LEZHË- Teksa Anti- Mafia italiane ka prova, përgjime që implikojnë këshilltarin e tij, Ilir Kulla në skandalin e lajmin fals për mbetjet toksike, Presidenti Ilir Meta shmang një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke e quajtur si "fake news" të mediave, edhe pse për këtë çështje drejtësia italiane ka çuar në pranga 8 persona. Pyetjes së Report TV e cila ishte e para që zbuloi skandalin në 2017, një muaj pas botimit të shkrimit në mediat italiane, Meta iu përgjigj shumë shkurt duke thënë e gjitha kjo po bëhet për të hequr vëmendjen nga problemet e vërteta që përballet Shqipëria dhe më pas u largua me shpejtësi, duke mos lënë hapësirë për pyetje të tjera.

 "Nuk kam ndërmet të merrem me fake news dhe as të mediave italiane dhe shqiptare, por kam çështje më të rëndësishme për t'u marrë se fabrikime që kërkojnë heqin vëmendjen nga problemet themelore të Shqipërisë, demokracisë dhe qytetarëve", tha Meta.

Po si është historia? Media italiane "Pianeta Italia News" 3 vite më parë publikoi një lajm ku shkruhej se 1400 konteinerë me mbetje toksike ishin nisur drejt vendit tonë për t'u groposur. Një lajm i tillë shkaktoi shumë trazira në politikën shqiptare, e megjithatë pas hetimeve të kryera, prokuroria italiane doli në përfundimin se ky lajm ishte bërë me porosi nga këshilltari i presidentit Ilir Meta, Ilir Kulla me qëllim që të sulmonte qeverinë shqiptare. Ilir Kulla përmendej me emër dhe mbiemër në dosjen e anti- mafias italiane, të cilët i kishin hartuar edhe një profil se çfarë përfaqësonte ky emër në Shqipëri. (Lexo këtu). Report Tv zbardhi pjesë nga dosja e anti-mafies italiane ku implikohet Ilir Kulla. Nga përgjimet rezultoi se Kulla ka mandatuar, ish-senatorin Sergio de Gregorio, njëherazi edhe pronari i medias "Pianeta Italia News", për një fushatë shtypi denigruese kundër qeverisë Rama për të provokuar rënien e saj. Për të ndjekur nga afër këtë, Kulla kishte udhëtuar vetë drejt Italisë pasditen e 26 shkurtit 2017, ndërsa 2 ditë më pas u botua lajmi i rremë për mbetjet. Njëjtë si presidenti Meta, edhe Kulla u mjaftua të thoshte se e gjitha kjo është vetëm një shpifje për të tërhequr vëmendjen nga dështimi i 'Zgjedhores'.