TIRANE- 3 vite nga 'Fake News'-i nga një faqe italiane "Pianeta Italia News" që trazoi politikën shqiptare me lajmin se 1400 konteinerë me mbetje toksike ishin nisur drejt vendit tonë për t'u groposur, prokuroria e vendit fqinj zbulon skandalin se kush fshihej mbrapa duke arrestuar tetë persona.

Prokuroria italiane nga hetimet që ka bërë ka zbuluar se pas skandalit qëndron këshilltari i presidentit të sotëm Ilir Meta, Ilir Kulla "Lajmi u sajua me porosi të këshilltarit'' të Ilir Metës deklaron anti-mafia italiane.

Mes tetë personave të arrestuar në Itali për këtë skandal është edhe ish-senatori Sergio de Gregorio, pronar i faqes online "Pianeta Italia News", që prodhoi lajmin e rremë. Mediat italiane kanë publikuar pamjet e momentit të arrestimit të pronarit të faqes italiane dhe të tjerëve.

Anti-mafia italiane deklaron se "Ilir Kulla porositi fushatën kundër qeverisë shqiptare" në mediat e vendit fqinj. Fushata denigruese nisi në 2017-ën dhe asokohe u mbështet edhe nga opozita shqiptare.

Këshilltari i Ilir Metës ka qenë në Itali në 26 shkurt, ndërsa 2 ditë më pas faqja "Pianeta Italia News" botoi lajmin e rremë. Këshilltari i kreut të sotëm të shtetit mbërriti në Itali 2 ditë para se të botohej shkrimi për ta ndjekur nga afër gjithcka në tentativën për rrëzimin e qeverisë shqiptare.

Skandalin që sot e dokumentoi drejtësia italiane, Shqiptarja.com e zbuloi që në 2017, një muaj pas botimit të shkrimit në mediat italiane.

Shqiptarja.com dhe Report Tv investiguan duke zbuluar se lajmi i 1400 kontenierëve me mbetje që sipas portalit italian Pianeta Italia News janë zhdukur në Shqipëri është fals. Sot drejtësia italiane konfirmoi investigimin duke çuar tetë persona në pranga dhe zbuluar se pas kësaj tentative për të rrëzuar qeverinë qëndron këshilltari i Ilir Metës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:01
Skandali me lajmin fals për mbetjet, Balla: Basha t'u kërkojë falje shqiptarëve që u bë tyta e një 'Fake News'-i

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i ka kërkuar kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha t'u kërkojë falje shqiptarëve për lajmin e rremë për konteniet me mbetje nga Italia në Shqipëri, i cili u zbulua nga Anti-mafia italiane.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social facebook nga numri dy i PS-së, shfaqet Lulzim Basha në Çadrën e Lirisë në bulevard, duke akuzuar asokohe kryeministrin Edi Rama se ka lejuar të futen në Shqipëri në mënyrë të fshehtë 1300 kontenierë me mbetje të rrezikshme.

Gjithashtu Balla thekson se Lulzim Bashës duhet t'i vijë turp që u bë tyta e një “Fake News”-i të zbuluar nga Anti-mafia italiane.  "Luli Basha duhet t’i vijë turp dhe tu kërkojë falje shqiptarëve që u bë tyta e “Fake News”-i për konteinerët nga Italia në Shqipëri.  Anti-mafia italiane zbuloi skemën e turpshme!", shkruan Balla.

Ora 16:36
Pjesë nga dosja italiane: Ja kush është Ilir Kulla, këshilltari i Metës që porositi fushatën denigruese kundër Ramës

Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, Ilir Kulla doli në hetimet e anti-mafies italiane se ishte ai që kishte porositur lajmin e rremë me kontenierët me mbetje për të rrëzuar qeverinë Rama. Por kush është Ilir Kulla sipas italianëve? Nga dokumenti që kanë përgatitur figura e tij paraqitet në këtë mënyrë.

"Ilir Kulla lindur në Shqipëri në 19 mars 1974 është një personazh politik i njohur në Shqipëri, ekspert sigurie dhe analist gjeopolik me raporte të mira me Italinë në shumë vite. Nga burimet kuptohet që Kulla është këshilltar politik i dy presidentëve Meta dhe Mejdani me zyrë në Këshillin Atlantik.

Kulla gjithashtu ka miqësi me Salah el din Kuftaro, djali i myftiut të madh, autoriteti më i madh fetar në Siri dhe drejtor i ABOU NOUR, fondacioni më i rëndësishëm islamik në Lindjen e Mesme.

Duke pasur marrëdhënie të mira me Romën zyrtare, gjithashtu ai ka qenë një nga ndërmjetësit për lirimin e dy vajzave italiane të rrëmbyera në Siri" thuhet në dokumentin që publikon Shqiptarja.com.

Pjese nga dosja italiane
Ora 16:05
Si e përdori Basha fake news-in e këshilltarit të Metës për të goditur qeverinë Rama nga çadra e protestës

Anti-mafia italiane zbuloi sot skandalin ku këshilltari i Presidentit aktual Ilir Meta, Ilir Kulla akuzohet se kishte porositur një fushatë denigruese në mediat italiane me qëllim provokimin e situatës për të rrëzuar qeverinë Rama. Fushata kishte për synim fabrikimin e disa lajmeve të rreme për ardhjen e mbetjeve nga Italia në Shqipëri.

