SKEDA/ 10 tipologjitë e pastrimit të parave

SKEDA/ 10 tipologjitë e pastrimit të parave

Foto ilustruese

Rasti i parë i evidentuar në raport ka të bëjë me një shtetas shqiptar i cili ishte i përfshirë në veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike në Amerikën e Jugut, dhe prej andej erdhi dhe hapi një shoqëri tregtare ‘DEF’ në fushën e import-eksport për mallra të ndryshëm që do të vinin nga Amerika. Për të zhvilluar aktivitetin ky shtetas merr hua 300 mijë euro nga një shtetas i përfshirë në vepra penale për mashtrim. Më pas shtetasi i ardhur nga Amerika Jugut, merr rolin e ndërmjetësuesit për të shitur pronat e një shtetase tjetër dhe në këmbim do të merrte shuma të konsiderueshme parash. Shtetasja në fjalë të cilës do i shiteshin pronat ishte e martuar me një person që ishte i përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale. Bazuar në 3 dyshime themelore rasti është referuar për hetim në organet e drejtësisë.

Rasti i dytë ka të bëjë me përfshirjen e personave me precedentë penalë në shoqëri ndërtimi. Një kompani ndërtimi ‘BETA’ e regjistruar në vitin 2016, ka fituar një leje ndërtimi për një kompleks ndërtimi në 2019, ndërkohë që pronarja e kësaj kompanie është motra e një shtetasi të akuzuar për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Kompania për 3 vite deklaronte fitime minimale ose humbje financiare pranë organeve tatimore, dhe për këtë merr hua 2 milionë euro nga shoqëria ‘Alfa’, por vetëm 400 mijë euro u transferuan nga shoqëria ‘Alpha’ tek shoqëria ‘Beta’ shpk, dhe një muaj pas nënshkrimit, marrëveshja u revokua nga të dyja palët.

Për të dalë nga situata me humbje financiare kompania ‘Beta’ ka marrë financime dhe hua të dyshimta nga 3 shoqëri të tjera dhe 4 shtetas të dyshimtë në vlerën e 3.2 milionë eurove. Vetëm një shtetas i ka dhënë kësaj kompanie 800 mijë euro që i kishte siguruar nga shitja e dy pasurive të paluajtshme tek bashkëshortja e një personi me precedentë kriminal. Të gjitha këto fonde (3.2 milion EUR) u përdorën nga ‘Beta’ shpk për pagesë takash të lidhura me procesin e ndërtimit.

Rasti i tretë flet për përfshirjen e një funksionari shtetëror që bëhet pjesë e një skeme të dyshimtë në investimin e pasurive të paluajtshme. Konkretisht në gusht 2021 një biznesmen i jep hua një funksionari shtetëror 70 mijë euro për të garantuar shqyerjen e huasë për një pasuri të paluajtshme të llojit truall. Shtetasi A që ka dhënë huan ishte i arrestuar disa vite më parë i akuzuar për vepra penale në fushën fiskale dhe kishte konflikt interesi me funksionarin e lartë për shkak të detyrës së tij. Huanë e marrë prej 70 mijë eurosh, funksionari shtetëror ia ka dhënë dorazi një të afërmit të tij pensionist, në formë mbështetje financiare. Ky i fundit, brenda të njëjtës ditë i ka depozituar fondet në llogarinë bankare të një shoqërie ndërtimi me të cilën disa muaj më parë, pensionisti kishte lidhur një kontratë porosie me qëllim blerjen e një njësie tregtare në Tiranë. Vlera e kontratës është 150.000 USD dhe palët kanë rënë dakord që pagesa e vlerës totale të pasurisë të bëhej me këste.

Rasti i katërt- ka në fokus blerjen e pasurive me çmim minimal, dhe shitje 8 fish më të lartë. Në shkurt të 2021 një shtetas blen një truall 1500 metër katror me çmim 30 mijë dollar, e rivlerëson dhe më pas e shet 240 mijë euro tek një biznesmen në fushën e ndërtimit. Pra brenda 2 muajsh, pronën e blerë për vetëm 30,000 USD e ka shitur me një çmim tetë herë më të lartë, ndërkohë që nga verifikimet e kryera nuk rezultoi që mbi këtë truall të ishte realizuar investim, i cili mund të kishte rritur vlerën e pasurisë. Pas këtyre veprimeve janë regjistruar transaksione të dyshimta mes tre palëve për blerje të pasurive të tjera, edhe pse shtetasi i parë nuk kishte të ardhura që justifikojnë investimet.

