15 muaj pas vrasjes brutale të Egli Progës në Pogradec, sot asnjë prej 5 të akuzuarve nuk është në qeli. Me vendim të Gjykatës së Korçës, 3 ditë më parë, kanë lënë qelinë edhe dy vrasësit e dyshuar. Leonidha Guçe dhe Denis Meçe dolën nga paraburgimi, pasi Prokuroria e Korçës shkeli afatet, dhe gjyqtarja Luljeta Kole caktoi ndaj tyre masën arrest shtëpie, deri në përfundimin e hetimeve. Ndërkohë, Arjan Manellari, Voltan dhe Andi Shkulaku, të akuzuar për moskallëzim krimi, po hetohen prej kohësh në masën detyrim paraqitjeje.

Vrasja e Progës ndodhi më datë 10 gusht 2024, por Prokuroria e Korçës ende po vijon me hetimet. Çështja ka “ngrirë” në zbardhjen e kamerave të sigurisë të sekuestruara në lokal “Stropcka” ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa pamjet filmike të fshira janë çuar jashtë Shqipërisë për ekspertim dhe për rikthim të tyre. Por duket se vonesa në dokumentimin e plotë të ngjarjes është bërë shkak që pala mbrojtëse e Denis Meçes dhe Leonidha Guçes të kërkoj ndryshimin e masës së sigurisë për ta. Aktualisht pritet që ata të ndjekin vijimësinë e hetimeve jashtë qelisë, ndërsa ata akuzohen për vrasje me dashje, e kryer në bashkëpunim.

Leonidha Guçe fillimisht ishte hetuar vetëm për moskallëzim krimi, por 9 muaj pas vrasjes Prokuroria zbuloi se edhe ai kishte marrë pjesë në rrahjen brutale të Progës, bashkë me Denis Meçen. Proga është dhunuar brenda lokalit nga Leonidha Guçe e më pas është goditur kur ka dalë nga lokali dhe nga Denis Meçe. Këto të dhëna u zbuluan gjatë rrëfimit të të pandehurve dhe ballafaqimit të tyre në dhomat e paraburgimit.

Vetëm një pjesë e kamerave ishte arritur të rikuperohet nga Prokuroria e Korçës, si në lokalin ku ndodhi ngjarja, por edhe të një marketi përballë. Pamjet dyshohet se ishin fshirë nga pronari i lokalit Voltan Shkullaku dhe Leonidha Guçe e Arjan Manellari, duke përdorur një virus kompjuterik.

Me rreth të kuq, Leonidha Guçe dhe momenti kur trupi i Progës po futet në ambulancë, 10 gusht 2024

Si ndodhi vrasja e Egli Progës?

Vrasja e 42-vjeçarit Egli Proga, babai i dy fëmijëve, dhe mënyra se si policia trajtoi ngjarjen irritoi opinionin publik. Qytetarët u ngritën në protesta dhe me qirinj e fotot e Eglit në duar, kërkonin drejtësi. Denis Meçe, nipi i Valter Gorës, ish-drejtorit të Postës Shqiptare, i kërkoi disa herë Progës që t’i dridhte një cigare dhe pasi ky i fundit ia bëri gati i tha të shkojë ta marrë, por Meçe u fut në lokal dhe debatuan.

Aty është qëlluar nga Leonidha Guçe dhe pasi ka dalë jashtë, Denis Meçe e goditi me grusht Progën, koka e të cilit u përplas me një makinë të parkuar dhe në asfalt. Disa minuta më vonë mbërriti ambulanca, dhe pasi u transportua në spital, u konfirmua i vdekur. Ekspertiza e mjekësisë-ligjore nxori si shkak të vdekjes hemorragjinë në cipën e trurit dhe hemorragjinë në indin trunor. 

TË AKUZUARIT
Denis Meçe-vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim (arrest shtëpie)
Leonidha Guçe -vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim (arrest shtëpie)
Arjan Manellari,  moskallëzim krimi (detyrim paraqitjeje)
Voltan Shkulaku,  moskallëzim krimi (detyrim paraqitjeje)
Andi Shkulaku,  moskallëzim krimi (detyrim paraqitjeje)