas mbrojtjes ligjore, vendimi është marrë “në mënyrë parandaluese” dhe është pranuar nga kompania televizive.

Në vijim të zhvillimeve dhe në prag të procesit gjyqësor, Signorini ka ndryshuar ekipin e avokatëve, duke zgjedhur dy emra të njohur të avokatisë italiane: Daniela Missaglia dhe Domenico Aiello. Sipas përfaqësuesve ligjorë, prezantuesi e konsideron veten “viktimë të një sërë veprimesh kriminale të rënda dhe të vazhdueshme”.

Hetimet janë në fazën paraprake, ndërsa autoritetet italiane pritet të sqarojnë në vijim përgjegjësitë dhe vërtetësinë e akuzave që kanë hapur një nga çështjet më të bujshme mediatike të fundvitit në Itali.