Rasti pestë- ka në qendër të skemës një mashtrim financiar të kryer nga një subjekt juridik. Dy shtetas hapin në mars 2021 një kompani për ofrimin e shërbimeve në fushën e informatikës. Disa ditë mbas themelimit të saj, shoqëria ka çelur llogari në 4 banka tregtare që operojnë në vendin tonë, dhe marrin transferta të dyshimta nga 17 shtete të ndryshme jo në përputhje me profilin e aktivitetit të shoqërisë. Transfertat dërgoheshin për likuidim faturash, të përqendruara në periudhën Korrik – Nëntor 2021, ishin në të njëjtat vlera 2,000 EURO – 2,500 EURO, dhe pagesat bëheshin në një kohë që shoqëria nuk deklaronte aktivitet. Bazuar në këto lëvizje është verifikuar se një pjesë e transfertave janë denoncuar si mashtrime nga ana e dërguesve të transfertave. Një pjesë e ortakëve të kësaj kompanie ishin të përfshirë në një skemë abuzimi në fushën fiskale.

Gjithashtu një organizatë ndërkombëtare kishte raportuar raste mashtrimesh të kryera nga disa kompani ndër to edhe emri i kompanisë ‘X’. Skema e përdorur është paraqitja e faturave fiktive ‘klientëve’ /‘viktimave’ kundrejt shërbimeve të ndryshme në fushën e informatikës .

Pas këtyre dyshimeve rasti u referua në organet e drejtësisë dhe Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave nxori urdhër bllokimi për kompaninë e shoqëruar më tej me sekuestro të fondeve.

Rasti i gjashtë- Përdorimi i personave të tretë për investime në fushën e ndërtimit. Një shtetas i punësuar prej 8 vitesh si magazinier me pagë minimale në një subjekt tregtar përfshihet si ortak në dy kompani në fushën e ndërtimit. Konkretisht ky shtetas në vitin 2018 bleu 50% të kuotave të shoqërisë ‘X’ në vlerë 900.000 EURO duke deklaruar se pagesa do të realizohej nga fitimet e ardhshme të shoqërisë ku kishte blerë aksionet. Në lidhje me profilin e shoqërisë X rezulton të jetë e njohur në tregun vendas prej 20 vitesh me deklarime të larta fitimesh. Një vit më vonë shtetasi A bleu 100 % të kuotave në një shoqëri tjetër ndërtimi ‘Y’, në vlerë 150.000 EUR. Pak muaj para blerjes së kuotave nga shtetasi A, kjo shoqëri (‘Y’) kishte fituar leje për ndërtimin e një kompleksi pallatesh edhe pse në vitet e fundit kishte deklaruar humbje financiare. Pas blerjes së kuotave të shoqërive të ndërtimit u vu re se ky shtetas përfitonte paga gjithmonë e më të larta nga shoqëritë X dhe Y që arrinin deri në 10.000 EUR në muaj edhe pse shoqëria e dytë (‘Y’) vazhdonte të deklaronte humbje. Nga ana tjetër përveç investimeve në biznese, shtetasi A së bashku me bashkëshorten e tij shtetasen B gjatë një periudhe prej dy vjeçare, investuan në pasuri të paluajtshme (njësi, truall, vilë) shumën prej 3 milion EUR, nga të cilat një pjesë e mbuluar me kredi bankare.

Bazuar në dyshimet:

• Investimet në vlera të larta në biznese dhe në pasuri të paluajtshme nga një individ pa një profil të mëparshëm biznesi;

• Burimi i panjohur i fondeve të investuara;

 Përdorimi kredive dyshuar si fasadë për pagesa investimesh pasuri të paluajtshme si vilë etj;

• Mundësia që ky shtetas po përdorej nga persona të tjerë për investimin e fondeve të tyre; rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.

