Deputetët socialistë, fillimisht Erion Brace ne rrjetin social Facebook dhe më pas Eduard Shalsi në një deklaratë zyrtare kanë publikuar shifra sipas të cilave, gjatë kohës kur ministria e Brendshme drejtohej nga kryebashkiaku aktual Basha dhe presidenti Nishani, agjencia e reklamave e menaxhuar nga vëllai i pronarit të tv Klan ka krijuar spotet propagandistike në këmbim të shumave të konsiderueshme. Vetëm gjatë vitit 2010 shuma e shpenzuar për propagandë nga Ministria e Brendshme është 1.9 milion dollarë ndërsa për vitin 2011 ajo ka qenë 1 milionë dollarë.
(Ne foto lart skica e publikuar dje nga deputeti i PS Eduard Shalsi, dhe poshte deklarata e Braces ne facebook)
Nga të dhënat rezulton se vetëm për pesë mujorin e parë të vitit 2012 janë shpenzuar 714 mijë dollarë dhe sipas opozitës nuk bëhet fjalë për reklama por për propagandë të pastër politike të shitur tek klientela e drejtpërdrejtë mediatike e kryeministrit. Shpenzimet e ministrisë kryhen në një kohë kur efektivët e Policisë së Shtetit ushtrojnë detyrën në kushte mjaft të vështirë, paga të ulëta dhe mospagesë të orëve shtesë të punës.
DEKLARATA E PLOTE E EDUARD SHALSIT (17 shtator 2012)
Kriza ekonomike është ulur këmbëkryq në Shqipëri. Kjo gjë është e shprehur qartë në uljen e ndjeshme të fuqisë blerëse, në rritjen e çmimeve, në pamundësinë e shqiptarëve për të përballuar jetesën në kushtet e vështira në të cilën gjenden bizneset. Të cilat nga njëra anë duhet të paguajnë kreditë e marra dhe nga ana tjetër janë krejtësisht të çorientuar nga trysnia e qeverisë që i shantazhon me gjoba dhe penalitet. Pikërisht në këtë situatë të rëndë, dramatike ekonomike, ku çdo qeveri e përgjegjshme do të kontrollonte shpenzimet e kota, qeveria e Sali Berishës jo vetëm që nuk ka ndërmarrë asnjë masë, por përkundrazi, do të rrisw shpenzimet për të vetreklamuar veten e saj.
Sot ne do të bëjmë publike shpenzimet e reklamave të disa ministrive, për t’i dhënë mundësi shqiptarëve të shohin sesi shpenzohen dhe ku shkojnë paratë e tyre. Në mënyrë që të kuptojnë akoma dhe më mirë sesi shpërdorohen paratë e tyre. Do ta fillojmë sot me Ministrinë e Brendshme, e cila në vitin 2006 e sapo ardhur në pushtet shpenzoi 7500 dollarë për reklamë. Një vit më pas shifra u rrit në 100 mijë dollarë. Në vitin 2008 shifra përsëri dyfishohet, 219 mijë dollarë. Për të arritur tek viti 2009, me 765 mijë dollarë. Kulmi në vitin 2010, ndërkohë që Lulzim Basha drejtonte këtë ministri, shifra arrin një kulm të paimagjinueshëm. Afërisht 2 milion dollarë ka shpenzuar ministria e Lulzim Bashës për llogari të Sali Berishës. Shuma ekzakte 1 930 000 dollarë, duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Një vit më pas, në vitin 2011, 1 milion dollarë për reklamë dhe propagandë qeveritare. Në vitin 2012, në 5 mujorin e parë, shifra kap 714 000 mijë dollarë.
Viti 2006 7 500 $
Viti 2007 100 000 $
Viti 2008 219 000 $
Viti 2009 765 000 $
Viti 2010 1 930 000 $
Viti 2011 1 000 000 $
Viti 2012 vetëm për 5 mujorin e parë 714 000 $
Pra, këto janë shpenzimet marramendëse, mbi 4 milion euro, për të propaganduar qeverisjen e saj. Pra, Sali Berisha shpenzon miliona dollarë për të reklamuar veten e tij. Ajo që bie në sy është një kompani e pranishme në të gjithë këto vite, quhet ‘ Promo shpk’. Nuk bëhet fjalë për reklama informuese, por për propagandë të pastër politike dhe e shitur tek klientela e drejtpërdrejtë mediatike e kryeministrit. Pra, nga njëra anë kemi dhjetëra, qindra, miliona euro të shpenzuara në reklama dhe nga ana tjetër janë të njohura kushtet e vështira të punës, pagat e ulëta të punonjësve të Policisë së Shtetit. Është një tjetër fakt i njohur mospagesa e orëve të punës shtesë për qindra punonjës të policisë, mungesa e karburantit për makinat e policisë dhe gjithkush sjell në vëmendje pamjet e shëmtuar ku policët ishin te detyruar që shtynin makinat. Pse? Se nuk kishin naftë dhe për të vazhduar me mungesën e pranuar tashmë të logjistikës adekuate.
Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë së Sali Berishës të cilën shqiptarët e dinë, por që ne do t’ua bëjmë edhe më të kuptueshme dhe më të qartë përditë”.
(dm/sg/shqiptarja.com)