(22 qershor 1948. Enver Hoxha në aeroportin e Varshavës)
14 korrik 1959 udhëheqësi sovjektik Nikita S. Hrushov në aeroportin e Varshavës, ku pritet nga homologu polak Gomulka Vladislav, (djathtas)
“Mund të merret me mend se çfarë skandali ndërkombëtar do të bëhej sikur të vritej ambasadori i Republikës Popullore të Shqipërisë (Musin Kroi) në mes të Varshavës nga një nëpunës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë ose të digjej ambasada jonë nga diversionistët”. Kështu i shkruante, më 21 korrik 1960, shefi i regjimit të Tiranës Enver Hoxha kreut të superfuqisë nr. 2 të kohës, Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov.
Faksimile e një faqje nga libri me autor William E. Griffith
Por pas një viti, diçka u mësua nga mediat gjermano-perëndimore dhe amerikane. “Diku nga vera e vitit 1960 ambasadori shqiptar në Varshavë Musin Kroi u shpall person i padëshirueshëm nga qeveria polake për shkak se personalisht goditi me grusht një të punësuar polak që i kishte vënë zjarrin një qilimi”, kështu thuhet në një shënim të 19 korrikut 1961 dhe që ishte për përdorim të brendshëm për gazetarët amerikanë të Radios Evropa e Lirë me seli në Mynih (ish-Gjermania Perëndimore). Materialet nxjerrin në pah interesimin e vazhdueshëm të Uashingtonit për zhvillimet më të fundit në bllokun lindor në prag të çarjes së madhe të ish-Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë dhe Kinën. Dokumenti daton pak ditë para mbylljes së bazës ushtarake të Traktatit të Varshavës në Pashaliman. Ndërkohë, nën trysninë e Moskës, vendet e “demokracive popullore” po gjenin shkaqe për prishjen e marrëdhënieve me Tiranën.
Më 19 korrik 1961 Radio Evropa e Lirë” i referohej gazetës së famshme amerikane “Nju Jork Tajms” (New York Times) të po asaj date që bënte të ditur se agjencia zyrtare turistike polake “Orbis” kishte anuluar të gjitha udhëtimet turistike për pushime në Shqipëri në verën e vitit 1961. Meqë “Nju Jork Tajms”-i nuk kishte siguruar “asnjë shpjegim zyrtar për këtë gjë”, Radioja “Evropa e Lirë” kishte mësuar nga burime të besueshme jozyrtare se autoritetet shqiptare u kishin refuzuar viza hyrjeje polakëve dhe gjermano-lindorëve.
Rasti “turistik” ka shërbyer për të konstatuar se “marrëdhëniet polake-shqiptare kishin qenë në një pikë shumë të ulët për disa kohë. Ideologjikisht, Gomulka anatemohej nga Hoxha dhe anasjelltas”. Për Radion Evropa në Lirë, nëse njoftimet për konferencën e nëntorit ( 1960 ) të Moskës ishin të vërteta, pra, Enver Hoxha i ishte kundërvënë udhëheqësit të Kremlinit, do të ishte tejet e vështirë të fshihej ky fakt. Por pavarësisht nga kjo armiqësi në nivel blloku komunist, sipas “Evropës së Lirë”, kishte pasur shkaqe të veçanta, dypalëshe, në konfliktin mes të dy vendeve. Dhe zbulon faktin sensacional se në verën e vitit 1960 ambasadori shqiptar në Varshavë, Musin Kroi, u shpall person i padëshirueshëm nga qeveria polake për arsye se personalisht goditi me grusht një të punësuar polak që i kishte vënë zjarrin një qilimi. Madje problemi është mahisur më shumë.
Sikurse ka zbuluar gazetari gjerman Ernst Halperin, në gazetën “Mynhner (Muenchner) Merkur” të 10 tetorit 1961, “Kroi i kishte hedhur benzinë zjarrit duke i shprehur Ministrisë polake të Punëve të Jashtme atë që ai mendonte për socializmin polak. Me sa duket, këtë e bëri në vend që të kërkonte falje për sulmin e tij fizik ndaj një shtetasi polak”. Por nisur nga heshtja e Varshavës dhe Tiranës, Radio Evropa e Lirë hamendëson se qysh nga vera e vitit 1960, “për arsye që nuk janë vështirë të imagjinohen duke pasur parasysh acarimin dhe shkallën e devijimit të Tiranës, me sa duket Shqipëria nuk e ka zëvendësuar Kroin” deri më 19 korrik 1961. Agjencitë e lajmeve UPI dhe “Rojter” (Reuter) njoftonin më 12 tetor 1960 se Kroi nuk do të kthehej në Varshavë nga Tirana, ku kishte shkuar për “pushime” tre muaj më parë. Po ashtu, kjo ngjarje ka gjetur pasqyrim në literaturën historiografike të Luftës së Ftohtë.
