Zuckenberg përpara Kongresit: Ndjesë publike për skandalin e privatësisë në Facebook

Zuckenberg përpara Kongresit: Ndjesë publike për skandalin e privatësisë në Facebook

Mark Zuckerberg, kreu ekzekutiv i kompanisë Facebook, kërkoi ndjesë publike për skandalin e privatësisë që ka dëmtuar emrin e gjigantit të medias sociale të themeluar prej tij më shumë se një dekadë më parë.

Zuckerberg i filloi komentet përballë një komisioni të senatit amerikan duke marrë mbi vete përgjegjësinë që nuk mundi të parandalojë skandalin me firmën Cambridge Analytica, të lidhur me fushatën presidenciale të kandidatit Donald Trump, e cila mori nga Facebook-u të dhëna personale të 87 milion përdoruesve me synimin për të ndikuar tek zgjedhjet.

Zuckerberg u kishte kërkuar falje shumë herë përdoruesve dhe publikut, por kjo ishte hera e parë në karrierën e tij që ai dëshmon përpara Kongresit. Të mërkurën ai do të dëshmojë përpara një komisioni të ngjashëm të Dhomës së Përfaqësuesve.

Në seancat dëgjimore, Zuckerberg jo vetëm po përpiqet të rivendosë besimin e publikut te kompania e tij, por edhe të shmangë forcimin e rregullave federale ndaj Facebook-ut, për të cilat po flasin disa ligjvënës. Në deklaratën e hapjes përpara senatorëve, ai gjithashtu kërkoi falje për lajmet e rreme, gjuhën e urrejtjes, mungesën e privatësisë së të dhënave dhe ndërhyrjen e mediave ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

“Ne nuk e pamë me një vështrim të gjerë përgjegjësinë tonë, dhe ky ishte një gabim i madh'', tha ai. “Ishte gabimi im dhe kërkoj falje. Unë e themelova Facebook-un, e drejtoj atë dhe jam përgjegjës për atë që ndodh këtu.''

Ndërkaq, kompania ka filluar të njoftojë përdoruesit, të dhënat e të cilëve janë marrë nga Cambridge Analytica. Në një njoftim që u shfaq në Facebook për disa përdorues të martën, ata paralajmëroheshin se "një nga miqtë tuaj" e ka përdorur Facebook-un për të hyrë në një aplikacion tashmë të ndaluar, të quajtur "Kjo është jeta juaj dixhitale". Në njoftim thuhej se aplikacioni ka keqpërdorur informacionin tuaj, duke përfshirë profilet publike, pëlqimet e faqes, ditëlindjet dhe qytetet aktuale, duke e ndarë atë me Cambridge Analytica.

Pasi u rezistoi kërkesave të mëparshme për të dëshmuar, Zuckerberg pranoi të vinte në Kongres këtë muaj, kur u konfirmua se Cambridge Analytica kishte mbledhur të dhënat e përdoruesve të Facebook-ut. Zuckerberg tha se kompania e tij ka përgjegjësi për të siguruar se ajo që ndodhi me Cambridge Analytica nuk do të ndodhë përsëri.

Zuckerberg pritet të pyetet gjithashtu për përdorimin nga Rusia të mediave sociale të SHBA gjatë zgjedhjeve të 2016-ës, subjekt ky i disa hetimeve që po zhvillohen në kongres dhe i prokurorit të posaçëm Robert Mueller rreth ndërhyrjes ruse.

Në deklaratën e tij të hapjes, Zuckerberg foli për ndërhyrjen ruse dhe pranoi, siç ka bërë edhe në të kaluarën, se kompania u tregua shumë e ngadaltë për t'u kundërpërgjigjur dhe se "po punon me shpejtësi që të përmirësohet". Kompania ka thënë se deri në 146 milion njerëz mund të kenë marrë informacion nga një agjensi ruse që është akuzuar për orkestrimin e shumicës së ndërhyrjeve kibernetike në zgjedhjet amerikane.

"Ne do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë për të kuptuar shkallën e plotë të ndërhyrjes ruse dhe do të bëjmë punën tonë jo vetëm për të siguruar integritetin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në mbarë botën, por edhe për t'u dhënë të gjithëve një zë dhe që të jemi një forcë e së mirës në demokracitë kudo në botë", tha Zuckerberg.

FACEBOOK DHE PRIVATËSIA
Në qendër të debatit është qasja tek të dhënat personale të përdoruesve dhe llogarive të miqve të tyre në Facebook nga aplikacionet e palëve të treta. Faqja i dha kompanisë Cambridge Analytica informacione rreth bindjeve politike dhe fetare, ngjarjeve të ndjekura dhe postimeve të pëlqyera nga miliona përdorues të Facebook-ut.

Facebook pretendon se kjo ishte një shkelje e të dhënave "krejtësisht e gabuar". Komisionerë të tanishëm dhe të shkuar të Komisionit Federal të Tregtisë, një agjenci për mbrojtjen e konsumatorit, e shohin atë ndryshe. "Nëse po përpiqesh të mbash diçka private - dhe mendon se e ke caktuar atë të qëndrojë private - por të duhet të bësh edhe tre hapa të tjerë - kjo do të ishte problematike", thotë Terrell McSëeeny.

Ligjvënësit duan të dinë nëse Facebook ka shkelur një marrëveshje të vitit 2011 me Komisionin Federal të Tregtisë, ku u ka premtuar përdoruesve se aplikacionet e palëve të treta, mund të kenë qasje vetëm në informacionin e nevojshëm për të funksionuar.

“Ata padyshim nuk janë treguar të kujdesshëm ndaj zhvilluesve të aplikacioneve të palës së tretë", thotë David Vladeck i firmës “Georgetown Law”. Dhe ndërsa Facebook mund të përballet me gjoba të konsiderueshme nëse ka bërë shkelje, Kongresi gjithashtu do të shohë se si Facebook-u planifikon të mbrojë privatësinë e përdoruesit në të ardhmen.

"Mënyra se si ndërveprojmë me këto platforma është e paqartë - vërtet nuk mund të japësh pëlqimin në pjesën më të madhe dhe të gjithë e dinë këtë. Ju nuk i shihni qindra sy që po u shohin ndërsa shkruani diçka në Facebook. //// Disa nga këto ndryshime duhet të vijnë nga ana e formatimit të faqes", thotë Michelle De Mooy me Qendrën për Demokraci dhe Teknologji.

Ndërkohë bashkë-themeluesi i kompanisë Apple Steve ëozniak po ngreh dyshime nëse Facebook-u ka një zgjidhje të menjëhershme ndaj problemeve me privatësinë. Wozniak e bëri komentin të hënën vonë pasi njoftoi se po e mbyll faqen e tij në Facebook. "Facebook-u i mban gjërat e veta sekrete. Hipokrizi e madhe të mos respektojë privatësinë e përdoruesve. Kur Zuckerberg blenë të gjitha shtëpitë rreth tij dhe të gjitha tokat, shkon në Hauai për të ruajtur privatësinë e tij pasi ia di vlerën, por nuk pyet për privatësinë time”, tha Wazniak.

Marc Rotenberg – i cili ka ndihmuar formulimin e dekretit të pëlqimit – është optimist se dalja në dritë e këtij problemi do ta nxisë Kongresin të veprojë për një ligj të privatësisë për informacionin në Internet. "Facebook-u do t'u duhet t'u japë përdoruesve të drejta ligjore për grumbullimin dhe përdorimin e të dhënave të tyre dhe Facebook-u gjithashtu duhet të marrë disa përgjegjësi për grumbullimin e të dhënave. Mendoj se kjo do të ishte një pikënisje e mirë për Kongresin”.

Një propozim që Zuckerbergu ka të ngjarë të përballet përsëri sot gjatë një raundi të dytë pyetjesh para një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)