Pas skandalit të publikimit të pagave, Drejtori i Sistemit Informatik të Tatimeve ka dhënë dorëheqjen dhe është vendosur në dispozicion të hetimeve. Lista e pagave e pubikuar e re një ditë më parë, ishte e shoqëruar me një faqe tjetër të të njëjtit dokument ku ishin numra celulari personale të 900 mijë qytetarëve shqiptarë. 

Ndërkohë që sot skandali është thelluar me me publikimin e një databaze me targat e makinave shqiptarëve. Dokumenti përmban të dhëna për 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj! Të dhënat personale që publikohen janë tipi i makinës dhe targa e saj.

Ndërkohë që po sot AMA ka njoftuar mediat për shqetësimin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka bërë thirrje  që të respektojnë ligjin. Në një shkresë drejtuar mediave, AMA ka kërkuar marrjen e masave për ndalimin e transmetimit dhe përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale.

Që prej të mërkurës skandali me publikimin e pagave ka tronditur opinionin dhe është thelluar nga dita në ditë. Dje është publikuar një listë e re me mbi 694 mijë punonjës, pra rreth 60 mijë më shumë se lista e së mërkurës, duke dhunuar sërish në mënyrë skandaloze privatësinë e shqiptarëve. Skandali bëhet edhe më i madh kur në listë janë edhe numrat e telefonit të mbi 900 mijë shqiptarëve. Edhe ky dokument rezulton të jetë krijuar nga useri i ish-punonjëses së Tatimeve Mimoza Seraj, ndërkohë që është krijuar më 26 prill 2021 dhe e modifikuar për herë të fundit më datë 6 maj 2021. Ndërkohë që sot vijoi rrjedhja e të dhënave sensitive, me një tjetër databazë me të dhënat e makinave, duke përfshirë edhe targat. 

Pas një investigimi Shqiptarja.com publikoi fakte se lista me pagat e prillit 2021 është e publikuar nga e njëjta dorë që publikuan edhe atë të patronazhistëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:41
Publikimi i targave/ DPSHTRR: Po bëjmë verifikime, te lista kanë akses shumë institucione

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka njoftuar se kanë nisur hulumtimet pas daljes së listës së targave, e ndërsa ka bërë me dije se te këto informacione kanë akses disa institucione, duke bërë me dije se kjo listë nuk ka dalë nga DPSHTRR.

"Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, sapo u njoh me lajmin mbi daljen e disa të dhënave për targat e automjeteve në Republikën e Shqipërisë, nisi menjëherë hulumtimin dhe kërkimin e suportit nga kompania që mirëmban sistemin informatik, e kontraktuar nga AKSHI. Ndërkohë që do të kryhet një analizë e plotë për të dalë me një qëndrim zyrtar të bazuar në fakte, bëjmë me dije se kjo bazë të dhënash aksesohet nga shumë institucione, me nivele të ndryshme aksesi, dhe i shërben edhe operatorëve ekonomik shtetëror e privat", thuhet në njoftim. 

Ora 13:33
Tjetër rrjedhje e të dhënave personale, pas skandalit të pagave, del edhe 'database' me targat e makinave! Edhe të ambasadave e bizneseve

Nuk po marrin fund publikimet e të dhënave personale të shqiptarëve. Pas publikimit të rrogave dhe të dhënave të tjera të qytetarëve, së fundmi në rrjet po qarkullon një databazë me targat e makinave shqiptarëve.

Dokumenti përmban të dhëna për 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj! Të dhënat personale që publikohen janë tipi i makinës dhe targa e saj.

Ora 13:31
Skandali me pagat, AMA thirrje mediave: Respektoni ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale

Pas publikimit të bazës së të dhënave personale të qytetarëve siç janë numrat e ID-së dhe të pagave në sektorin shtetëror dhe privat, Autoriteti i Mediave Audiovizive u ka bërë thirrje mediave që të respektojnë ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Në një shkresë drejtuar mediave, AMA ka kërkuar marrjen e masave për ndalimin e transmetimit dhe përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale.

Sipas AMA-s ‘referuar parimeve themelore të veprimtarisë së mediave audiovizive, të parashikuara në dispozitat e ligjit nr. 97/ 2013 ‘Për mediat audiovizive, në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, operatorët e shërbimit audioviziv gjatë veprimtarisë së tyre duhet të respektojnë dhe të garantojnë të drejtën e ruajtjes së jetës private. Në mënyrë më të detajuar, parimet, rregullat, kërkesat dhe praktikat në transmetimet audiovizive përcaktohen në Kodin e Transmetimit.

‘Kërkojmë nga ana juaj respektimin e kërkesave të ligjit tonë organik dhe legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale si një e drejtë kushtetuese.’- njofton AMA.