N S. Hrushov në Shqipëri, 25 maj-4 qershor 1959, gjatë një vizite në kombinatin e tekstileve "Stalin"
27.5.1959. Faksimile Reuters: Greqia paralajmëron nga Hrushovi
Në këtë atmosferë të ngarkuar, teksa në kryeqytetin rumun Bukuresht komunistët sovjetikë po përgatiteshin të sulmonin partinë kineze, shefi i Kremlinit nuk kishte interes për acarimin e marrëdhënieve polake-shqiptare për shkak të një ambasadori. Sikurse del nga letra që Enver Hoxha i dërgonte Nikita Hrushovit, ky i fundit i ishte drejtuar PPSH-së, më 13 korrik 1960, “për incidentin e padëshirueshëm që ka ndodhur në ambasadën tonë në Varshavë, si rezultat i orvatjes së një funksionari të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë për të vrarë ambasadorin tonë, shokun Musin Kroi.
Ne e kuptojmë shqetësimin tuaj dhe dëshirojmë me këtë rast t'ju falënderojmë për kujdesin shoqëror dhe internacionalist që tregoni për rregullimin e mosmarrëveshjes që ka lindur midis nesh dhe shokëve polonezë në lidhje me incidentin e mësipërm”. Dokumenti që po botohet, zbulon detaje interesante për qëndrimin e Varshavës, që nuk ndryshoi me gjithë ndërhyrjen e Moskës. Kjo gjë u shfaq në një takim në Moskë të tre udhëheqësve polakë dhe pas disa muajve, më 29 nëntor 1960, me zëvendëskryetarin e parë të PK të Kinës Liu Shao Çi, teksa kishte përfunduar mbledhja e partive komuniste të botës. Përsëri për ambasadorin shqiptar plus për fjalimin e Hoxhës kundër Hrushovit.
(Box / Dokumenti)
Dy incidente të rënda
(Letër e KQ të PPSH drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik lidhur në incidentin e kryer në ambasadën e RP të Shqipërisë në Poloni - Moskë)
21 korrik 1960
Morëm letrën tuaj të datës 13 korrik të vitit 1960, që bën fjalë për incidentin e padëshirueshëm që ka ndodhur në ambasadën tonë në Varshavë, si rezultat i orvatjes së një funksionari të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë për të vrarë ambasadorin tonë, shokun Musin Kroi.
Ne e kuptojmë shqetësimin tuaj dhe dëshirojmë me këtë rast t'ju falënderojmë për kujdesin shoqëror dhe internacionalist që tregoni për rregullimin e mosmarrëveshjes që ka lindur midis nesh dhe shokëve polonezë në lidhje me incidentin e mësipërm, në mënyrë që marrëdhëniet midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Polonisë të mos cenohen, po të forcohen në interes të të dy vendeve tona socialiste dhe të të gjithë kampit socialist në përgjithësi.
Neve na vjen shumë keq që ndodhi një incident i tillë dhe kuptohet se nuk jemi ne fajtorë për këtë incident dhe për konsekuencat që rrjedhin prej tij, por përgjegjësinë e kanë shokët polonezë, të cilët nuk kanë marrë asnjë masë për të mos e lejuar një incident të tillë. Për të qenë në korrent të çështjes dëshirojmë t'ju themi se kanë ngjarë dy incidente të rënda në ambasadën tonë në Varshavë.
29 nëntor 1959. U synua vjedhja e dokumenteve dhe djegia e ambasadës
1) Gjatë pritjes së dhënë nga ambasadori ynë në Varshavë në 29 nëntor 1959, me rastin e 15-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga okupacioni nazifashist, një element i rekomanduar për shërbim në këtë pritje nga autoritetet kompetente poloneze, tentoi të grabiste dokumentet shtetërore dhe t'i vinte zjarrin Ambasadës Shqiptare, por funksionarët e ambasadës sonë ndërhynë menjëherë, e shuan zjarrin, kapën kriminelin dhe ua dorëzuan organeve kompetente poloneze.
