Dhoma e Avokatëve të Athinës ka kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit të Gjykatës së Lartë, Konstantinos Tzavellas, pas vendimit për të mos rihapur hetimin për përgjimet e zbuluara në vitin 2022, kur telefonat e politikanëve, gazetarëve dhe biznesmenëve u infektuan me programin spiun Predator spyëare.

Vendimi për kërkesën e dorëheqjes u mor me shumicë votash në një mbledhje urgjente të Shoqatës së Avokatëve të Athinës, në një moment kur çështja vazhdon të ketë pasoja të forta politike dhe ligjore në vend.

Sipas avokatëve, ekziston një vendim gjykate në Athinë që flet për “prova të mjaftueshme” për vepra penale serioze dhe kërkon vijimin e hetimeve dhe hapjen e çështjes. Megjithatë, pavarësisht këtij vlerësimi, kryeprokurori ka vendosur të mos e rihapë dosjen, me argumentin se nuk ka prova të reja.

Ky qëndrim është cilësuar nga Dhoma e Avokatëve si “devijim institucional”, ndërsa janë ngritur edhe shqetësime etike për faktin se Tzavellas ka pasur përfshirje të mëparshme në këtë çështje. Çështja lidhet me një nga skandalet më të mëdha të viteve të fundit në Greqi, ku në vitin 2022 u zbulua se disa figura publike ishin përgjuar përmes një programi të sofistikuar që lejon kontroll të plotë të komunikimeve.

Mes personave që pretendojnë se janë përgjuar është edhe lideri i PASOK, Nikos Androulakis, i cili ka reaguar duke kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar pas vendimit për të mos rihapur çështjen.

Opozita në Greqi akuzon qeverinë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për përfshirje në përgjime përmes shërbimeve inteligjente, ndërsa qeveria i mohon këto akuza dhe këmbëngul se nuk ka lidhje me programin “Predator”.

Ndërkohë, një tjetër element që ka rritur dyshimet është deklarata e Tal Dilian, drejtues i kompanisë Intellexa, e lidhur me këtë program, i cili ka thënë se teknologjia shitet vetëm për qeverinë. Edhe pse dosja kryesore nuk u rihap, çështja mbetet aktive në gjykata. Më 11 dhjetor pritet të zhvillohet një proces në apel për katër persona të dënuar në lidhje me këtë skandal.