ATHINE- Ministri grek i Mbrojtjes Dimitris Avramopoulos është zotuar se do të ndryshojë mënyrën e prokurimit të armatimeve, duke e bërë atë më transparente. Kjo deklaratë e ministrit Avramopoulos vjen në të njëjtën ditë kur në Athinë nisi gjykimi kundër një grupi të gjerë të dyshuarisht për korrupsion, mes tyre edhe zyrtarë të lartë të mbrojtjes dhe tregtarë të armëve.
 
Propozimi i ministrit grek të Mbrojtjes do t’i paraqitet parlamentit “në një të ardhme të afërt”.
 
Deklarata e tij vjen si reagim ndaj dëshmisë që dha të premten Antonis Kantas, që ishte zëvendësshefi i armatosjes në ministrinë e Mbrojtjes prej vitit 1997 e deri më 2002.
 
Ai pranoi sot në gjykatë se ka pranuar mbi 16 milionë dollarë në ryshfet për kontratat që lidhesin me firmat e huaja nga shtetet si Gjermania, Franca, Suedia, Rusia dhe Brazili.
 
Dy tregtarë të armëve, të cilët i ka identifikuar Kantas, janë arrestuar dhe akuzuar gjatë muajit dhjetor.
 
Shkak i borxheve të mëdha që grumbulloi Athina zyrtarë llogaritet të jenë edhe shpenzimet e mëdha të armatës.
 
Ndërkaq për shpëtimin nga falimenti, BE dhe MFN i dhanë rreth 240 miliardë euro në 2010 dhe 2012, duke udhëzuar një paketë masash shtrënguese për shkurtim të shpenzimeve.
 
Por kjo situatë çoi në rritjen e varfërisë dhe papunësisë në vend.
 
Ndaj skandali në ushtri është bërë një rast i ndjeshëm për shumë grekë, mbi të cilët rëndon situata e krijuar.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)