Këtë akt diversionist, duke marrë parasysh lidhjet miqësore që ekzistojnë në mes të dy vendeve tona, në frymë shoqërore dhe internacionaliste ia vumë në dukje verbalisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë, duke kërkuar që të merreshin masa për mospërsëritjen e gjesteve të tilla armiqësore karshi vendit tonë. Pas kësaj ndërhyrjeje në frymë miqësore nga ana jonë, ambasadës sonë në Varshavë iu dhanë “sigurime” formale nga ana e organeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë “se do të merreshin të gjitha masat për të mos lejuar që të përsëriteshin në të ardhshmen të tilla veprime diversioniste”. Megjithatë ne konstatuam se autori i krimit të përmendur, i cili kaloi në gjyq, sa për formalitet, u dënua për aktin e tij të shëmtuar me dy muaj kondicionel dhe u la i lirë gjoja si “i çmendur” ose “i pirë”.
Ambasada jonë në Varshavë i është drejtuar pas këtij incidenti të rëndë tri herë me notë zyrtare Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë për të vënë një roje të armatosur te porta e ambasadës sonë në Varshavë, sikurse kemi vepruar edhe ne në Tiranë për sigurimin e Ambasadës Poloneze dhe të të gjitha ambasadave të tjera. Por Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Polonisë nuk denjoi të merrte asnjë masë për të vënë rojë pranë ambasadës sonë në Varshavë duke ia lënë kujdesin e ambasadës sonë një milici, i cili ruan në të njëjtën kohë edhe shumë ambasada të tjera të huaja. Të gjitha këto tregonin për ne se Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Polonisë e trajtoi këtë çështje në mënyrë shumë të lehtë.
29 qershor1960. Diplomati me kobure në dorë drejt ambasadorit
2) Në 29 qershor të këtij viti, një ish-funksionar i Ambasadës Poloneze në Tiranë dhe pikërisht shifrant i saj dhe tani, sikurse deklaroi ai, funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, u paraqit dhe hyri në Ambasadën Shqiptare në Varshavë dhe, duke nxjerrë koburen, tentoi të vriste ambasadorin tonë, shokun Musin Kroi. Funksionarët e ambasadës sonë e kapën kriminelin, e çarmatosën dhe ua dorëzuan organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Polonisë.
Nga këto dy incidente të rënda njëri pas tjetrit kuptohet se Qeveria e Republikës Popullore të Polonisë, sipas pikëpamjes sonë, jo vetëm që nuk e ka marrë seriozisht sigurimin e ambasadës sonë në Varshavë dhe të personelit të saj, po e ka trajtuar këtë çështje me një mungesë konsekuence të rëndë dhe me një përbuzje të palejueshme, që nuk pajtohet jo vetëm me frymën miqësore dhe internacionaliste që lidh të dy vendet tona, po as edhe me normat formale diplomatike.
Mund të merret me mend se çfarë skandali ndërkombëtar do të bëhej sikur të vritej ambasadori i Republikës Popullore të Shqipërisë në mes të Varshavës nga një nëpunës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Polonisë ose të digjej ambasada jonë nga diversionistët...
Ne mendojmë se këto provokacione që ngjanë nuk janë gjëra të rastit dhe janë bërë nga elementë armiq, të cilët përpiqen për të prishur marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve tona. Përgjegjësia e organeve qeveritare të Republikës Popullore të Polonisë, sipas pikëpamjes sonë, konsiston në atë që nuk kanë marrë deri më sot asnjë masë serioze për të ndaluar akte të tilla provokimi kundër ambasadës sonë dhe personelit të saj. Nota e qeverisë sonë drejtuar qeverisë poloneze është plotësisht me vend dhe karakterizohet nga një durim i madh në vështrim të zhvillimit të ngjarjeve.
Toni përbuzës
Por, siç duket, shokëve polonezë nuk u pëlqen kur u thuhet e vërteta në sy dhe u kërkohet gjëja më elementare, të marrin masa për ruajtjen e ambasadës sonë dhe të personelit të saj. Ishte në arsyeshme dhe e domosdoshme për çka ngjau që ne të largonim përkohësisht ambasadorin tonë nga Varshava, deri sa qeveria poloneze të kërkonte ndjesë dhe të merrte masat e përshtatshme karshi këtyre incidenteve, që po bëheshin një vijë e rrezikshme dhe plot konsekuenca të rënda.
Qeveria poloneze nuk iu përmbajt jo vetëm normave diplomatike, po as edhe frymës miqësore dhe internacionaliste, pas këtyre dy incidenteve shumë të rënda që jo për fajin tonë i ndodhën ambasadës dhe ambasadorit tonë në Varshavë. Përveç kësaj, notëpërgjigjja e qeverisë poloneze drejtuar qeverisë sonë është hartuar me një ton përbuzës dhe në një mënyrë të tillë që le qartë të kuptohet se qeveria poloneze jo vetëm nuk ka ndër mend të njohë gabimin e vet, por as edhe të marrë masa në të ardhmen. Notës poloneze ne do t'i përgjigjemi.
