NJU JORK- Shtrihet akoma edhe më shumë çështja e përgjimeve dhe këtë herë ato janë kryer nga Rusia.

Autoritetet e të gjithë vendeve të botës, të cilët morën pjesë në G20 që u zhvillua në Shën Petërburg të Rusisë, janë përgjuar nga Moska.

Alarmi për këto përgjime të Rusisë ka ardhur pasi Presidenti i Këshillit të Europës Van Rompuy, i cili ka çuar për ekzaminim disa dhurata të dhëna gjatë G20-tës.

Dhuratat në fjalë, ishin disa usb apo kavo ushqyes për celularë, që përmbanin dy viruse të quajtur Trojan. Nëpërmjet këtyre Usb-ve Rusia kishte si qëllim përgjimin dhe marrjen e informacioneve nga kompjuterët dhe celularët e liderëve të shteteve pjesëmarrës në G20-të.

Bashkimi Europian, është duke ekzaminuar këto USB për të verifikuar gjithçka. Ndërkohë nga ana e Kremlini replikon: Kjo është një tentative për të devijuar vëmendjen.

Moska zyrtare, në gusht të këtij viti pak përpara zhvillimeve të G20-tës, i dha një vizë të përkohëshme teknikut informatik të Agjencisë amerikane për Sigurinë kombëtare NSA, Edward Snowden. Pas kësaj marrëdhëniet mes Moskës dhe Washingtonint, ishin të tensionuara.

Rritet gjithmonë e më shumë presioni mbi Shtëpinë e Bardhë për të shpjeguar përgjimet e NSA-së dhe se përse presidenti Obama nuk kishte dijeni për to.

Vetë presidenti amerikan, kërkoi një rishikim të të gjitha përgjimeve të kryera jashtë SHBA.

Drejtuesit e NSA dhe zyrtarë të tjerë pritet të dëshmojnë sot  rreth orës 13:30 me orën lokale, para Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë një interviste për televizionin Fusion, Obama nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes nëse kishte dijeni për përgjimet e Agjensisë së Sigurimit Kombëtar apo jo. Obama u shpreh se nuk kishte ndërmend të komentonte hamendësimet e bëra në shtyp për përgjimin e telefonit të Kancelares gjermane Angela Merkel, apo përgjimet e tjera në Francë, Itali apo Spanjë.

Obama theksoi se operacionet e NSA do të rivlerësoheshin për t’u siguruar që aftësia e tyre në rritje e përgjimit, të mbahej nën kontroll. Sipas presidentit amerikan, jo çdo gjë që ata kanë mundësi të bëjnë, duhet medoemos t’a bëjnë.

Pas telefonatës së Obama-s me kancelaren gjermane javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë tha se SHBA nuk po përgjon apo do të përgjojë në të ardhme telefonin e saj, duke ngritur pyetjen nëse një veprim i tillë është kryer në të shkuarën.”


Redaksia online
(Erin Dini/sg/ shqiptarja.com)