Për nënkryetaren e PD, Jorida Tabaku, skandali i publikimit të pagave të mbi 694 shqiptarëve është pjesë e skemës së patronazhistëve. Me një deklaratë për mediat, Tabaku u shpreh se publikimi i këtyre të dhënave ekspozoi ' kalbësirën e sistemit putinist të Edi Ramës' ku sipas nënkryetares së PD, taksat e qytetarëve përdoren për të shpërblyer përfituesit e PPP-ve dhe inceneratorëve.
Reagimi i plotë i Tabakut:
Skandali i vjedhjes dhe i publikimi të të dhënave të 640 mijë qytetarëve, ka bërë që e keqja të trokasë te dera e çdo shqiptari që emrin dhe të dhënat e tij më të ndjeshme i gjen tek ai dokumenit që xhiron sot në mënyrë të pakontrolluar në kompjutera dhe telefona.
Këto të dhëna sensitive janë pjesë e skemës së patronazhistëve me të cilën u vodhën zgjedhjet e 25 prillit, dhe sot, këto të dhëna, janë një armë në dorën e çdo keqbërësi.
Pas PPP-ve, koncesioneve dhe tenderëve të paligjshëm e të pandershëm që kanë rrënuar ekonominë, që ka lënë në varfëri shumicën e shqiptarëve dhe ka dëmtuar sipërmarrjen e ndershme, jeta e secilit prej jush, e familjarëve tuaj, e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve tuaj, është e ekspozuar ndaj çdo shantazhi dhe keqpërdorimi, vetëm sepse Edi Rama dhe bashkëpunotërt e tij, u treguan të gatshëm të shkelin çdo ligj, të cenojnë edhe sigurinë tuaj, vetëm për të mbajtur me forcë pushtetin e tyre të korruptuar.
Ky skandal ilustron se si shteti ka rënë në duart e militantëve patronazhistë që veprojnë për të mbrojtur pushtetin e paligjshëm të Edi Ramës, dhe gjithashtu eskpozon kalbësirën brenda këtij sistemit putinist, ku taksat e qytetarëve, edhe në formën e pagave të majme, përdoren për të shpërblyer përfituesit e PPP-ve dhe koncesioneve.
Duke dëmtuar kështu tregun dhe profesionistët e ndershëm të vendit tonë, që shohin se si të ardhurat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe evazionit fiskal, konkurojnë padrejtësisht me ljeje të partisë-shtet.
Ky është edhe rasti i kompanive të inceneratorëve, që sot janë një skenë krimi, por që nga hulumtimi i të dhënave duket qartë se si me taksat që u janë vjedhur e u vidhen shqiptarëve, shpërblehen me paga marramendëse pronarët që sot janë në kërkim, dhe të punësuarit e tyre fiktiv.
Ashtu si kundër është vërtetuar edhe nga hetimi i SPAK rruga që ka ndjekur ish ministri Lefter Koka përmes krijimit të kompanive fiktive nga të cilat ai ka marrë pjesën e tij të korrupsionit.
Në të njëjtën mënyrë edhe ministra të tjerë të qeverisë Rama si Ahmetaj apo dhe Gjiknuri, Bllakon përfshirë edhe Agaçin, Sejdinin, Subashin apo dhe vetë Erion Veliaj kanë përdorur formula të tilla për të përfituar miliona euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Fatura me koncensionin e inceneratorëve shkon në 430 milionë euro dhe kjo është arsyeja se dhe sot e kësaj dite, Komisioni Hetimor e Inceneratorëve po bllokohet dhe po bojkotohet me vetëdije nga Partia Sociale, nga partnerët e tyre politikë, nga partnerët e tyre mediatik. Por njëkohësisht edhe nga institucionet shtetërore të cilët refuzojnë të paraqesin prova dhe evidence që dëshmojnë lidhjet e ngushta mes pushtetit dhe pronarëve të vërtetë të inceneratorëve.
Partia Demokratike ka denoncuar që tash 6 vite afera e inceneratorëve, duke filluar që nga konceptimi i tyre, nga krijimi i tyre, nga procesi për dhënien e këtij koncensioni, ka qenë korruptive. Çdo akt i marrë, çdo vendim Këshilli Bashkiak, çdo vendim i Këshillit të Ministrave kanë bërë që shteti të ngrihet në këmbë për të mbuluar këtë aferë, por njëkohësisht për të ndihmuar këtë aferë. Sot Inceneratori i Tiranës i cili shërben në fakt si lavatriçja e mirëfillt e pastrimit të parave, është një aferë krimi për të cilën SPAK-u nuk duhet të ketë frikë të hetojë, jo vetëm Erion Veliajn, por njëkohësisht edhe ministrat e përfshirë në vendimmarrje. Është e qartë, faktet janë e zeza mbi të bardhë që sot kushdo i përfshirë në vendimmarrjen e kësaj afere, që kushdo që sot vazhdon e paguan paratë publike për këtë aferë, duhej të ishte përpara drejtësisë.
Partia Demokratike në këto 8 vite ka denoncuar çdo aferë korruptive. Partia Demokratike nuk ka pasur në mënyrë absolute asnjë kompleks për t’i vendosur emrin atyre që e kanë bërë korrupsionin dhe për t’i denoncuar ato. Sot SPAK-u duhet të tregojë që mbrojtja politike që qeveria i ka ofruar, së pari kryeministrit, tre ministrave, Ahmetaj, Gjiknuri dhe Lefter Koka, por njëkohësisht dhe tre kryetarëve të Bashkisë, Veliaj, Subashi dhe Qzim Sejdini, duhet të përfundojë. Partia Demokratike do të vazhdojë ta denoncojë këtë aferë, por njëkohësisht do të hedh dritë edhe në Komisionin Hetimor pavarësisht të gjithë pengesave për aferën korruptive më të madhe të shekullit, aferën e Inceneratorëve! Faleminderit!
Lajmi kryesor: