Gjykata ka dhënë arrest me burg për biznesmenin Idlir Karkini, në mungesë (i cili është arratisur), Asim Arkaxhiu, ish-Regjistrues i ZVRPP Kavajë, Aldo Kila, Jurist pranë ZVRPP Kavajë, Shpendi Dema, Juristi Bashkia Rrogozhinë, Arben Daja, sekretar i protokollit Bashkia Rrogozhinë si dhe Artur Tosku, Kryenspektor Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë, gjithashtu arrest me burg.
Ndërkohë është dhënë detyrim paraqitje për Beqir Nuredinin, Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, i bllokohet pasaporta, detyrim paraqitje edhe për Arben Kaja - Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë. Ndërsa është konfirmuar arresti shtëpiak për Julian Zhelegun - Noter Dhoma e Noterisë, Tiranë si dhe pezullimi nga detyra për Arbër Aliu - Noter, Dhoma e Noterisë, Durrës.
Masat "arrest me burg"
Idlir Karkini (në mungesë)
Asim Arkaxhiu - ish-Regjistrues i ZVRPP Kavajë
Aldo Kila - Jurist pranë ZVRPP Kavajë
Shpendi Dema - Juristi Bashkia Rrogozhinë
Arben Daja - Sekretar i protokollit Bashkia Rrogozhinë
Artur Tosku - Kryenspektor Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë
Detyrim paraqitje
Beqir Nuredini, Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë (i bllokohet pasaporta)
Arben Kaja - Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë
Arrest shtëpie
Julian Zhelegun - Noter Dhoma e Noterisë, Tiranë
Gjatë seancës nuk kanë munguar akuzat e ashpra të gjyqtarit ndaj policisë, apo dhe të prokurorit të çështjes, Gentian Habazaj, në adresë të zyrtarëve të arrestuar. "Këta zyrtarë vetëm detin lanë pa tjetërsuar”, deklaron ai.
Gjyqtari akuza policisë për noterin e VIP-ave
Fillimisht në seancë nuk u paraqit noteri Julian Zhelegu, për të cilin gjykata ka caktuar masën arrestit në shtëpi. Sipas gjykatës, për të është njoftuar policia që t’i dergojë fletë-thirrjen, por komisariati numër tre në Tiranë nuk ka kthyer një përgjigje, nëse e ka njoftuar apo jo noterin.
Gjyqtari Luan Lusha u shpreh se policia i kishte thënë se kishte përcjellë njoftimin, “por se si e kanë përcjellë, ata e dinë”, - shtoi “xhaketa e zezë”. Prokurori kërkoi që për këtë person gjykata të përsëritë njoftimin, ndëkrohë që për të tjerët të vazhdojnë procedurat ligjore. Prokurori Gentian Habazaj kërkoi gjithashtu që të vihet në dijeni Drejtoria e Përgjithshme e Policisë për mos-kryerjen e detyrës nga ana e policisë së Kavajës dhe Tiranës. Pas debateve në Gjykatë, noteri Zhelegu është paraqitur në gjykatë dhe ndaj tij është konfirmuar masa e sigurisë arrest shtëpiak.
I hetuari Asim Arkaxhiu u shpreh se nuk ishte dakord që senaca të drejtohej nga gjyqtari Luan Lusha, kështu që seanca u ndërpre deri në marrjen e një vendimi për këtë kërkesë. Në kuadër të këtij hetimi dyshohet se biznesmeni Idlir Karkini rezulton të ketë marrë në mënyrë të paligjshme jo vetëm poligonin e qitjes së aviacionit shqiptar në Spille, por edhe dy pasuri të tjera në këtë zonë. Vetë Karkini është arratisur 9 ditë përpara se të merrej masa ndaj tij, ndërkohë që 6 persona të tjerë të implikuar në këtë skandal kanë rënë në pranga dhe masat e sigurisë ndaj tyre u konfirmuan sot nga Gjykata e Kavajës.



Masat e vendosura nga Gjykata me kërkesën e Prokurorisë
s.k/Shqiptarja.com











