Juliana Hoxha hedh poshtë pretendimet e ministrit të PD për shkeljet gjatë zbatimit të kontratës, për kontratën e nënshkruar me vlerë më të madhe se fondi i parashikuar buxhetor, për llojin e procedurës, kallëzimin penale dhe pretendime të tjetra periferike në raport me shkeljet e rënda.
Hoxha sqaron gjithashtu procedurat e ndjekura, por anashkalon disa njolla të tenderit, si specifikimet teknike të përshtatshme vetëm për një markë, afatet e shkurtra kohore, nxitimin e madh për zhvillimin e procedurave dhe arbitraritete të tjetra, të cilat të çojnë në konkluzionin se fituesi i tenderit ishte i paracaktuar.
“Ky “zbulim” nuk është gjë tjetër veçse një flluskë sapuni, e ardhur, për fat të keq, për shkak të mosnjohjes së legjislacionit të prokurimit publik dhe ligjit të posaçëm që rregullon prokurimin publik në Republikën e Shqipërisë. Ajo që vlen të theksohet në këto momente është prezantimi i këtij institucioni të rëndësishëm jo seriozisht në sytë e publikut të gjerë dhe pafundësisht qesharak në sytë e atyre që e njohin paksa teknikisht dhe ligjërisht situatën.
Çdo tentativë për manipulim dhe shpifje aty ku respektohet me përpikmëri ligji dhe institucioni nuk i shërben mbarëvajtjes dhe efikasitetit të punës në një institucion të një rëndësie të lartë siç është Ministria e Drejtësisë”, pretendon Hoxha. Sekretarja e Përgjithshme thotë se byzylykët nuk janë zhdukur, por i kanë kaluar në administrim kompanisë.
“Dhënia në administrim është realizuar në saj të procesit të ekzekutimit të kontratës, ku bashkimi i operatoreve ekonomikë ka nën përgjegjësinë e tij administrimin e sistemit elektronik të mbikëqyrjes penale, realizimin e procesit të mirëmbajtjes për një periudhë 4 vjeçare dhe instalimin e byrzylyqeve tek të dënuarit në bashkërendim me Drejtorinë e Shërbimit të Provës.
Pajisjet janë pjesë integrale e kontratës si një e tërë, dhe për sa kohë që kompania paguhet për këto shërbime autoriteti kontraktor ka detyrimin ta ngarkojë me përgjegjësi jo ta shmang nga përgjegjësia kontraktuesin (kompaninë fituese) siç ndodhi me procesin e ashtuquajtur hetim administrativ nga ana juaj”, thotë ajo.
Pikat e errëta të cilat nuk sqaron Sekretarja e Përgjithshme
Pse nga shtatë firma që morën pjesë në garë, pesë prej tyre, në mënyrë të çuditshme, nuk paraqitën as ofertën ekonomike? Pjesëmarrja në tender vetëm sa për fasadë a nuk është një element që të çon në dyshime për paracaktimin e fituesit?
Si ka mundësi që Komisioni i Vlerësimit e lexoi të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga shtatë kompanitë dhe shpalli fituesin në më pak se 48 orë? A është normale, a është e mjaftueshme, që dokumentacioni i paraqitur nga kompanitë për një projekt kaq të rëndësishëm të shqyrtohet në kaq pak kohë? A është shqyrtuar dokumentacioni i fituesit para datës së deklaruar?
Si shpjegohet fakti që bashkimi i operatorëve fitoi tenderin me vlerë 196 milionë lekë të reja, duke bërë një skonto prej vetëm 2 milionë lekësh të reja (sa 1% e vlerës totale)? Ulja prej 2 milionë lekësh të reja nga fondi tavan, a tregon mungesën e konkurrencës për këtë tender?
Si shpjegohet fakti që në një muaj kohë, bashkimi i operatorëve nënshkroi kontratën për furnizimin me 300 byzylykë elektronikë dhe me software-in e administrimit të tyre, siguroi të gjithë materialin nga jashtë vendit, realizoi një aplikim të ndërlikuar telefonik, e dorëzoi dhe arkëtoi 150 milionë lekët e reja të para nga ministria?
Meqenëse kompanitë fituese Ratech shpk, Fastech shpk dhe Soft & Solutions i realizuan të gjitha këto procedura brenda një kohë rekord, pse u desh presioni i ministrisë dhe kallëzimi penal, që kompania të paraqiste pas disa muajsh byzylykët?
Cili është roli i drejtorit të IT-së pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ermal Beqiri, në procedurat që shpallën Soft & Solutions, një nga kompanitë fituese të tenderit?
A ishte mjaftueshme koha prej dy javësh lënë në dispozicion të operatorëve ekonomikë për ndërtimin e aplikacionit, duke përfshirë përgatitjet, instalimin dhe testimin? Si mund të lihet një afat kaq i shkurtër për shpenzimin publik të buxhetuar prej 196 milionë lekësh? A është vendosur ky afat i paarsyeshëm për të përcaktuar fituesin e tenderit?
Çfarë pasojash do të sillte në sistemin e drejtësisë penale vendosja e një afati më të arsyeshëm për ndërtimin e aplikacionit?
Pse u vendos një afat prej tri javësh për kompanitë në garë, për të siguruar një sasi prej 300 copësh byzylykë, në një kohë kur kompanitë që fituan tenderin nuk i paraqitën byzylykët as 7 muaj më pas? A i ka shërbyer ky nxitim paracaktimit të fituesit të tenderit?
Një afat më i gjatë i zbatimit të kontratës çfarë risku konkret do të shtonte, për të çuar në dështimin e mbikëqyrjes në mënyrën e duhur dhe të plotë të të dënuarve penale, të vendosur në sistemin e mbikëqyrjes elektronike?
Pse Ministria e Drejtësisë vendosi specifikime teknike unike, që sigurohen vetëm nga një firmë në botë, me të cilën mund të kishte kontakte kompania fituese e tenderit? A nuk është paradoksal fakti që, nga njëra anë u kërkua një afat rekord për ndërtimin e aplikacionit dhe, nga ana tjetër, u vendosën specifikime teknike të hollësishme deri në detaje, për të cilat kompanive u duhej më shumë kohë?
Pse u vendosës si kusht çertifikatat e veçanta për operatorët ekonomikë, që lëshohen vetëm nga një institut i vetëm në botë, në shkelje me ligjin e prokurimeve?
Pse u kërkua vetëm një lloj sistemi për monitorimin dhe kontrollin e ambientit, sistem që sigurohet vetëm nga marka Fibaro? A cenon konkurrencën një kusht i tillë, në funksion të favorizimit të fituesit?
Çfarë fshihet pas kritereve teknike përjashtuese dhe të rralla sa i takon kamerave të monitorimit?
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com
