Skandali në Prishtinë, e
quajnë rrugën "Eçrem Qabej"

Skandali në Prishtinë, e<br />quajnë rrugën
TIRANE - Akademikët në Kosovë thonë se është “Bardi i gjuhës shqipe”. Ai është Eqrem Çabej, gjuhëtari i madh, i cili për sa kohë jetoi dhe punoi për gjuhën e kishte parashikuar edhe debatin për përfshirjen e dialekteve në shqipen e njësuar, por asnjëherë nuk do t’u besonte dot syve që kultura gjuhësore në institucionet e shtetit do të binte aq poshtë sa atij vetë; nga Eqrem Çabej, t’ia shkruanin emrin “Eçrem Qabej”.

Duke udhëtuar në komunën e Prishtinës, aty ku nis rruga Strugë-Ulqin që bashkon rrugët me trevat shqipfolëse, shfaqet një tabelë me emrin e rrugës “Eçrem Qabej”. Tabela ku është shkruar emri i gjuhëtarit të madh, ka deformime të pafalshme, ku “q”-ja, shkronja e dytë e emrit është bërë “ç” dhe Ç-ja fillestare e mbiemrit është bërë Q.

Dhe këto deformime kanë ndodhur... a thua të jetë rastësi?!... pranë dy institucioneve që kanë lidhje të ngushtë me gjuhën shqipe, Institutit Albanologjik dhe Fakultetit të Gjuhësisë. Ua tregojmë fotografinë gjuhëtarëve të njohur Rami Memushaj dhe Valter Memishaj, për të na shpjeguar se çfarë duhet bërë kur deformohet shqipja në shkallë institucionale, si në një rast kaq ekstrem.

Profesor Rami Memushaj thotë se pavarësisht dukurisë së mosdallimit në shqiptim të q-së dhe ç-së, që vërehet në të folmen verilindore, në Kosovë e në Dibër, kjo nuk do të thotë që do të shkruhet gabim gjuha shqipe.

“Problemi nuk është këtu, këtë e rregullon Drejtshkrimi,-thotë profesor Memushaj duke na kujtuar se, -ka pasur dhe ka raste që njerëzit nuk e shqiptojnë dot fjalën siç shkruhet, por historikisht e shkruara ka një standard të njohur e të respektuar nga të gjithë”.

Nuk është faji i atyre që nuk e shqiptojnë dot fjalën, problemi është defekt kulturor i institucioneve, që vjen nga bashkitë përkatëse. Profesor Rami Memushaj shprehet se janë institucionet ato që gjithandej nuk e vënë ujin në zjarr për problemet gjuhësore, duke filluar që nga maja e piramidës shtetërore.

“Dikur ka pasur nëpër këto bashki specialistë gjuhe që kontrollonin emërtimet e institucioneve para se të shkruhen. Shkaku i shtimit të këtyre gabimeve është se ato lihen të shkruhen nga punëtorë të thjeshtë që merren me këtë profesion dhe nuk ua dikton kush rregullat.

Por, edhe fakti që rregullat drejtshkrimore nuk dihen nga njerëzit, ka të bëjë me një rënie të përgjithshme kulturore në hapësirën mbarëshqiptare. Kemi të bëjmë me një edukim gjuhësor shumë të dobët nga shkollat”, thotë prof. Memushaj.

Ndërkohë Memushaj shton se: “edhe në Shqipëri e sidomos në Tiranë ky problem është edhe më i madh. Ka emra institucionesh, tabela, rrugë e lokale që shkruhen me gabime fund”. Sipas tij, e vetmja zgjidhje është që “bashkitë duhet të kenë një gjuhëtar që të përgjigjet për këto shkrime dhe të pyetet në bashki para se të vendoset tabela, ose ne rast se ka përfunduar me gabime të zbatohen gjobat nga bashkia”.

Madje, prof. Memushaj shton se “Bashkisë i duhet një gjuhëtar specialist, edhe për faktin se do t’u hyj në punë në dokumentacionin e saj, në qarkore e buletine, etj, ku dhe ato janë plot me gabime.” Ndërsa rasti i deformimit të emrit të Eqrem Çabejt është sipas Memushaj “një deformin i rëndë”.

Ai shton se “kosovarët përpiqen t’i bëjnë respekt, por kanë fyer veprën dhe misionin e tij si gjuhëtar”. Memushaj thekson më tej se: “Në përgjithësi, në të dyja shtetet tona, faktet tregojnë një mungesë të madhe interesi për gjuhën dhe drejtshkrimin e saj.

Në Kosovë kam vënë re edhe një rast tjetër të pafalshëm, siç është shkruar “Kampusi Univerzitar” (duhet Universitar). Mbase janë ndikuar nga z-ja e serbishtes, por në një universitet, ky gabim do të ishte rreptësishtë i patolerueshëm, siç është i patolerueshëm fakti që emri i Eqrem Çabejt të shtrembërohet aq shumë pranë Qendrës Albanologjike të Prishtinës”, tha Memushaj.

Valter Memishaj:
Gafë e patolerueshme, tani na mbetet që Qosen ta bëjnë Çosja


Edhe gjuhëtari Valter Memishaj ndan të njëjtin mendim me kolegun Memushaj që rastet e deformimeve gjuhësore në tabelat emërtuese janë përgjegjësi e bashkive dhe institucioneve shtetërore. “Ky problem që ka ngjarë në Prishtinë me emrin e Eqrem Çabejt është edhe në Shqipëri, ku nuk kemi asnjë rregull ose ligj për unifikimin e etiketave zyrtare.

Bëhen gabime në rrugët, në emërimet e institucioneve dhe rastet e shkuara me gabime drejtshkrimore janë të shpeshta. Duhet folur dhe diskutuar me gjuhëtarët, ata që janë pikërisht të kësaj fushe, sepse rasti në fjalë është i patolerueshëm.

Kjo është përgjegjësi e bashkisë, sepse në Kosovë pavarësisht se nuk e dallojnë qartë shqiptimin midis ç-së dhe q-së asnjëherë nuk e kanë bërë Rexhep Qosen, Rexhep Çosja. Tani nuk mbetet gjë tjetër, edhe kjo pritet, që emra kaq të njohur dhe me kontribute ndaj gjuhës të lejohen të shrembëruar nga papërgjeshmëria e madhe e institucioneve.

Madje, ju duhet të dini se edhe këtu në Shqipëri, Universiteti Eqrem Çabej në Gjirokastër ka një basoreliev me portretin e tij, ku shkruhet Eqerem Çabej. Gabime të pafalshme. Dhe kur vet Çabej e shkruan emrin në libra “Eqrem Çabej”, a do kemi ne homogjenizimin e emrave të personaliteteve të mëdha?!”, pyet gjuhëtari Valter Memishaj.


eqrem cabej
(Në foto rruga Eqrem Cabej në Prishtinë)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit