Skandali në Rumani/ FFK: Thirrjet raciste 'Kosova është Serbi', e ofendimet të pranishme gjithë ndeshjen, futbollistët mbrojtën dinjitetin e shtetit të tyre! UEFA të veprojë

Thirrjet “Kosova është Serbi” dhe “Serbi, Serbi” kanë qenë të pranishme gjatë gjithë ndeshjes Rumani-Kosovë zhvilluar mbrëmjen e së premtes në Bukuresht. Jo vetëm kaq por është vërshëllyer edhe himni dhe janë hedhur sende të forta në fushë. E gjitha kjo në mënyrë të përsëritur  detyroi kapiteni e Kosovës Amir Rrahmani që në minutat shtesë të ndeshjes kur rezultati ishte 0-0 të thotë “mjaft” dhe të tërheqë ekipin në dhomat e zhveshjes.

Sfida u braktis nga Kosova dhe pas më shumë se 40 minutave në dhomat e zhveshjes lojtarët shqiptarë nuk pranuan të rikthehen në fushë për minutat e mbetura. Arbitri danez e mbylli sfidën që edhe në faqen e UEFA-s cilësohet si e braktisur dhe nuk jepet rezultat.

Thënë këtë do të jenë komisionet disiplinore në Uefa ato që do të vendosin ku Kosova rrezikon ta humbasë në tavolinë këtë ndeshje të Ligës së Kombeve që e zhvilloi mjaft mirë por që vetëm i mungoi goli. Ai që u përlesh me rumunët dhe që tërhoqi skuadrën kapiteni Amir Rrahmani sqaroi se arbitrin e paralajmëroi tre herë për thirrjet raciste dhe anti-shqiptare por ai nuk mori masa dhe me zë të lartë dhe në gjuhën angleze si për të treguar që duhet ta kuptojnë të gjithë Rrahmani ka thënë se: “Kosova është Kosovë ose Kosova është Shqipëri.”

 Federata e Kosovës reagoi publikisht duke shpjeguar se çfarë ndodhi dhe sqaron se “për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka raportuar menjëherë incidentet tek delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s”.

 Përplasje ka pasur edhe pas ndeshjes ku një zyrtar i federatës rumune ka provokuar futbollistin kosovar. Edhe federate rumune reagoi duke thënë se i vjen keq nga veprimi i ekipit mik që nuk rifilloi lojën. Ajo që ndodhi me thirrjet ani-shqiptare nga rumunët është rast i përsëritur.

Ndërkaq disa tifozë huligan serbë kanë tentuar të djegin flamurin e Shqipërisë në ndeshjen Zvicër-Serbi për Ligën e Kombeve që përfundoi 1-1.

1731754106_tifozetrumun.jpg

Djegia e flamurit të Kosovës nga tifozat rumun

Njoftimi i federates  FFK-se
 Federata e Futbollit të Kosovës (FFK)  dënon ashpër provokimet dhe sjelljet raciste që ndodhën gjatë ndeshjes së mbrëmshme ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht, në kuadër të UEFA Nations League. Ndeshja u ndërpre për shkak të thirrjeve të vazhdueshme raciste dhe anti-Kosovë nga tifozët rumunë, të cilët përsëritën sjellje raciste dhe provokuese që dëmtojnë rëndë frymën e fair play-it, vlerat e futbollit dhe janë në kundërshtim të plotë me rregulloret dhe parimet e UEFA-s.

Thirrjet si “Kosovo is Serbia” dhe “Serbia, Serbia”, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurtë për lojtarët tanë.

FFK kishte paralajmëruar më shumë se dy herë me shkrim organet përkatëse të UEFA-s për mundësinë e veprimeve të tilla, një herë disa ditë para ndeshjes dhe më pas disa minuta përpara fillimit të saj. Përkundër këtyre paralajmërimeve, tifozët rumunë vazhduan me sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese, duke detyruar Kombëtaren e Kosovës të lërë fushën për shkak të mungesës së sigurisë dhe dinjitetit.

Ndeshja, që deri në momentin e ndërprerjes kishte një performancë të shkëlqyer nga Kombëtarja e Kosovës dhe një rezultat 0:0, u përshkallëzua edhe më tej për shkak të refuzimit të tifozëve për të ndalur thirrjet e tyre raciste dhe provokuese. Pavarësisht përpjekjeve të trajnerit tonë, z. Foda, për të arritur që ndeshja të luhet dhe të eliminohen veprimet e tilla nga tifozët rumunë, prapëseprapë edhe gjatë ndërprerjes sjelljet raciste vazhduan. Në një situatë të tillë lojtarët zgjodhën me të drejtë të respektojnë rregulloret kundër racizmit të UEFA-s dhe të mbrojnë dinjitetin e shtetit të Kosovës, si një anëtar i barabartë i UEFA-s dhe FIFA-s.