Është shumë e arsyeshme ajo që thoni Ju, se kjo çështje, deri sa nuk u rregullua në vijën diplomatike, të rregullohet në vijë partie, sido që për ne çdo veprim i qeverisë përputhet me vijën dhe vendimet e Komitetit Qendror të Partisë. Ne Ju themi se edhe këtë vijë e tentuam. Kur ndodhi incidenti në fjalë, ndodhej në Shqipëri për pushime zëvendësministri i punëve të jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, shoku Nashkovski Marian [Naszkowski (1912-1996)], i cili kërkoi të bisedonte për këtë çështje në rrugë partie, si anëtar i komitetit qendror. Ne e pranuam një gjë të tillë dhe ai bisedoi me anëtarin e Byrosë Politike dhe sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë sonë, shokun Rita Marko. Megjithëse kjo çështje u shtrua nga ana jonë me ton dhe frymë partie, zëvendësministri i punëve të jashtme të Republikës Popullore të Polonisë, shoku Nashkovski, u soll jo si njeri partie, po si një diplomat. Toni i tij ishte toni i notës poloneze dhe nuk u arrit asnjë rezultat.
Marian Naszkowski (1912-1996)
Përveç kësaj ne duhet të theksojmë se shokët polonezë, në vazhdim të këtyre incidenteve të rënda, morën edhe një masë tjetër, që nuk i përshtatet frymës miqësore dhe internacionaliste që duhet të ekzistojë në mes të dy vendeve dhe partive tona. Zëvendësministri polonez i punëve të jashtme, shoku Nashkovski, i cili kishte paraqitur shumë herë dëshirën të vinte dhe të pushonte në Shqipëri dhe që kjo dëshirë ju plotësua, la pushimet dhe u largua, duke i kthyer Komitetit Qendror, nëpërmjet të ambasadorit të Republikës Popullore të Polonisë në Tiranë, edhe të hollat e xhepit që i kishte dhënë Komiteti Qendror i Partisë sonë, sipas zakonit që praktikohet me miqtë kur vijnë të pushojnë, për të blerë disa kujtime nga Shqipëria. Edhe këtë akt ne nuk kemi si të mos e konsiderojmë si përbuzje të miqësisë vëllazërore që tregon Partia jonë karshi shokëve polonezë.
Karta e një shteti të madh ndaj një shteti të vogël
Ne mendojmë se incidentet e rënda dhe aktet jomiqësore në drejtim të vendit tonë tregojnë se shokët polonezë jo vetëm janë larg të njohin gabimet e tyre, por dëshirojnë gjithashtu të lozin ndaj Shqipërisë socialiste motër kartën e një shteti të madh ndaj një shteti të vogël. Sigurisht ata gabojnë adresë dhe harrojnë se populli shqiptar dhe Partia e Punës e Shqipërisë as nuk kanë lindur dhe as nuk rrojnë me mëshirën e shokëve polonezë.
Ne kurdoherë kemi dashur dhe dëshirojmë që me popullin, partinë dhe qeverinë poloneze të kemi marrëdhënie shumë të mira dhe shumë të ngushta, në frymën marksiste-leniniste, në frymën e barazisë dhe të internacionalizmit proletar dhe këtë rrugë do ta vazhdojmë me këmbëngulje deri në fund. Ne nuk kemi ndonjë kundërshtim që çështja të zgjidhet midis komiteteve qendrore të të dyja partive, sikurse rekomandoni ju me plot të drejtë, por mendojmë se i takon udhëheqjes poloneze, qoftë në rrugë partie, qoftë në rrugë shtetërore që të marrë iniciativën për të ndrequr këto gabime të rënda të saj dhe të japë garanci që në të ardhshmen të mos ndodhin.
Ne do të jemi të lumtur që Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në interes të marrëdhënieve midis Republikës Popullore të Polonisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë, në interes të unitetit të kampit të socializmit, të përdorë autoritetin e vet për të influencuar brenda mundësive të tij pranë shokëve polonezë që t'i shikojnë marrëdhëniet me ne në bazë të barazisë, në mënyrë shoqërore, marksiste-leniniste dhe në jemi kurdoherë gati të bisedojmë me ta për incidentin e Varshavës, sikurse rekomandoni Ju, veçse çdo gjë varet nga shokët polonezë.
Me përshëndetje komuniste.
SEKRETARI I PARË I KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË
ENVER HOXHA
(Foto nga “Ditar” i Enver Hoxhës)
d.gj/ Shqiptarja.com