Lajmi fals 3 vite më parë u shfrytëzua menjëherë nga kryedemokrati Lulzim Basha i cili u përpoq t’i bëjë jehonë këtyre prodhimeve. “Sot që jemi këtu me sa duket lajmet po shpërthejnë nga të gjitha anët, po presim konfirmimin e plotë të tyre, por me sa duket ndodhemi përpara një krimi të përmasave të paimagjinueshme.

Bëhet fjalë për 1300 kontenierë, jo fuçi, kontenierë, secili prej tyre me peshë 30 ton, që mund të jenë futur në Shqipëri kundër ligjit, kundër Kushtetutës, kundër vullnetit të qytetarëve shqiptarë dhe që rrezikojnë në mënyrë fondamentale sigurinë dhe shëndetin e shqiptarëve në ato zona ku janë futur”, shprehej Basha nga çadra para Kryeministrisë.

Ora 16:00
Lajmi i rremë për mbetjet në 2017! Ja si mediat e PD-LSI i bënin jehonë fake news-eve të këshilltarit të Metës për denigrimin e Ramës

Lajmi i rremë në vitin 2017 për kontenierët me mbetje nga Italia u ndihmua për t'u përhapur edhe nga mediat pranë PD-LSI të cilat u përpoqën të përcillnin “fake news-et” e fabrikuara. Këto media asokohe i bënë jehonë të jashtëzakonshme këtyre lajmeve të rreme pa kryer asnjë verifikim paraprak mbi besueshmërinë e burimit të tij, ndërsa Shqiptarja.com dhe Report Tv i shkuan deri në fund duke zbuluar atë që prokuroria italiane konfirmoi sot, që lajmi ishte i rremë.

Ora 15:39
Prokuroria italiane: Nga përgjimet del që këshilltari i Metës porositi fushatë denigruese kundër Ramës

Report Tv zbardh një pjesë nga dosja e anti-mafies italiane ku implikohet këshilltari i Presidentit Ilir Meta, Ilir Kulla. Nga përgjimet rezulton se Kulla ka mandatuar, ish-senatorin Sergio de Gregorio për një fushatë shtypi denigruese kundër qeverisë Rama për të provokuar rënien e saj. Për të ndjekur nga afër këtë, Kulla ka udhëtuar vetë drejt Italisë pasditen e 26 shkurtit 2017, ndërsa 2 ditë më pas u botua lajmi i rremë për mbetjet.

"Në bazë të përgjimeve, Ilir Kulla i ka kërkuar De Gregorios për të organizuar përmes njohjeve të tij dhe mjeteve të komunikacionit që kishte në dispozicion një fushatë shtypi denigruese për qeverinë shqiptare, që do të provokonte rënien e saj. Vetë Kulla ka shkuar në Itali në 26 shkurt 2017, por të ndjekur cështjen nga afër" thuhet në pjesën e dosjes ku argumentohet arrestimi i ish-senatorit.

Pjese nga dosja italiane
Ora 14:27
Akuzohet se porositi shkrimin Fake News kundër Ramës, këshilltari i Metës: Shpifje për të hequr vëmendjen nga dështimi i 'Zgjedhores'


Këshilltari i Ilir Metës, Ilir Kulla ka reaguar pasi mediat italiane i nxorën emrin në skandalin e fake news të porositur në vendin fqinj për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Kulla shprehet se akuzat nuk janë të vërteta. Sipas tij, e gjitha kjo është një shpifje, që bëhet për të larguar vëmendjen nga dështimi i marrëveshjes së reformës zgjedhore.

"Te dashur miq kisha vendosur te mos perdorja me facebook por nje fakeneës e servirur ne media sot ne lidhje me emrin tim me detyron ti pergjigjem atyre qe kane merakun te heqin vemendjen nga biznesi me i madh i mafias ne Shqiperi droga dhe mesa duket fatkqesisht nga deshtimi i marreveshjes se Reformes Zgjedhore.

Nuk eshte sekret qe une njoh dhe kam shume miq ne Itali. Kryesisht ata jane njerez te medias. Politikes dhe Biznesit. Edhe ne shkrimin ne fjale behet fjale se une paskam njohje me ish Kryetarin e Komisionit te Mbrojtjes te Senatit italian Sergio De Gregorio. Sigurisht kam njohur kete senator dhe shume te tjere deputete, ministra madje dhe Kryeministra dhe Presidente.

Pavaresisht qasjes qesharake te nje shkrimi te porositur se une paskam lobuar kunder qeverise Tone ne Itali e atij qe i paskam lobuar dhe me paska paguar per "detyren" qe i paskam dhene. Me duhet te them se kjo eshte vetem nje SHPIFJE dhe asgje me teper. Cdo kritike, oponence dhe opozite qe kam bere me kete qeveri dhe qeverite e meparshme i kam patur publike dhe do ti kem publike. I vetmi koment qe kam eshte SHPIFJE, sa per plehrat ato nuk jane vetem mbetje organike dhe urbane por mbi te gjitha mbetje njerezore" deklaron Ilir Kulla.