Për më tepër, pas ndeshjes, një zyrtar rumun ndërhyri në konferencën për shtyp të Kombëtares së Kosovës, duke larguar gazetarët dhe më pas, në një veprim të papranueshëm, kërcënoi dhe sulmoi një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit. Kjo sjellje e turpshme dhe e papranueshme çoi në reagimin e menjëhershëm të përfaqësuesve të FFK-së.

Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka raportuar menjëherë incidentet tek delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s.

Ne besojmë se UEFA do të veprojë në përputhje me vlerat e saj themelore për të dënuar ashpër gjuhën raciste dhe veprimet e tjera të papranueshme që ndodhën gjatë kësaj ndeshjeje.

FFK riafirmon angazhimin e saj për të mbrojtur dinjitetin e Kombëtares së Kosovës dhe vlerat e futbollit, por edhe parimet e UEFA-s e FIFA-s për futboll pa politikë dhe respektim të ‘fair-play’-it, si një lojë që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë. Racizmi dhe diskriminimi nuk kanë vend në sport dhe as në shoqërinë tonë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:32
Skandali i Bukureshtit, Federata Rumune e Futbollit akuzon Kosovën për komplot me paramendim dhe mungesë respekti për sportin


Federata Rumune e Futbollit (FRF) ka lëshuar një deklaratë zyrtare pas ndeshjes të së premtes mbrëma me Kombëtaren e Kosovës duke shkruar se “Ky veprim tregon mungesë respekti për sportin”.

Reagimi zyrtar i Federatës Rumune të Futbollit

Federata Rumune e Futbollit (FRF) shpreh zhgënjimin e saj të thellë me sjelljen e delegacionit të Kosovës dhe lojtarëve kundërshtarë në ndeshjen e së premtes mbrëma në Ligën e Kombeve.

Besojmë se akuzat që vijnë nga ekipi mik janë të pabaza dhe besojmë fuqimisht se veprimet e tyre ishin të paramenduara. FRF falënderon gati 50 mijë tifozët rumunë të pranishëm në stadium për qëndrimin e qytetëruar dhe përmbajtjen sa më shumë që të jetë e mundur nga reagimi ndaj provokimeve të lojtarëve kosovarë.

Është e rëndësishme të theksohet se gjatë ndeshjes nuk ka pasur thirrje raciste dhe as një herë nuk është dëgjuar slogani “Kosova është Serbi”. Për më tepër, dëshirojmë t’ua rikujtojmë të gjithëve vendimin e marrë nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s lidhur me një incident të ngjashëm gjatë ndeshjes së vitit të kaluar ku Kosova ka vepruar në të njëjtën mënyrë. Vendimi bëri të qartë se slogani “Kosova është Serbi” nuk mund të klasifikohet si racist dhe për këtë arsye nuk mund të shkaktojë procedurën me tre hapa. Këtë aspekt e ka ripërsëritur edhe delegati i UEFA-s gjatë takimit teknik të mbrëmshëm para ndeshjes, gjë që dëshmon se zyrtarët kosovarë e dinin se cilat ishin pasojat kur lojtarët e tyre shkuan në dhomat e zhveshjes.

Është për të ardhur keq që një ekip futbolli zgjedh të largohet nga fusha dhe të tërhiqet në dhomën e zhveshjes vetëm dy minuta para vërshëllimës së fundit, duke parë se nuk ka mbetur kohë për të arritur një rezultat të favorshëm. Ky veprim tregon mungesë respekti për sportin dhe mospërfillje totale për lojën e ndershme.

Lidhur me incidentin e supozuar në konferencën për shtyp pas ndeshjes të sjellë nga federata e Kosovës, ne e mohojmë kategorikisht ekzistencën e tij. Asnjë zyrtar i FRF-së nuk ishte i përfshirë dhe në fakt, ishte delegacioni nga Kosova që nisi një konfrontim me gazetarët rumunë në fund të deklaratave të të ftuarve. Kjo mund të konfirmohet nga të gjithë përfaqësuesit e mediave të pranishëm në zonë.

