Zgjerohen hetimet mbi metodat e përdorura nga drejtësia belge në Qatargate. Sipas informacioneve, pas denoncimeve të paraqitura nga të hetuarit Eva Kaili, Francesco Giorgi dhe Maria Arena për shkeljen e sekretit hetimor dhe rrjedhjet e përsëritura të informacionit, është hapur një dosje ndaj disa funksionarëve të lartë të pranishëm në bastisjet e 9 dhjetorit 2022. Drejtori i Zyrës belge kundër korrupsionit (Ocrc), Hugues Tasiaux, është vënë zyrtarisht nën hetim dhe është larguar nga detyra. Është marrë gjithashtu në pyetje kreu i hetimeve, Bruno Arnold, i cili së bashku me Tasiaux thuhet se ka përmendur ish-prokurorin Raphael Malagnini.

Hetimi paralel me Qatargate

Tre vjet pas shpërthimit të skandalit të dyshuar të korrupsionit mes Brukselit, Dohas dhe Rabatit, dje u hap një cikël i ri seancash për rishikimin që ecën paralelisht me hetimin kryesor, i nisur në shtator 2023 për të hedhur dritë mbi metodat e përdorura nga drejtësia belge në fazat më të ndjeshme të hetimeve. Nën lupë janë veprimet e shërbimeve sekrete, shkeljet e dyshuara të imunitetit parlamentar dhe të sekretit hetimor, konflikti i dyshuar i interesit që përfshiu gjyqtarin hetues Michel Claise – i cili më pas u detyrua të tërhiqej – si dhe besueshmëria e deklarimeve të dhëna nga ish-eurodeputeti i penduar Pier Antonio Panzeri. Mbetet jashtë kufirit të rishikimit, por vazhdon të ngjallë debate, përdorimi i zgjeruar i paraburgimit.

Qatargate, skandali që shpërtheu në fund të vitit 2022

Hetimet paraprake mbeten pezull. “Ka ende shumë punë për të bërë”, deklaroi shkurt prokuroria, e pyetur për mbylljen e mundshme të dosjes. Më 9 dhjetor 2022 bastisjet e njëpasnjëshme të policisë – të shoqëruara nga imazhet e valixheve të mbushura me para (mbi 1,5 milionë euro) – çuan në arrestime të rëndësishme: Panzeri, i konsideruar si shpirti i rrjetit të dyshuar korruptiv, asistenti i tij Giorgi, atëherë nënkryetarja e Parlamentit Evropian Kaili, demokrati Andrea Cozzolino dhe socialisti belg Marc Tarabella. Të gjithë kaluan muaj mes burgut dhe arrestit shtëpiak – akuzat janë për korrupsion, pastrim parash dhe organizatë kriminale – përpara se të liheshin të lirë, në pritje të rezultatit të një hetimi që nuk ka afate për çuarje në gjyq ose pushim të çështjes.

Qatargate, në ç’pikë është hetimi

Hetimi është shoqëruar edhe nga largimi nga skena i dy gjyqtarëve hetues – më i zhurmshmi ai i autorit të urdhrave të arrestit, Claise, për një konflikt të dyshuar interesi të lidhur me të birin – si dhe i prokurorit Malagnini. Në mars, prokuroria iu rikthye Parlamentit Europian duke kërkuar heqjen e imunitetit për eurodeputetet e Partisë Demokratike, Alessandra Moretti dhe Elisabetta Gualmini: javën e kaluar, komisioni juridik i Europarlamentit dha dritën jeshile vetëm për të parën, në pritje të votimit të sallës plenare./La Repubblica