Treqind mijë euro në rast suksesi ndaj Bosnje Hercegovinës në finalen e play-off-it të Botërorit. Kjo është shifra që kërkuan futbollistët e Italisë si shpërblim në rast kualifikimi për në Botërorin e SHBA, Meksikës dhe Kanadasë.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja ‘La Repubblica’ sipas së cilës përpara ndeshjes vendimtare në Zenica, disa futbollistë të kombëtares italiane të futbollit pyetën për një shpërblim në rast kualifikimi në eventin madhor që do të mbahet në 11 qershor - 19 korrik. 

Shifra për të cilën diskutohej arrinte deri në 300 mijë euro për t’u shpërndarë mes 28 futbollistëve të grumbulluar nga Gattuso për gjysmëfinalen me Irlandën e Veriut dhe finalen; që domethënë pak më shumë se 10 mijë euro për secilin prej lojtarëve.

Hapi i parë i tyre ishte që ata të flisnin me stafin teknik dhe gjithnjë sipas ‘La Repubblica’, ishte vetë ish-trajneri Gattuso ai që i bindi futbollistët të hiqnin dorë nga propozimi i tyre dhe t’i drejtoheshin Federatës; kërkesë e pavend përpara një impenjimi kaq të rëndësishëm në fushën e lojës. 'Të meritojmë kualifikimin e më pas të shohim', ishte mesazhi i ish-trajnerit të kombëtares italiane.

Bosnje Hercegovina fitoi pas 11 metërshave kundër Italisë duke lënë 'Të kaltrit' për herën e tretë radhazi jashtë grupeve të Kupës së Botës. Kjo gjë solli një 'furtunë' në futbollin italian, teksa kreu i Federatës, Gabriele Gravina dha dorëheqjen, e bashkë me të Gianluigi Buffon, shefi i delegacionit të kombëtares, së bashku me trajnerin Gennaro Gattuso dhe stafin e tij.