FRF beson fuqishëm se futbolli promovon vlera që ndikojnë pozitivisht në shoqëri dhe ka fuqinë për të dhënë shembuj për brezat e ardhshëm. Fatkeqësisht, sjellja e delegacionit kosovar dhe veçanërisht e lojtarëve të saj në Bukuresht, shërben si shembull se “si të mos veprohet” në sportin profesional.

Ne presim vendimin e UEFA-s në lidhje me këtë. Megjithatë, duke pasur parasysh refuzimin e Kosovës për të përfunduar ndeshjen në fushë dhe lojtarët që shkojnë në dhomën e zhveshjes pa pëlqimin e gjyqtarit, mund të ketë vetëm një rezultat, atë në përputhje me parimet e lojës.

Ora 16:32
Skandali i huliganëve në Rumani, Agim Ademi i FFK-së: Kosova do e dërgojë çështjen në CAS


Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka treguar se organizmi që ai drejton do e dërgojë çështjen e skandalit të Bukureshtit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS-in e Lozanës), për të fituar të drejtën.

Në minutat e fundit të sfidës Rumani 0-0 Kosovë, tifozët vendas lëshuan thirrje raciste kundër shqiptarëve si "Serbia, Serbia" apo "Kosova është Serbi", të përsëritura në këtë stadium dhe gjetkë edhe më herët.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani dhe kolegët në fushë vendosën të braktisnin ndeshjen dhe mos dilnin më të për luajtur, duke marrë përsipër edhe një humbje në tavolinë.

Veç tri pikëve, kjo tërheqje shërben që raste të tilla mos përsëriten më. Ndërkohë që Ademi ka paralajmëruar se Kosova do e kërkojë të drejtën deri në CAS-in e Lozanës, nëse UEFA vendos kundër.

Reagimi i Ademit:

Të dashur lojtarë, tifozë, media dhe opinion i gjerë, 
Në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, dëshiroj të shpreh falënderimin më të sinqertë për mbështetjen tuaj të pakursyer ndaj vendimit të përbashkët të lojtarëve tanë, shtabit teknik, stafit dhe Federatës për të mos vazhduar lojën pas thirrjeve raciste dhe anti-Kosovë që ndodhën në Bukuresht, në ndeshjen Rumani-Kosovë.

Ky vendim nuk ishte i lehtë, por ishte i drejtë. Duke ditur krejt atë që na kishte ndodhur një vit më parë,  nuk kemi pritur që një gjë e tillë të na përsëritet sërish në Rumani.

Tani pavarësisht çfarë epilogu ligjor do të ketë kjo ndeshje, duhet theksuar se ne kemi qenë të lënduar emocionalisht (e sidomos lojtarët) nga provokimet dhe nënçmimi i vazhdueshëm që tifozët rumunë bënë në kor.

Kulmi u arrit me incidentin e inicuar nga disa futbollistë kundërshtarë, çka krijoi një ndjenjë të qartë sulmi, jo vetëm ndaj skuadrës sonë, por ndaj shtetit dhe kombit tonë. 

Në ato momente të vështira, lojtarët tanë reaguan me dinjitet, dhe ne si Federatë qëndruam krah tyre për të mbrojtur emocionet dhe dinjitetin e tyre dhe të shtetit tonë.

Ky ishte një akt i domosdoshëm për të ruajtur integritetin e Kosovës dhe për të mbështetur çdo përpjekje për një sport të pastër dhe të drejtë, ashtu siç janë edhe parimet e UEFA-s e FIFA-s. 

Falënderojmë të gjitha institucionet dhe opinionin publik për përkrahjen e tyre të drejtë dhe të vendosur. Ne sigurojmë se nuk do të ndalemi dhe do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi konform rregulloreve për rastet e tilla politike dhe qëllimkëqija që nuk kanë vend në sport deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportivë (KAS) në Lozanë.

Futbolli duhet të jetë simbol i fair-play-it dhe bashkimit, veçanërisht në ndeshjet e kalibrit të tillë. 

Vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi!

S.G/S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • janulka: 16/11/2024 15:07

    TIFOZET E RUMUN E KANE MARRE VESH,,QE MJAFTON TE THERRASESH KOSOVA ESHTE SERBI DHE KETA MALOKE E LENE LOJEN,, ,,DHE SKUADRA KUNDERSHTARE MERR TRE PIKE PA U LODHUR FARE.... PRANDAJ KANE NISUR TE BERTASJN QE NE FILLIM....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Simon Hadaj: Çfarë di Dumani që e tmerron Sali Berishën?

Simon Hadaj: Çfarë di Dumani që e tmerron Sali Berishën?