Rasti i shtatë- Këmbimi i pasurive dhe përdorimi i dyshimtë i kredive. Në vitin 2021 shtetasja A (bashkëjetuese e shtetasit B) dhe shtetasi B (ish funksionar shtetëror) kanë lidhur një kontratë noteriale me një kompani ndërtimi për shkëmbim të 2 pasurive të paluajtshme të llojit apartament në emër të përbashkët të tyre me një vilë në një kompleks ndërtimor në një zonë të njohur rezidenciale. Apartamentet (sipërfaqe totale prej 130 m2 ) me të cilat u këmbyen ndodheshin në një zonë periferike të blera dy vite më parë ndërsa shtetasi B ishte ende në detyrë. Vlera e deklaruar e blerjes së tyre ishte 80,000 GBP, ku 80% e shumës e financuar me kredi bankare dhe pjesa tjetër nga kursimet. Pas blerjes apartamentet u rivlerësuan me vlerë tregu 110.000 GBP. Në kuadër të këtij shkëmbimi pasurish midis shtetasve A, B dhe shoqërisë së ndërtimit ishte rënë dakord që do të paguhej vlera shtesë prej 120.000 GBP, e cila do të mbulohej me marrjen e një kredie bankare me këst mujor 1.000 GBP. Ndërkohë vila e përfituar nga këmbimi me një sipërfaqe 350 m2 u vendos kolateral në funksion të marrjes së kredisë së re dhe u vlerësua sipas çmimit të tregut 400.000 GBP. Nga verifikimet e kryera mbi burimin e fondeve të tyre, u vunë re rënie të ardhurave personale dhe të aktivitetit tregtar të bashkëjetueses së shtetasit B.

Bazuar në dyshimet:

• Përfitimi nëpërmjet këmbimit të një pasurie të paluajtshme nën çmimin real të tregut;

• Përdorimi e instrumentit të kredisë e njohur edhe si tipologji në rastet investimeve nga ish funksionar shtetëror /ish ish funksionar shtetëror me qëllim mbulimin e burimit real të fondeve ;

• Mos justifikimi i pagesave të kësteve të larta të kredisë, nga burime të ligjshme të deklaruara prej tyre. rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.

Rasti i tetë- Investim në vlerë të lartë në pasuri të paluajtshme në mënyrë jo të drejtpërdrejt.

Shtetasja X e moshës 80 vjeç në cilësinë e palës blerëse ka nënshkruar, një kontratë për blerje pasurie të paluajtshme në vlerën 2.000.000 EUR. Nga verifikimet e kryera shtetasja X rezultoi të ishte e afërmja e shtetasit Y-ish funksionar i lartë publik (PEP). Në lidhje me mënyrën e pagesës rezultoi se, çmimi total i blerjes do të mbulohej nga shoqëria ‘DX’ e cila nga ana e saj për pagimin e kësaj vlere, kishte marrë kredi pranë bankës ‘AEF’. Në marrëveshjen midis palëve, pas shlyerjes së plotë të detyrimit, shtetasja X do të kryente më tej procedurat për kalimin e pronësisë në favor të shoqërisë ‘DX’. Nga verifikime të mëtejshme të kryera rezultoi se ortak në shoqërinë ‘DX’ ishte një shtetas i quajtur F, për të cilin rezultonte i regjistruar një procedim penal, si dhe indice negative në burimet e hapura për veprimtari kriminale. Indicet e administruara nga burimet e hapura, tregonin për lidhje midis shtetasit F dhe ish-funksionarit Y, përforcuar dhe nga një kontratë huaje e lidhur paraprakisht përmes dy shoqërive (shoqëria ‘EX’ e shtetasit F dhe shoqëria ‘LM’ të shtetasit Y) të zotëruara prej tyre.

Bazuar në dyshimet:

• Investimin në pasuri të paluajtshme, në vlera të larta të pajustifikuara;

• Përfshirja e personave me precedentë kriminalë;

• Përdorimi i personave të tretë si shtetases X , e afërme e një ish funksionar shtetëror; rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.

Rasti i nëntë-Transaksione të dyshimta nga subjekte juridike në fushën e mjekësisë.

 Shtetasi X djali i shtetasit Y ish funksionar, në vitin 2016 ka themeluar në një nga vendet e rajonit shoqërinë “Alpha” me objekt veprimtarie: “Tregti e pajisjeve”. Që në ditët e para të themelimit shoqëria “Alpha” lidhi një kontratë me objekt “Shitjen e pajisjeve” në vlerën 2.000.000 USD me Laboratorin Mjekësor “AB” që operonte në të njëjtin shtet me shoqërinë “Alpha”. Në marrëveshje midis palëve u ra dakord që pagesa të kryhej me këste duke aplikuar normë interesi dhe duke bërë që vlera totale që duhej paguar nga Laboratori Mjekësor “AB” kundrejt shoqërisë “Alpha” të ishte 4.000.000 USD, pra 2 fish i vlerës së pajisjeve. Gjatë një periudhe kohore prej 6 vitesh shoqëria “Alpha” ka përfituar në kuadër të kësaj kontrate, nëpërmjet transfertave të shumta mujore të gjithë shumën 4.000.000 USD.

