Skandali në FSHF, Fino: Janë
dhe 4 shoqata të tjera fantazmë

Skandali në FSHF, Fino: Janë<br />dhe 4 shoqata të tjera fantazmë<br>
Thellohet skandali në FSHF. Kandidati për President të FSHF, Bashkim Fino deklaron se janë 12 shoqatat fantazmë. Fino publikon në Facebook dokumentin me përgjigjen nga Gjykata e Tiranës ku theksohet se shoqatat e Trajnerëve, Mjekëve Sportivë, Arbitrave dhe e Futsallit janë të paregjistruara, ashtu si 8 rajonalet.

Fino i cilëson si ndërtime pa leje dhe skandal të paprecedent faktin sesi për vite me radhë FSHF ka mbyllur sytë. Skandalin e paralajmëroi pak ditë më parë në Report Tv gazetari Fation Shehu. “Pas 8 Shoqatave Rajonale, që u faktuan ligjërisht se nuk janë të regjistruara në Gjykatë, sot jam tronditur kur kam mësuar në mënyrë zyrtare që nuk janë të regjistruara as 4 Shoqatat e tjera.

Nëpërmjet vërtetimit nr. 156/1 Prot., i marrë nga Gjykata e Tiranës rezulton se nuk janë të regjistruara as Shoqata e Trajnerëve, Shoqata e Mjekëve Sportivë, Shoqata e Arbitrave të Futbollit dhe Shoqata e Futsallit. Ky është një skandal i paprecedentë i një Federate, e cila për vite me radhë ka mbyllur sytë para këtyre "ndërtimeve pa leje", që i kanë zënë frymën futbollit shqiptar me ilegalitetin e tyre”,
deklaron Fino.

Nga 66 anëtarët e Asamblesë, 54 janë klube futbolli dhe 12 shoqata sportive, që nuk janë të regjistruara. Pra janë shoqata fantazmë, të cilat njihen vetëm nga FSHF-ja por jo nga organet e shtetit shqiptar, por që mund të vendosin për garën që do të zhvillohet në datë 7 shkurt nëse do të votojnë. Bashkim Fino ka paralajmëruar se nëse përfaqësuesit e këtyre shoqatave do të drejtohen për të votuar do i dërgojë në prokurori, por FSHF është e vendosur që t’i lejojë që të votojnë.

Si bëhen zgjedhjet në FSHF dhe kush voton
Asambleja e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore e FSHF-së, do të mblidhet më 7 shkurt në Durrës. Interesimi më i madh për këtë Asamble është zgjedhja e Presidentit të FSHF-së dhe 11 anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv. Sipas Statusit të FSHF-së Asambleja e Përgjithshme është organi më i lartë legjislativ i Federatës Shqiptare të Futbolli dhe përbëhet nga 66 anëtarë me të drejtë vote.

Në faqen zyrtare të FSHF renditen nominalisht se kush janë këta anëtarë, prej të cilëve 54 janë klube sportive të gjithë kategorive të futbollit dhe 12 janë shoqata, prej të cilave 8 janë shoqata rajonale: Shoqata Rajonale Tiranë, Shoqata Rajonale Shkodër, Shoqata Rajonale Lezhë, Shoqata Rajonale Durrës, Shoqata Rajonale Elbasan, Shoqata Rajonale Fier, Shoqata Rajonale Korçë, Shoqata Rajonale Gjirokastër. 3 janë shoqata që kanë lidhje direkte me aktivitetin si: Shoqata e Arbitrave, Shoqata e Trajnerëve dhe Shoqata e mjekeve sportive, ndërsa 1 është Shoqata e Futsallit.

Si zgjidhet Presidenti
Për zgjedhjen e presidentit të FSHF-së kandidatët duhet të marrin 2/3 e votave. Nëse asnjë nuk e arrin këtë numër, dy kandidatët me më shume vota, zhvillojnë raund tjetër. Fiton ai që merr më shume vota. Nëse edhe në këtë rast nuk fiton askush, 24 orë më vonë mbahet një tjetër asamble, me votim tjetër. Ndërsa për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, fitojnë ata që kanë 50 për qind plus 1 votë në raundin e parë.

Nëse në raundin e parë nuk fitohet, zhvillohet i dyti dhe fitohet me shumicë të thjeshtë votash. Nëse sërish votat janë barabar, bëhet një raund i tretë dhe, nëse as ky nuk mjafton, anëtarët zgjidhen në bazë të shortit. Neni 13, Pika 2: Çdo kandidat propozohet nga të paktën një anëtar i FSHF-së, jo më vonë se 20 ditë para datës së asamblesë.

Duka sponsor i Skënderbeut
Veç shoqatave Armand Duka ka edhe vota të tjera të sigurta nëpërmjet lidhjeve të tij të biznesit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit rezulton, që prej vitit 2009, si një prej aksionerëve kryesorë të kompanisë që menaxhon “Ama Caffe” që është edhe sponsori zyrtar i skuadrës së Skënderbeut. 

Sipas dokumentit zyrtar në Qendrën Kombëtare të Biznesit të kompanisë “New Century”, që zotëron “Ama Caffe”, Armand Duka është aksioner me 25 përqind së bashku me vëllain e tij Agron Duka që zotëron 25 përqind të tjera, ndërsa aksioner tjetër është Agim Zeqo, ish-president i Skënderbeut me 50 përqind. Kjo kompani është sponsori zyrtar i skuadrës së Skënderbeut që mban në fanellë emrin “Ama Caffe”.

Pra një konflikt i pastër interesi. Armand Duka si president i FSHF-së duhet të jetë i paanshëm në ruajtjen e rregullave të garës në kampionatin shqiptar, por nga ana tjetër ecuria sa më e mirë e Skënderbeut do të thotë një promovim i suksesshëm i kompanisë së tij tregtare dhe një plus për interesat e tij ekonomike.
Fino

Dokumenti i publikuar nga Bashkim Fino

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ E rrallë, foka viziton bregdetin e Sarandës

VIDEOLAJM/ E rrallë, foka viziton bregdetin e Sarandës