Kush janë muxhahedinët? Ata shumë pak njihen në botën Perëndimore, ndërsa nga armiq janë kthyer në miq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Vite më parë, disa politikanë britanikë i përshkruanin muxhahedinët si “patriotë të mirë” apo si “grupi kryesor i opozitës iraniane”. Në një artikull në mediat britanike thuhet se, organizata që ka ngritur në këmbë Këshilli Kombëtar i Rezistencës në Iran, ishte “opozita e vërtetë ndaj diktaturës” dhe “shpresa më e mirë për të transformuar Iranin në një shtet laik, demokratik e jo terrorist”.

Ndërsa të tjerë i quanin “grupi më i rëndësishëm disident iranian”. Po atëherë, kush janë në të vërtetë këta njerëz? Këta quhen muxhahedinët e popullit, ku disa i njohin edhe si “Mujahideen-e Khalq” dhe janë ekzistent prej gati gjysmëshekulli. Origjina e tyre mund të gjurmohet në politikën radikale të viteve përpara 1979.

Historia  
Muxhahedinët fillesat e tyre i kanë të mbushura me histori përdredhjesh ideologjike, kthesash, skizmash e tradhtish. Pëlqimin në popull e humbën përballë mbështetësve të Ajatollahut Khomeini, në ditët e para të Revolucionit Islamik dhe në përgjigje të shtypjes së përgjakshme që iu bë, nisën një fushatë paraushtarake ndaj regjimit të ri. Gjatë luftës Iran-Irak, Saddam Husseini u ofroi strehë e i lejoi të ndërmerrnin sulme mbi Republikën Islamike nga brenda territorit irakian, ku vazhdojnë të kenë sot e kësaj dite koloninë e vet, të njohur si kampi i Ashrafit.

Ka raporte mbi një përfshirje të tyren në shtypjen e dhunshme të rebelimit kurd pas luftës të vitit 1991. Në vitin 2001 ata deklaruan tërheqjen nga çdo aktivitet ushtarak, por kjo nuk e ndaloi Bashkimin Europian, që një vit më vonë t’i vendoste në listën e zezë europiane të terrorizmit, vendim i përmbysur më pas në 2008. Në vitin 2009, Brukseli me një vendim të 27 vendeve anëtare vendosi t’i heqë nga lista e organizatave terroriste dhe në shtator të vitit 2012 një vendin i ngjashëm u mor edhe nga SHBA.

Dëbimi 
Që prej dëbimit nga Irani, muxhahedinët “e kalk” kanë shpenzuar kohë dhe energji në përpjekjet për t’i siguruar kauzës së tyre edhe mbështetjen e perëndimorëve, që nuk binden lehtë. Megjithatë, grupimi sot, edhe nga iranianët që jetojnë brenda kufijve shihet si krejtësisht i margjinalizuar nga politika kontemporane. Mendimi më pozitiv për të është ndoshta ai i një fraksioni të dëshpëruar, që vazhdon të shpresojë se do të sigurojë ndoshta një ditë mbështetje nga jashtë. Ai më i keqi, i sheh pjesëtarët e kësaj organizate si lunatike, të rreshtuar në krah të armikut gjatë një lufte, ku gjetën vdekjen me qindra mijëra iranianë të thjeshtë. Pas marrëveshjes me Iranin, Shteteve të Bashkuara u duhet t’u gjejnë atyre një shtëpi të re. Shtëpi që duket po ua ofron Shqipëria.
 
Organizata
Organizata që ka ngritur në këmbë Këshilli Kombëtar i Rezistencës në Iran, ishte “opozita e vërtetë ndaj diktaturës” dhe “shpresa më e mirë për të transformuar Iranin në një shtet laik, demokratik”. Të tjerë i quanin “grupi më i rëndësishëm disident iranian”

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)