Vlera e përfituar është përdorur për transferta drejt:

• kompanisë “Alpha-S” e regjistruar po në të njëjtin vend si shoqëria “Alpha” dhe me ortak shtetasin Z

• llogarisë personale të shtetasit X në Shqipëri me përshkrim ‘dhënie huaje’’ apo ‘kalim dividendi’,

• pagesa për udhëtime;

• pagesa faturash në vlera të ulta për subjekte të ndryshme në vendin tonë;

Nga verifikimet rezulton se shoqëria “Alpha”, nuk ka kryer asnjë import për pajisjet e shituara dhe nga librat e shitblerjes rezulton që produktet të jenë blerë në vlerë totale 2.000.000 USD nga dy subjektet si më poshtë:

• Shoqëria “AT” e cila ka patur bashkëpunim të mëparshëm me Laboratorin Mjekësor “AB” (paguar sipas faturave 1.500.000 USD);

• Shoqëria “Alpha-S”, ortaku i të cilës shtetasi Z ka pasur bashkëpunime të mëparshme me Laboratorin Mjekësor “AB”;

Bazuar në faktin se një subjekt tregtar pa eksperiencë në fushën përkatëse, në pronësi të afërmit të ish funksionar, blen pajisje nga dy shoqëri furnitorë për t’ia shitur më pas një subjekti tregtar tjetër me çmim dy herë më të lartë, ndërkohë që pajisjet mund të bliheshin drejtpërdrejt nga ky i fundit, lindën dyshime se këto transaksione kanë për qëllim mbulimin e fondeve të dyshimta të gjeneruara në Shqipëri, për rrjedhojë informacioni është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet ligj zbatuese.

Rasti i dhjetë- Investime në pasuri nga PEP (ish funksionar) me vlerë të deklaruar nën çmim tregu

Shtetasja X ka ushtruar detyrën si PEP në fushën e drejtësisë për një periudhë të gjatë kohore. Në lidhje me këtë shtetase nga burime të hapura rezultonin të dhëna për veprimtari të mundshme korruptive gjatë ushtrimit të detyrës. Nga ana jonë u kryen verifikime të mëtejshme në lidhje me të dhe familjarët e saj nga sa rezultoi se:

• Shtetasja X për një periudhë të gjatë kohe rreth 12 vjet, nuk e tërhiqte apo përdorte për shpenzime pagën e saj, të përfituar nga pozicioni si PEP por e investonte atë në depozita me afat duke akumuluar rreth 130.000 EUR;

• Kjo shtetase në llogari të saj personale kishte kryer depozitime cash në vlera që variojnë nga 3.000 EUR deri në 30.000 EUR, të deklaruara si të ardhurave nga biznesi familjar;

• Bashkëshorti e saj rezultoi me pagë minimale si i vetëpunësuar pranë biznesit familjar ndërsa fëmijët ishin përfshirë në marrëdhënie punësimi vetëm vitet e fundit. Gjithashtu bashkëshorti i shtetases X, gjatë këtyre viteve kishte kryer investime në disa pasuri të paluajtshme (sipërfaqe toke) të blera fillimisht me vlerë të ulët krahasuar me çmimin e tregut për të lidhur më pas kontrata sipërmarrje për kryerjen e ndërtimeve rezidenciale, nga e cila do të përfitonin 50% të sipërfaqes së ndërtimit.

Nga verifikimi për bizneset e deklaruara rezultoi se bashkëshorti i saj kishte regjistruar dy subjekte tregtare të llojit ‘Person fizik’’, në të cilat herë pas here kryheshin investime/rregullime të për zgjerim aktiviteti. Për bizneset janë deklaruar fitime vjetore në vlera që variojnë nga 400.000 LEK deri në 2.000.000 LEK. Në llogaritë e këtyre bizneseve nuk ka qarkullime fondesh të tilla për të justifikuar aktivitetin e tyre.

Bazuar në dyshimet:

• Depozitat e krijuara nga mos përdorimi ndër vite i pagës,

• Depozitimet e pajustifikuara me para në dorë në llogari personale;

• Investimet e kryera në sipërfaqe toke me vlerë të ulët, me qëllim dhënien e tyre për ndërtim, skemë kjo e njohur në fushën e pastrimit të parave; rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.


Lajmi kryesor:

Në 2021 u dyfishuan skemat e pastrimit të parave! 5 zyrtarë të përfshirë, sektori i ndërtimit ‘i preferuari’! 10 raste të dyshimta në hetim (Raporti)


B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!